Botimi Nr. 14 - 4 shkurt 2002


28 janar

Komisionari i Policisë së UNMIK-ut Christopher Albiston bëri të ditur për largimin e vet nga misioni. Në fjalimin e tij përshëndetës para gazetarëve, ai e cilësoi Shërbimin Policor të Kosovës "si një institucion të mirë, si një shembull të mirë të asaj që populli i Kosovës, i përkatësive të ndryshme etnike, mund të arrijë kur të punojë së bashku." UNMIK-u po përparonte mirë në zhvillimin e një shërbimi vendor policor efikas, të besueshëm dhe të paanshëm, tha Komisionari.

Sipas Policisë së UNMIK-ut, kriminaliteti në Kosovë po stabilizohet pasi UNMIK-u dhe Shërbimi Policor i Kosovës po i përkushtojnë më tepër resurse hetimit të krimeve të rëndomta. Situata e sigurisë gjithashtu po përmirësohet. Nëse në mbarë Kosovën në vitin 2000 ekzistonin 245 vrasje, 275 përpjekje për vrasje, 190 kidnapime, 523 zjarrvënie dhe 22 vepra të plaçkitjes, ato shifra ranë në 136, 225, 165, 218 dhe 6 në vitin 2001. Gjithashtu ra edhe numri i fatkeqësive vdekjeprurëse të trafikut: prej 250 personave që vdiqën në vitin 2000, në 159 në vitin 2001.

Policia e UNMIK-ut, e përkrahur nga KFOR-i, arrestoi dy meshkuj për të cilët dyshohej të kishin kryer një sërë keqtrajtimesh, sulmesh fizike dhe, në disa raste, edhe vrasje në periudhën shtator 1998-qershor 1999. Viktimat e të gjitha këtyre incidenteve ishin civilët shqiptarë të Kosovës. Gjatë kohës së veprimtarisë së supozuar kriminale, të pandehurit ishin pjesëtarë të Policisë Ushtarake të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që vepronin në komunën e Podujevës.

Departamenti Kalimtar i Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Autoriteti Qendror Fiskal bënë të ditur se do ta zbatojnë një sistem modern evropian të pensioneve në Kosovë. Do të ketë pension të përgjithshëm për të moshuarit, që do të thotë se të gjithë personat mbi moshën 65-vjeçare do ta kenë një tarifë të fiksuar të pensionit të financuar nga buxheti i Kosovës. Do të zbatohet edhe një sistem i ri i detyrueshëm i pensioneve për punëtorët e tanishëm. Sistemi gjithashtu do ta sigurojë bazën ligjore për veprimin e skemave vullnetare të pensioneve, që duhet të përputhen me rregulloren mbi pensionet, të datës 22 dhjetor 2001.

30 janar

Policia e UNMIK-ut arrestoi tre persona për kontrabandim të armëve dhe të eksplozivit në Kosovë dhe zuri një sasi të madhe të armëve, eksplozivit dhe të pajisjeve ushtarake afër qytetit të Ponoshecit në rajonin e Pejës. Policët e Policisë së UNMIK-ut, të përkrahur nga trupat e KFOR-it, zunë një konvoj të mushkave sapo e kaluan kufirin dhe hynë nga Shqipëria në Kosovë. Me këtë rast u konfiskuan 20 pushkë automatike, dy pushkomitralozë, 15,000 fishekë, 20 kilogram eksploziv, 30 granata dore dhe uniforma ushtarake.

Ekspozita e fotografive të fotoreporterit të OSBE-së, Lubomir Kotek (Republika e Çekisë) u hap në Teatrin Kombëtar në Prishtinë, në të cilën janë të paraqitura pamjet e fotografuara gjatë dy vjetëve të kaluara. Kjo ekspozitë do të jetë e hapur deri më 9 shkurt, pas së cilës kohë ajo do të udhëtojë për në Vienë, Varshavë, Lisbon dhe Paris.

31 janar

Agjencioni Evropian për Rindërtim (AER) bëri të ditur se do të fillojë meremetimet në stacionin pompues në kompaninë e ujit Batllava, e cila e furnizon me ujë pjesën më të madhe të rajonit të Prishtinës. Do të zëvendësohen të tri popmat në stacion. Ndërtesa gjithashtu do të meremetohet. Kur të përfundojnë meremetimet, në fund të qershorit të vitit 2002, furnizimi me ujë do të jetë më efikas dhe më i sigurt.

Zyra e Komesariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatë (UNHCR) bëri të ditur se shefi i misionit të UNHCR-së, Lennart Kostalainen nga Suedia, do t'i thotë lamtumirë Kosovës më 5 shkurt, pas një pune më tepër se dyvjeçare. Pasardhës i tij do të jetë Walter Irvine nga Meksiko.

Top


UNMIK Chronicle është botim i Sektorit për Informim Publik, UNMIK Prishtinë - Tel: (381.38) 504.604 ext. 5610, email: ellwood@un.org