Botimi nr. 1 - 15 tetor 2001

Shënim i botuesitUNMIK Chronicle e zëvendëson fletushkën UNMIK News, që filloi të botohej në ditët, pas konfliktit, të Misionit të KB-ve, në kohën kur nuk kishte gazeta ose botime të tjera në Kosovë. UNMIK News, që botohej në gjuhën shqipe, angleze dhe serbe, u zhvillua në një lidhje të komunikimit me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë të UNMIK-ut, duke sqaruar çka ndodhte dhe, deri në njëfarë mase, përse gjërat ndodhnin. Sot, në prag të vetëqeverisjes së përkohshme ajo nevojë, gjithashtu po kalon. Në vend të saj, UNMIK Chronicle thjeshtë do t'i shënojë, me sqarim minimal, ndodhitë më të mëdha që kanë të bëjnë me UNMIK-un. Botimi i saj simotër, Focus Kosovo, gjithashtu në tri gjuhë, do të jetë më pasqyrues-duke u marrë me çështjet më të gjëra të administratës nga perspektiva e atyre në UNMIK, të cilët duhet t'i baraspeshojnë çështjet e paqeruajtjes në kontekst të Kosovës, dhe të atyre që ende punojnë me UNMIK-un.


1 tetor

Duke hedhur poshtë pohimet se nuk do të ketë siguri të mjaftueshme për votuesit e pakicave, UNMIK-u hedh poshtë shtyrjen e zgjedhjeve deri në vitin 2002.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi një rregullore mbi rolin dhe përgjegjësitë e mediave gjatë fushatës zgjedhore.
Në raportin e tetë të përbashkët UNHCR-OSBE mbi pakicat thuhet se, edhe pse kushtet po përmirësoheshin ngadalë, gjendja e tyre mbeti më e keqja në Evropë.


2 tetor

PSSP apeloi për fushatë jo të dhunshme zgjedhore, duke thënë se ardhmëria e Kosovës varej në suksesin e zgjedhjeve.
Këshilli Tranzitor i Kosovës (KTK) u takua për herë të fundit. Takimi u mbajt në një sesion të përbashkët me Këshillin e Përkohshëm Administrativ për t'i diskutuar çështjet e sigurisë dhe të drejtësisë.
PSSP u takua me zëvendëskryeministrin serb në Prishtinë.
Qendra për korrespondimin e informatave për euron, e inauguruar në Odën Ekonomike të Kosovës me seli në Prishtinë, do të ofrojë informata dhe do t'i lidhë bizneset në Kosovë me homologët në shtetet e BE-së.


3 tetor

Gjenerali Valentin, nga Franca, duke marrë komandën e KFOR-it, theksoi se KFOR-i do të qëndronte pranë UNMIK-ut për ta siguruar një ambient të sigurt për zgjedhjet e nëntorit.
Fushata zgjedhore në mbarë Kosovën zyrtarisht filloi me 26 subjekte politike, të cilat garojnë për 100 vende në Kuvendin e ardhshëm.· 20 Departamentet e SPPA-së zyrtarisht u bashkuan në nëntë departamente tranzitore administrative, të cilat do të bëhen ministri të reja të qeverisë, e cila do të formohet pas zgjedhjeve.
Qendra e UNMIK-ut për menaxhimin e resurseve njoftoi se programi i kredisë në shumë prej 674,000 DM, i financuar nga qeveria italiane, kishte gjeneruar të ardhura për qindra banorë të Kosovës.
Komuna e Prishtinës përfundoi rrënimin e shtatë ndërtesave, të cilat ishin ndërtuar në mënyrë joligjore në tokën e komunës.


4 tetor

Kofi Annan apeloi për përfundim të sulmeve ndaj serbëve të Kosovës dhe për zgjedhje jo të dhunshme.
UNMIK-u bëri të ditur se spastrimi i minave do të përfundojë nga fundi i vitit.
Komuna e Obiliqit përcaktoi një sërë nivelesh të ndryshme të taksave për t'u zbatuar për të gjitha pronat në pronësi private, siç janë shitoret, bizneset, banesat, shtëpitë.
Senati i Universitetit të Prishtinës miratoi një pako të reformave për arsimin e lartë të drejtësisë, të sponsorizuar nga Qendra e Drejtësisë e Kosovës.
Në Ferizaj u inaugurua ndërtesa e bibliotekës së re.


