Botimi Nr. 17 - 25 shkurt 2002

18 shkurt

PSSP Michael Steiner vizitoi gjimnazin Sami Frashëri në Prishtinë. Sami Frashëri, njëra prej shkollave më të mira në Kosovë, është pjesëmarrëse në projektin e shkollave evropiane, të financuar nga qeveria e Francës. PSSP theksoi se, pasi 52 për qind e popullatës është nën moshën 20-vjeçare, Kosovës i nevojitej investimi në arsim, që kishte rëndësi kryesore për rimëkëmbjen e vet ekonomike.

PSSP Michael Steiner u takua me të gjithë administratorët komunalë të UNMIK-ut. Në vazhdën e takimeve të tij të vazhdueshme me udhëheqësit vendorë, Michael Steiner gjithashtu u takua me Ramush Haradinajn, kryetarin e AAK-së.

Inspektorët komunalë në Podujevë, të përkrahur nga Policia e UNMIK-ut dhe SHPK-ja, filluan një operacion që ka për qëllim largimin e zgjerimeve të shitoreve nga trotoaret dhe hapësirat publike, të cilat e pengojnë kalimin e këmbësorëve. Pronarëve të shitoreve u është dhënë afati prej shtatë ditësh për t'i larguar të gjitha zgjerimet e përhershme dhe të përkohshme. Ky akcion ndihmoi jo vetëm që të lirohen rrugët e këmbësorëve dhe vendet publike, por gjithashtu përforcoi edhe autoritetin e organeve të komunës.

19 shkurt

PSSP Michael Steiner iu drejtua popullit të Kosovës nëpërmjet RTK-së. Duke theksuar se Kosova është "një shoqëri e shkathët, e re dhe dinamike," PSSP theksoi se "energjia dhe shkathtësia e njëjtë duhet të përdoren për ta vënë në vend qeverinë funksionuese." Ai gjithashtu theksoi të tri sfidat që e presin: vënien e gurthemelit për sukses ekonomik, siç janë: arsimi, krijimi i vendeve të punës, të ardhurat dhe ndërmarrja e nismave; mposhtja e krimit dhe e dhunës dhe largimi i frikës; dhe krijimi i një shoqërie të drejtë dhe i një vendi të sigurt për të gjithë.

20 shkurt

Një kamp ndëretnik i trajnimit për vajzat nga mbarë kosova filloi punën në qendrën e skijimit në Brezovicë. Kampin dhjetëditor e organizoi federata e skijimit e Kosovës, në bashkëpunim me Departamentin Kalimtar të Kulturës, Rinisë, Sportit dhe të Çështjeve Jo-rezidente. Në këtë kamp marrin pjesë 20 vajza - 15 shqiptare dhe 5 serbe të Kosovës. Kjo është nisma e dytë e madhe për bashkimin e bashkësive nëpërmjet sportit. Në vitin 2001, Federata e Basketbollit e Kosovës e pranoi ekipin basketbollistik të Shtërpces në ligën e basketbollit të Kosovës. Që nga ajo kohë, ekipi i Shtërpces është duke luajtur në ligën e dytë. Departamenti shpreson se kampi i skijimit do ta hapë rrugën për më tepër ndodhi ndëretnike sportive në Kosovë. Sigurinë për këto dy nisma sportive e ofruan trupat e KFOR-it të SHBA-ve.

21 shkurt

PSSP Michael Steiner përfundoi rundin e parë të bisedimeve me udhëheqësit politikë të Kuvendit të Kosovës, dhe filloi rundin e dytë, gjithashtu me një takim me Nexhat Dacin, kryetarin e Kuvendit.

OSBE-ja lëshoi një udhëzim, i cili ka për qëllim të sigurojë qasje ndaj drejtësisë dhe trajtimit të drejtë të viktimave të krimeve në Kosovë. Ky udhëzim duhet të jetë mjet praktik për t'u marrë me viktimat dhe për të punuar drejt zhvillimit të një sistemi gjithëpërfshirës dhe të integruar për mbrojtjen e viktimave. Udhëzimi paraqet një mori të mekanizmave, modeleve dhe të shkathtësive të përfshira në reagimin ndaj viktimave të krimeve, dhe synon të jetë pika fillestare për t'iu drejtuar asaj që viktimat e krimeve duan dhe për të cilën ata kanë nevojë.

Zyrtarë të arsimit filluan programin trajnues të projektit për dhënien e kompetencave Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Folës në këtë ceremoni, e cila u mbajt në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, ishin Michael Daxner, zyrtari kryesor ndërkombëtar i ministrisë, ZPSSP Tom Koenigs dhe Zenun Rexhepi, drejtori i ardhshëm i ministrisë për informim dhe marrëdhënie publike.

Top


UNMIK Chronicle është botim i Sektorit për Informim Publik, UNMIK Prishtinë - Tel: (381.38) 504.604 ext. 5610, email: poultney@unmik.org