Botimi Nr. 13 - 28 janar 2002

21 janar

Nënsekretari i Përgjithshëm i OKB-së për Operacione Paqeruajtëse, Jean-Marie Guéhenno, i tha Këshillit të Sigurimit në Nju Jork se ndërsa ngecja për formimin e qeverisë së koalicionit dhe për zgjedhjen e kryetarit të Kosovës po vazhdonte, UNMIK-u dhe shtetet e interesuara vazhdonin të kurajonin një zgjidhje të shpejtë për rrugën qorre të tanishme. UNMIK-u gjithashtu punoi shumë për ta krijuar një mjedis në të cilin pakicat e Kosovës do të ndjeheshin të sigurta për të marrë pjesë në jetën publike, tha ai.

Në takimin e dytë të grupit punues të nivelit të lartë në Beograd, UNMIK-u paraqiti tri protokolet e propozuara-mbi shkëmbimin e ekspertizës mjeko-ligjore mbi punën për personat e zhdukur, mbi pohimet e përbashkëta për burgjet e fshehura dhe mbi kthimin tejkufitar të kufomave. Ushtruesi i detyrës së PSSP-së, Charles Brayshaw, i cili e kryesonte takimin, atë e cilësoi si pozitiv dhe konstruktiv përkitazi me përcaktimin e prioriteteve për punën e ardhshme mbi çështjet e interesit për UNMIK-un dhe autoritetet e RFJ-së, të definuara në dokumentin e përbashkët. Shumica e këtyre prioriteteve përqëndroheshin në përmirësimin e bashkëpunimit për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur të të gjitha bashkësive, zgjidhjen e çështjes së të burgosurve, nxitjen e kthimit të personave të zhvendosur në Kosovë dhe përmirësimin e lirisë së lëvizjes nëpërmjet rrugës dhe hekurudhës. Grupi gjithashtu u pajtua për të themeluar nëngrupe për të kthyerit, për bashkëpunimin ndërmjet organeve të gjyqësisë dhe të policisë.


22 janar

Këshilli i Përkohshëm Administrativ (KPA) u takua në një mbledhje të rregullt për t'i diskutuar rregulloret që presin zgjidhje dhe çështjet e tjera deri në bartjen e pushtetit tek instuitucionet e përkohshme të vetëqeverisjes. Të katër projektrregulloret që presin zgjidhje përfshijnë ato mbi arsimin fillor dhe të mesëm, mbi arsimin e lartë, mbi tatimin në të ardhurat personale (në rroga) dhe mbi taksat e profitit për biznese. Ushtruesi i detyrës së PSSP-së, Charles Brayshaw, e informoi KPA-në për emërimin e shpejtë të PSSP-së së ri, duke vënë në pah se Michael Steiner me padurim priste që t'u rrekej çështjeve të ngutshme me të cilat Kosova dhe misioni po përballeshin. Gjatë përshkrimit të vizitës së tij të kohëve të fundit në Nju Jork dhe Uashington, D.C., z. Brayshaw tha se zyrtarët e atjeshëm theksonin interesin e tyre për t'i parë institucionet e vetëqeverisjes të themeluara sa më shpejt që të jetë e mundur.


23 janar

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan, emëroi z. Michael Steiner, një diplomat i lartë nga Gjermania, që të jetë Përfaqësuesi i tij i ri Special për Kosovën dhe kryesues i UNMIK-ut. Z. Steiner, një ish-këshilltar i kancelarit të Republikës Federale të Gjermanisë për punë të jashtme dhe politikë të sigurisë, e zëvendëson z. Hans Haekkerup, i cili e lëshoi Kosovën në fund të vitit 2001. Z. Steiner është Përfaqësuesi i tretë Special për Kosovën që nga themelimi i UNMIK-ut më 1999, pas z. Haekkerup nga Danimarka dhe z. Bernard Kouchner nga Franca. Ai do ta marrë detyrën e vet në fillim të muajit të ardhshëm.


26 janar

Si pjesë e udhëtimit të tij dyditësh në Ballkan, në të cilin gjithashtu përfshiheshin Shkupi dhe Beogradi, Javier Solala, përfaqësues i lartë i BE-së për politikë të përbashkët dhe siguri, vizitoi Kosovën. Gjatë takimit me udhëheqësit e zgjedhur të Kosovës, ai theksoi se ata duhet të veprojnë shpejt për ta zgjedhur kryetarin dhe për t'i ndërtuar institucionet e vetëqeverisjes së përkohshme. Me rëndësi ishte që të mbahej entuziazmi i zgjedhjeve dhe të punohej për përmbushjen e parashikimeve të zgjedhësve, tha ai. Z. Solana gjithashtu u takua veçmas me udhëheqësit partiakë të shqiptarëve të Kosovës, me Ibrahim Rugovën, Hashim Thaçin dhe Ramush Haradinajn, por gjithashtu edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, z. Nexhat Daci, dhe me udhëheqësen e serbëve të Kosovës, Rada Trajkoviq. Përveç kësaj, ai u takua edhe me ushtruesin e detyrës së PSSP-së, Charles Brayshaw, me shefin e misionit të OSBE-së, z. Pascal Frieschi, me komandantin e KFOR-it gjenerallejtënant Marcel Valentin, dhe me përfaqësuesit e zyrave diplomatike.

Top


UNMIK Chronicle është botim i Sektorit për Informim Publik, UNMIK Prishtinë - Tel: (381.38) 504.604 ext. 5610, email: ellwood@un.org