Botimi Nr. 18 - 4 mars 2002

26 shkurt

PSSP Michael Steiner nënshkroi Rregulloren e UNMIK-ut 2000/4 mbi "Tatimin në të ardhurat personale në Kosovë." Kjo rregullore siguron që, duke filluar që nga 1 prilli 2002, punëtorët në Kosovë do të fillojnë ta paguajnë tatimin në të ardhura, kurse pagesat e para do të hiqen nga pagat e tyre në muajin maj. Në personat që duhet ta paguajnë tatimin përfshihen nëpunësit vendorë të ndërmarrjeve publike dhe të bizneseve private, OJQ-të, nëpunësit e qeverisë dhe ndërkombëtarët e punësuar në biznese private. Punëtorët vendorë të UNMIK-ut lirohen nga pagesa e këtij tatimi, si dhe personeli ndërkombëtar që punon në zyrat diplomatike, në ndihmën teknike ose në ndihmën humanitare.

27 shkurt

Në Prishtinë u hap konferenca dyditore mbi legjislacionin e ekonomisë së tregut, nikoqir i të cilës ishte Shtylla e Bashkësisë Evropiane, në bashkëpunim me sekretariatin e Kuvendit. Pjesëmarrës ishin anëtarët e Kuvendit, si dhe persona të profesioneve juridike dhe ekonomike, zyrtarë të UNMIK-ut, donatorë, përfaqësues të bashkësisë së biznesit të Kosovës, OJQ-të dhe mediat. Pasi ishte e fundit në vazhdën e ngjarjeve të hatuara për ta zhvilluar konceptin e parë të një legjislacioni të ekonomisë së tregut në Kosovë, konferenca ofroi prezentimet e Projektit të BE-së për Stabilizim dhe Shoqërim në Ballkan dhe rekomandimet për reforma në drejtësi.

28 shkurt

Pas diskutimeve që zgjatën më tepër se pesë orë, udhëheqësit e tri partive kryesore politike të shqiptarëve të Kosovës-Ibrahim Rugova, nga LDK-ja, Hashim Thaçi, nga PDK-ja, dhe Ramush Haradinaj, nga AAK-ja-nënshkruan marrëveshjen për kryetarin dhe qeverinë e Kosovës, duke thyer kështu bllokadën politike e cila, që nga zgjedhjet e përgjithshme të 17 nëntorit 2001, kishte penguar formimin e institucioneve të reja vetëqeverisëse. Të tri partitë u morën vesh që Ibrahim Rugova duhet të jetë kryetar i Kosovës, kurse Bajram Rexhepi, nga PDK-ja, duhet të jetë kryeministër. PSSP Michael Steiner tha më vonë se ai ishte "shumë i kënaqur" me këtë marrëveshje. Dr. Rexhepi, si kryeministër, "do të jetë shumë pozitiv për Kosovën-mjek, i pranueshëm për të gjithë dhe i zotuar për një Kosovë gjithëpërfshirëse, demokratike dhe përparimtare," shtoi ai. Marrëveshja gjithashtu definon ndarjen e posteve ministrore, të cilat do të jenë: katër poste për LDK-në, dy për PDK-në dhe dy për AAK-në. Në bazë të Kornizës Kushtetuese, një ministër tjetër do të jetë një serb i Kosovës dhe një përfaqësues i një bashkësie jo-shqiptare.

PSSP Michael Steiner vizitoi tregun e gjelbër të Prishtinës, ku ai i shpenzoi DM-të e fundit që i kishin mbetur, për ta shënuar ditën e fundit të kalimit në euro. Më vonë, në zyrën e tij, ai u takua me Bajram Rexhepin, i cili qe propozuar për kryeministër të Kosovës. Më pas, Michael Steiner u takua edhe me komandantin e forcave aleate për Evropën juglindore, admiralin Gregory Johnson. Pasdite, PSSP mbajti një konferencë të shkurtër për shtyp përkitazi me marrëveshjen për kryetarin dhe qeverinë e Kosovës.

Shtylla e IV-të e UNMIK-ut paraqiti një sistem të pagesave ndërbankare, i cili do ta lehtësojë pagesën dhe pranimin e parave. Ky sistem do të mundësojë përcjelljen e pagesave dhe të listave të pagave prej një xhirollogarie në tjetrën brenda një dite. Mijëra lista të pagave të nëpunësve, të pensioneve dhe të pagesave të tjera do të përcillen drejtpërdrejt në xhirollogaritë bankare, duke anashkaluar kështu rrjeshtat e gjatë në banka ose sportelin me të holla të gatshme.

1 mars

Bizneset dhe organizatat filluan një llogari individuale të pensioneve për punëtorët e tyre. Ky plan nënkupton se do të ekzistojë një kontribut mujor prej 5 për qind prej punëtorëve dhe 5 për qind prej punëdhënësve, të cilat drejtpërdrejti do të shkojnë në llogarinë e kursimit të punëtorit. Këto të holla nuk mund të përdoren ose të shpenzohen nga qeveria ose nga bizneset dhe do t'u paguhen punëtorëve me rastin e pensionimit, në moshën 65-vjeçare.

Top


UNMIK Chronicle është botim i Sektorit për Informim Publik, UNMIK Prishtinë - Tel: (381.38) 504.604 ext. 5610, email: poultney@unmik.org