Botimi Nr. 19 - 4-10 mars 2002

4 mars

Pas marrëveshjes së javës së kaluar ndërmjet partive politike mbi formimin e qeverisë dhe të një skeme për ndarjen e pushtetit, anëtarët e Kuvendit të Kosovës zgjodhën kryetarin dhe kryeministrin. Ibrahim Rugova, kryetar i LDK-së, u zgjodh kryetar, kurse dr. Bajram Rexhepi, nga PDK-ja, u zgjodh kryeministër. Marrëveshja mbi ndarjen e pushtetit, dhe votimi në Kuvend, i dhanë fund bllokadës politike që pasoi pas zgjedhjeve të 17 nëntorit. Mbledhja e Kuvendit, në të cilën gjithashtu u miratuan ministrat e ri, ishte vazhdim i sesionit inaugurues që u mbajt më 10 dhjetor. Ministrat e ri janë: Ali Sadriu (LDK - Financa dhe Ekonomi), Rexhep Osmani (LDK - Arsim, Shkencë dhe Teknologji), Behxhet Brajshori (LDK - Kulturë, Rini dhe Sport), Zef Morina (PDSHK-LDK - Transport dhe Komunikim), Ali Jakupi (PDK - Tregti dhe Industri), Jakup Krasniqi (PDK - Shërbimet Publike), Ethem Çeku (AAK - Ambient dhe Planifikim Hapësinor), Ahmet Jusufi (AAK - Punë dhe Mirëqenie Sociale) dhe Numan Baliq (Vatan - Shëndetësi). Koalicioni Kthimi duhet ta identifikojë të nominuarin e vet për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

6 mars

PSSP Michael Steiner mbajti takimin e tij të parë me Nebojsha Çoviqin, kryeministër i Serbisë dhe kryetar i komitetit koordinues RFJ/Serbi për Kosovën. Z. Stenier tha më vonë se takimi ishte i hapur dhe i sinçertë dhe kishte të bënte me themelimin e rregullave bazë për bashkëpunimim e ardhshëm. Z. Stenier tha se "regullat e lojës ishin shumë të qarta ... Unë nuk do të përzihem në punët e Beogradit, dhe Beogradi nuk do të përzihet në punët e Prishtinës."

7 mars

PSSP Michael Steiner vizitoi Madridin dhe nxiti udhëheqësinë e Bashkësisë Evropiane për t'i përkrahur institucionet e përkohshme, të sapothemeluara, të vetëqeverisjes në Kosovë. Spanja momentalisht mban radhën e kryesisë së BE-së. Ministri i Punëve të Jashtme të Spanjës, Josep Pique, i cili kryeson Këshillin e Ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së, mirëpriti zgjedhjen e kryetarit dhe të qeverisë së Kosovës, dhe tha se BE-ja do të vazhdonte t'i përkrahte prioritetet e UNMIK-ut, përfshirë këtu zhvillimin ekonomik, luftën kundër krimit dhe krijimin e një shoqërie të drejtë dhe të sigurt.

KFOR-i dhe UNMIK-u bënë të ditur se më 15 mars do të fillojë një amnisti njëmujore për armë. Në bazë të Rregullores së UNMIK-ut 2001/17, posedimi i armëve pa Lejerautorizim për Armë është joligjor. Kjo është amnistia e dytë e KFOR-it/UNMIK-ut për armë. Nga njerëzit që i dorëzojnë armët e veta nuk do të kërkohet që të japin kurrfarë të dhënash për armët ose të dhënat e tyre personale.

8 mars

Dita Ndërkombëtare e Gruas u shënua me ndodhi të artit dhe të muzikës në Teatrin Kombëtar në Prishtinë. Duke folur në këtë ngjarje, PSSP Michael Steiner tha se, edhe pse Kosova ka shumë femra të kualifikuara në role udhëheqëse, ende na pret rrugë e gjatë. Në Kuvendin e Kosovës ka shumë femra të talentuara dhe me përvojë, tha z. Stenier, por nuk ka asnjë ministre. Vënia e themeleve për një paqe të qëndrueshme do të mund të arrihej vetëm nëpërmjet pjesëmarrjes së plotë dhe dhënies së kompetencave femrave të Kosovës, tha ai.

Qeveria e re miratoi programin e UNMIK-ut/KFOR-it për amnisti për armë. Në komunikatën e parë për shtyp, qeveria tha se ajo angazhohej për ta përkrahur sigurinë e tërë popullit të Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike. PSSP gjithashtu lëshoi një deklaratë në shenjë përkrahjeje për këtë amnisti. "Kosova më nuk është në luftë. Prandaj, ju nuk keni nevojë për armë; ato janë thjeshtë të rrezikshme," tha ai.

Top


UNMIK Chronicle është botim i Sektorit për Informim Publik, UNMIK Prishtinë - Tel: (381.38) 504.604 ext. 5610, email: poultney@unmik.org