Botimi Nr. 10 - 31 dhjetor 2001


12 dhjetor

Departamenti kalimtar i Sigurisë Civile dhe Gatishmërisë për Emergjenca, i Shëndetësisë, Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, i Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) nënshkruan një memorandum të mirëkuptimit, i cili i definon rolet dhe përgjegjësitë e tyre mbi ndihmën për viktimat nga minat dhe mjetet e tjera të pashpërthyera (MPSH) kur Qendra për Koordinimin e Veprimit kundër Minave të mbyllet në fund të vitit 2001.

Grupi drejtues mbi zbatimin e Kornizës Kushtetuese u pajtua që grupi ad hoc punues për Kuvendin e Kosovës të vazhdojë të ofrojë këshilla dhe përkrahje për sekretariatin e Kuvendit që është duke u formuar dhe ta mbështesë përpjekjen për ta themeluar zyrën e kryetarit dhe zyrën e kryeministrit. Grupi drejtues gjithashtu shqyrtoi pagesën e anëtarëve të zgjedhur të Kuvendit, rrethanat e sigurisë për institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes (IPVQ), transportin e personelit të pakicave që punon në IPVQ dhe që IPVQ-së t'i shiten pajisjet e tanishme në Ndërtesën e Qeverisë, që janë pronë e OKB-së.


13 dhjetor

Në takimin e dytë të Kuvendit, partitë politike të Kosovës nuk ishin në gjendje të pajtoheshin për formimin e shumicës politike të punës dhe kështu nuk e zgjodhën kryetarin e Kosovës. I nominuari i LDK-së për kryetar, z. Ibrahim Rugova, dështoi t'i fitonte dy të tretat e shumicës së votave për t'u zgjedhur. Prej 70 votave, ai i fitoi 49; PDK-ja dhe AAK-ja abstenuan nga votimi.

Grupi i lartë punues, i themeluar në dokumentin e përbashkët ndërmjet UNMIK-ut dhe qendrës koordinuese të RFJ-së/Serbi-së për Kosovën, u takua për herë të parë dhe përcaktoi parimet e përbërjes dhe procedurat për punën e vet të ardhshme.

Një central i ri telefonik, të cilin PTK e instaloi në qendrën e telekomunikimit Iliria në Prishtinë, do të ofrojë shërbime për 23,000 parapagues dhe mund të zgjerohet deri në 50,000 parapagues, sipas nevojës. Ky e zëvendësoi centralin e vjetër me një kapacitet prej vetëm 10,000 parapaguesve. Centrali i ri u arrit në sajë të investimit të Agjencionit Evropian për Rindërtim (AER) dhe përkrahjes së Drejtorisë së UNMIK-ut për Çështje të Infrastrukturës, Postës dhe Telekomunikacionit.

Departamenti kalimtar i Arsimit, Shekncës dhe Teknologjisë u pajtua për ta zgjeruar projektin për bartjen e pakicave me autobusë për t'i përfshirë pakicat dhe nxënësit e rrezikuar në mbarë Kosovën, për të cilin do të nevojiten 2.3 milionë dollarë amerikanë. Nëse fondet sigurohen, autobusët e ri do të jenë në shërbim nga shtatori 2002.

14 dhjetor

Bordi këshilldhënës mbi pakicat, në të cilin përfshihen përfaqësues nga të gjitha Shtyllat e UNMIK-ut, administratorët rajonalë, disa agjenci të KB-ve dhe ndërkombëtare që punojnë në Kosovë, por gjithashtu edhe KFOR-i, mbajti takimin e vet të parë. Ai do të takohet një herë në muaj për të siguruar udhëzime të koordinuara politike, këshilla dhe rekomandime për PSSP-në mbi çështjet që kanë të bëjnë me pakicat.

15 dhjetor

Hapja e lehtësirës së mjekësisë interne dhe pediatrike, të cilën Kryqi i Kuq Francez e ndërtoi në Llapla Sellë, përfundoi rrjetin e lehtësirave që synonin t'u ofronin kujdes shëndetësor të nivelit sekondar bashkësive serbe në Kosovën juglindore. Qendrat e tjera përfshijnë lehtësirën e kirurgjisë të cilën e udhëheq MDM nga Greqia dhe repartin e maternitetit, të cilin e ndërtoi IOM-i, që të dyjat ndodhen në Graçanicë.

18 dhjetor

Një trup gjykues i Gjykatës Supreme të Kosovës, i përbërë nga tre gjykatës ndërkombëtarë, urdhëroi lirimin e tre të dyshimtëve të arrestuar përkitazi me sulmin me bombë ndaj autobusit të Nishit-sulmi ndodhi në shkurt të vitit të kaluar në Podujevë, në autobusin që udhëtonte nga Nishi (Serbi), me ç'rast u vranë 11 serbë të Kosovës. Gjykata refuzoi peticionin për mbajtje të mëtutjeshme në burg, duke hedhur poshtë kështu urdhëresën e një komisioni për shqyrtimin e paraburgimit (një trup i posaçëm gjykues gjithashtu i përbërë nga gjykatës ndërkombëtarë) i cili pati vendosur se mbajtja e vazhdueshme e të dyshimtëve në burg në bazë të urdhëresave ekzekutive të PSSP-së ishte e arsyetuar. I dyshimti kryesor në këtë sulm terrorist pati ikur nga burgu në Kampin Bondsteel në maj të vitit 2001.

