Botimi Nr. 11 - 14 janar 2002


2 janar

Nënsekretari i Përgjithshëm i OKB-së për Operacione Paqeruajtëse, Jean-Marie Guéhenno, arriti në Kosovë për një vizitë dyditëshe. Gjatë takimit me personelin e lartë të UNMIK-ut, KOMKFOR-in dhe përfaqësuesit e Kontakt Grupit në Prishtinë, z. Guéhenno ripohoi se Kosova mbetej një prioritet kryesor i OKB-së. Diskutimet u përqëndruan në tranzicionin e vazhdueshëm prej SPPA-së drejt institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes.

Kuvendi i komunës së Gjilanit pranoi rekomandimet e një komisioni të posaçëm të themeluar për ta përcaktuar situatën ekonomike të familjeve të pesonave që vdiqën gjatë luftës për t'u siguruar ndihmë financiare familjeve të cilat i identifikoi ky komision. Komisioni është i përhershëm dhe do të vazhdojë ta kompletojë listën e përfituesve të mundshëm, në të cilën do të përfshihen të gjitha grupet etnike në komunë, përshirë këtu edhe serbët e Kosovës.

3 janar

Gjatë takimit me përfaqësuesit e KPA-së dhe me kryetarin e Kuvendit, Nënsekretari i Përgjithshëm për Operacione Paqeruajtëse, Jean-Marie Guéhenno, theksoi shansin e madh që qëndron para tyre në këtë çast vendimtar pas zgjedhjeve dhe themelimit të Kuvendit. Ai theksoi përgjegjësinë vendore për të vepruar shpejt në zbatimin e Kornizës Kushteuese, posaçërisht përpjekjet me kohë për ta tejkaluar situatën politike e cila e kishte ngadalësuar formimin e qeverisë së koalicionit. Përpjekjet e tilla ishin të nevojshme për bartjen e shpejtë të pushtetit mbi një pjesë të madhe të administratës publike të Kosovës, tha ai. Kjo gjithashtu do ta plotësonte përkrahjen ndërkombëtare për një Kosovë vetëqeverisëse, por edhe do t'i përmbushte pritjet e bashkësisë ndërkombëtare dhe të popullatës së Kosovës.

9 janar

Shtylla III e UNMIK-ut (Demokratizimi dhe Ndërtimi i Institucioneve), të cilën e udhëheq OSBE-ja, bëri të ditur për një ristrukturim tërësor. Në vend të 21 zyrave në terren dhe qendrave rajonale në mbarë Kosovën, tani ajo do t'i ketë nëntë zyra, dhe secila prej tyre do t'i mbulojë disa komuna, por gjithashtu edhe zyrat shtojcë në Dragash. Këto zyra do të vendosen në Gjilan (duke mbuluar kështu Kamenicën, Novobërdën, Bellobërdën dhe Vitinë), Mitrovicë (Skenderaj dhe Vushtrri) Lleposaviq (Zubin Potok dhe Zveçan), Lypjan (Shtime dhe Ferizaj), Rahovec (Gjakovë dhe Malishevë), Pejë (Deçan, Istog dhe Klinë), Prishtinë (Gllogoc, Fushë Kosovë, Obiliq dhe Podujevë), Prizren (Suharekë dhe Dragash) dhe Shtërpce (Kaçanik).

Shtylla IV e UNMIK-ut (Rindërtimi dhe Zhvillimi Ekonomik) bëri të ditur se problemi i energjisë elektrike gjatë fundjavës së kaluar ishte shkaktuar për shkak të prishjes së shiritit për bartjen e thëngjillit për furnizimin e bllokut B2, si dhe dështimit të bllokut A3. Ndërsa termocentralet ishin duke prodhuar 560 MW, që do të kishin mjaftuar për vitin e kaluar, Kosova momentalisht kishte nevojë për 750 MW. Kjo nënkupton se edhe sikur temocentralet të punonin me kapacitet të plotë, regjimi i ndërprerjes së rrymës do të mbetej katër orë me rrymë dhe dy orë pa të.

10 janar

Kuvendi i Kosovës edhe një herë dështoi për ta zgjedhur kryetarin e krahinës. Parlamentarët votuan dy herë, kurse kandidati i vetëm-Ibrahim Rugova nga LDK-ja-mori 50 dhe 51 vota, nja 10 vota më pak se që nevojiteshin për shumicën e thjeshtë. Kuvendi tani do të vazhdojë të votojë për shumicën prej 61 votash derisa ta zgjedhë kryetarin e Kosovës.

Top


UNMIK Chronicle është botim i Sektorit për Informim Publik, UNMIK Prishtinë - Tel: (381.38) 504.604 ext. 5610, email: ellwood@un.org