5 tetor

Komisionari i BE-së për marrëdhënie të jashtme, Chris Paten, dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Javier Solana, u takuan me udhëheqësit politikë të Kosovës, me zyrtarët më të lartë të UNMIK-ut dhe të KFOR-it në Prishtinë. Solana nxiti serbët e Kosovës për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme, që ishin një "moment historik."
BE vuri në dispozicion më tepër se 45 milionë euro për t'i përkrahur projektet e ndryshme të zhvillimit në Kosovë.
Agjencioni Evropian për Rindërtim dhuroi 2.5 milionë euro për projekte për të siguruar pjesëmarrjen më të madhe të mundshme në zgjedhje.· Duke i raportuar Këshillit të Sigurimit, PSSP parashikoi shtyrjen e vendimit të serbëve të Kosovës për të votuar apo për të mos votuar në zgjedhje.
Këshilli i Sigurimit i KB-ve u apeloi udhëheqësve të shqiptarëve të Kosovës dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile që publikisht ta dënojnë dhunën dhe ekstremizmin etnik, dhe Beogradit që aktivisht ta nxisë pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet e nëntorit.


8 tetor

Në hapin tjetër drejt përpilimit të listës së përpiktë të votuesve, OSBE-ja filloi periudhën e sfidimit dhe të konfirmimit, që do të vazhdojë deri më 17 tetor.
OSBE filloi seminare për kandidatët në zgjedhjet për Kuvend për ta diskutuar rolin e demokracisë parlamentare dhe si ata, nëse zgjedhen si përfaqësues, do të mund t'i kontribuonin qeverisjes demokratike në Kosovë.


9 tetor

Këshilli i Përkohshëm Administrativ diskutoi projektrregulloret mbi patentëshoferët, themelimin e Bordit Financiar të Kosovës, një regjim për raportin financiar të organizatave të biznesit dhe mbi amandamentet ndaj Buxhetit të Konsoliduar të Kosovës.
Departamenti i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë mbajti një konferencë për gazetarë përkitazi me çështjen e legjislacionit mbi arsimin e lartë dhe shkollat në përgjithësi.


9-10 tetor

Zëvendëskryeministri serb Nebojsha Çoviq, bashkëbiseduesi i Beogradit me UNMIK-un, vizitoi zonat e banuara me serbë në Kosovë dhe u takua me udhëheqës vendorë, me komandantin e KFOR-it, me zyrtarë të UNMIK-ut dhe me përfaqësues të organizatave të tjera ndërkombëtare. Ai gjithashtu vizitoi burgun e Mitrovicës.


10 tetor

Departamenti i Rindërtimit mbajti konferencën e vet të parë mbi D.TH.M.B.-detyra për thjeshtëzimin e mjedisit të biznesit-që synon avancimin e një politike koherente në përkrahjen e zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.


10 - 11 tetor

Tetë anëtarë të delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhënie me Evropën juglindore vizituan Kosovën dhe u takuan me udhëheqësit e saj politikë, e gjithashtu edhe me zyrtarët më të lartë të UNMIK-ut.


11 tetor

Duke paraqitur rezultatet e vlerësimit të vet mbi varfërinë në Kosovë, Banka Botërore propozoi një strategji dykomponentëshe për uljen e varfërisë: një rritë ekonomike nëpërmjet punës intensive, dhe zgjerimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Departamenti i Tregtisë dhe Industrisë njoftoi se 65% të zotimeve të donatorëve në sektorin për rindërtimin e shëtpive kanë përfunduar.
Kompleksi xehetaro-metalurgjik Trepça pranoi një ndarje prej 9.43 milionë DM nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës për çerekun e katërt të vitit 2001.


12 tetor

Kombet e Bashkuara dhe Sekretari i Përgjithshëm Kofi Annan u shpërblyen me Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2001.
Shkolla e Shërbimit Policor të Kosovës në Vushtrri mbajti ceremoninë e diplomimit për gjeneratën e parë të pedagogëve për patentshoferë.OSBE-ja promovoi "Brengat e Kosovës"-një libër që përmban pikëpamjet e qindra njerëzve nëpër tërë Kosovën, që është një shprehje e asaj për të cilën ata besojnë se janë çështjet më të rëndësishme të cilave politikanët duhet t'u qasen në zgjedhje dhe pasi të formohet qeveria.

Top


UNMIK Chronicle është botim i Sektorit për Informim Publik, UNMIK Prishtinë - Tel: (381.38) 504.604 ext. 5610, email: ellwood@un.org