19 dhjetor

Në një takim me kryetarin e Kuvendit, UNMIK-u theksoi gatishmërinë e vet për të ndihmuar në emërimin e një sekretari kosovar për Kuvend sa më shpejt që të jetë e mundur. Ndërkohë, PSSP caktoi një nëpunës ndërkombëtar për të punuar si ushtrues detyre i Sekretarit të Kuvendit për periudhën përfundimtare për t'i shkarkuar funksionet e nduarnduarta administrative dhe të menaxhmentit.

PTK filloi një shërbim të biznesit dhe të internetit të konsumatorëve residencialë, platformën e shërbimit ISP Dardanet. I themeluar në bashkëpunim me Teknologjinë Informative Infonova dhe me përkrahjen e Drejtorisë së UNMIK-ut për Çështje të Infrastrukturës, Postës dhe Telekomunikacionit, shërbimi do t'i lidhë konsumatorët me rrjetin e përgjithshëm nëpërmjet rrjetit të vetëm tokësor të shpejtësisë së lartë në Kosovë. Sistemi, që fillimisht do të punojë nga qendra e rrjetit Dardanet në selinë e PTK-së në Prishtinë, do të zgjerohet për t'i përfshirë të gjitha qytetet kryesore. Në fazën e parë, konsumatorët e biznesit do të mund t'i marrin me qira shërbimet e linjës deri në 2 MB. Në fillim të vitit 2002, një infrastrukturë e plotë do të jetë në dispozicion për të gjithë konsumatorët privatë dhe të biznesit.

20 dhjetor

Një grup prej nja 30-40 serbëve të Kosovës, i mbrojtur nga KFOR-i, u mblodh për herë të parë që nga përfundimi i luftës në vendin e tregut të Lypjanit për ta dëgjuar deklaratën për paqe dhe tolerancë të cilën e lexuan Imami, prifti ortodoks dhe udhëheqësi i bashkësisë kroate. Kremtimin për paqe dhe tolerancë e organizoi batalioni i KFOR-it finlandez; në të mori pjesë edhe administratori komunal. Megjithatë, kremtimi gjithashtu u shënua me qëndrimin armiqësor të disa të rinjëve shqiptarë të cilët brohorisnin "UÇK, UÇK" në kohën kur deklarata u lexua në gjuhën serbe. Gjithashtu ekzistonte një përpjekje e qartë e disa të rinjëve shqiptarë për të mos i lejuar shqiptarët e tjerë që të mirrnin pjesë.

23 dhjetor

Ndërsa mungesa e energjisë elektrike mbetet problem serioz në mbarë Kosovën, një zgjidhje e përkohshme për Obiliqin (rajoni i Prishtinës) nënkuptonte heqjen e shkyçjes kolektive në blloqet e apartamenteve serbe (për shkak të mospagesës së faturave të rrymës) të cilën Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) e imponoi javën e kaluar. Zyrtarët e UNMIK-ut e bindën KEK-un që t'i lidhte ata sërish në mënyrë që t'i bindnin serbët e Kosovës që të fillonin t'i paguanin faturat e tyre.

26 dhjetor

Në një mbedhje me përfaqësuesit rajonalë të UNMIK-ut, KFOR-it dhe UNHCR-së të mbajtur në Pejë, mbi marrëveshjet për konvertimin e euros për enklavat e serbëve të Kosovës, përfaqësuesi i UNHCR-së bëri të ditur për një konferencë të posaçme të donatorëve për projektin e ri për kthimin e serbëve të Kosovës në rajonin e Pejës, e cila do të mbahet në fillim të shkurtit.

27 dhjetor

PSSP u takua me Nexhat Dacin, kryetar i Kuvendit të Kosovës, dhe me Ibrahim Rugovën (LDK) për t'i diskutuar aspektet politike të mbledhjes së ardhshme të Kuvendit (10 janar).

28 dhjetor

PSSP Hans Haekkerup dha dorëheqje nga posti i tij, duke theksuar shkaqet personale, pas pothuaj një viti si kryesues i UNMIK-ut. Gjatë numërimit të sukseseve të z. Haekkerup, në një deklaratë të lëshuar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së ceket përparimi i madh në zbatimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe fakti se Kosova tani ishte në prag të themelimit të institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes. Kjo pasqyroi shkathtësinë menaxhuese të PSSP-së që po shkon për procesin që shpuri në miratimin e Kornizës Kushtetuese dhe në zgjedhjet e suksesshme në nëntor të vitit 2001. Z. Haekkerup gjithashtu i atribuohet arritja e mirëkuptimit me autoritetet e RFJ-së, duke vendosur marrëdhëniet ndërmjet UNMIK-ut dhe autoriteteve të RFJ-së në një bazë të shëndoshë. Ai bëri shumë punë për ta përforcuar sundimin e të drejtës në Kosovë, kurse administratës që po vjen ia dorëzoi një buxhet plotësisht të financuar, konkludohej në deklaratë. Në pritje të caktimit për zëvendësimin e z. Haekkerup, Sekretari i Përgjithshëm e caktoi Zëvendësin Kryesor të PSSP-së Charles Brayshaw si ushtrues detyre të PSSP-së për këtë Mision.


Top


UNMIK Chronicle është botim i Sektorit për Informim Publik, UNMIK Prishtinë - Tel: (381.38) 504.604 ext. 5610, email: ellwood@un.org