Botimi nr. 2 - 22 tetor 2001


15 tetor

Duke iu drejtuar gazetarëve në Prishtinë, ushtruesi i detyrës së PSSP-së, Tom Koenigs, tha se Çmimi Nobel për Paqe, me të cilin u shpërblyen KB-të dhe Sekretari i Përgjithshëm Kofi Annan ndihmoi që të përtërihet angazhimi i UNMIK-ut për mbajtjen e zgjedhjeve të qeta dhe demokratike më 17 nëntor. Ai i nxiti banorët e Kosovës që t'i përqafojnë vlerat e barazisë ndërmjet racave, religjioneve, grupeve etnike dhe gjinive, vlerat që përkrahin tolerancën, shumëllojshmërinë dhe respektin për të drejtat e njeriut.
Bojan Niçiq, një serb i Kosovës, banor i Çagllavicës, mori letërnjoftimin e njëmiliontë të UNMIK-ut në një ceremoni që u mbajt në Graçanicë. Ushtruesi i detyrës së PSSP-së, Tom Koenigs, tha se, edhe pse administrimi nuk do të thoshte që njerëzit duhej të mirrnin pjesë në zgjedhje, ata kishin një "obligim politik dhe demokratik" për të votuar.
Nënkomisioni i zgjedhjeve për ankesa dhe apele i dënoi tri subjekte politike që i shkelën rregullat e zgjedhjeve në Kosovë. AAK dhe PDK u dënuan me nga 250 DM për shkak se nuk e lajmëruan policinë para se ta mbanin tubimin. Partia Popullore Turke e Kosovës u dënua me 1,000 DM pasi në mënyrë mashtruese mblodhi nënshkrime të falsifikuara për vërtetimin e konkurrimit të vet.
Shtylla II e UNMIK-ut bëri të ditur se do të akreditohen mijëra vëzhgues, që nuk janë anëtarë të OSBE-së, për t'i vëzhguar zgjedhjet për Kuvend. Ata përbëjnë një ekip të vëzhguesve ndërkombëtarë dhe dy grupe të vëzhguesve vendorë, të zgjedhur nga shoqëria civile e Kosovës, sektori i OJQ-ve dhe nga subjektet jo-politike.


16 tetor

Këshilli i Përkohshëm Administrativ diskutoi projektrregulloren mbi flamujt zyrtar, por gjithashtu edhe strukturën e Kuvendit dhe futjen e euros në përdorim.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve aprovoi listën e kandidatëve të 25 subjekteve politike që konkurrojnë në zgjedhjet e ardhshme. Gjithsej janë aprovuar 1,282 kandidatë.
Grupi i Kontaktit mbi personat e zhdukur diskutoi projektprotokolin mbi riatdhesimin tejkufitar të kufomave të identifikuara, që do të jetë bazë për të gjitha riatdhesimet e ardhshme në të dy anët e kufijve administrativë.

17 tetor

Zëvendëskryeministri serb Nebojsha Çoviq vizitoi Kosovën dhe u takua me udhëheqësit e lartë të UNMIK-ut, e gjithashtu edhe me udhëheqësit e subjekteve politike të Kosovës. Ndër çështjet që u diskutuan ishin situata e pakicave, siguria dhe liria e lëvizjes, të burgosurit, të arrestuarit dhe të zhdukurit, të drejtat pronësore, çështjet sociale, etj.


18 tetor

PSSP Hans Haekkerup nënshkroi Rregulloren 2001/27 mbi Ligjin Themelor të Punës në Kosovë, duke formuluar ligjin themelor që qeveris marrëdhëniet ndërmjet punëtorit dhe punëdhënësit dhe të drejtat dhe obligimet e tyre përkatëse.
Projektrregullorja mbi raportin financiar iu dërgua selisë së KB-ve në Nju Jork për miratim përfundimtar. Rregullorja e re do ta themelojë bordin e Kosovës për raportin financiar dhe një regjim për raportin financiar të organizatave të biznesit. Ajo gjithashtu do ta përfshijë vërtetimin e kontabilistëve dhe të kontrollorëve të liçencuar.


19 tetor

Provimi i judikaturës në Kosovë u mbaj për herë të parë pothuaj pas një dekade. OSBE-ja i organizoi orët e trajnimit për provim, kurse provimin e udhëhoqi Departamenti i UNMIK-ut për Çështje të Drejtësisë.· Ndërmarrja e parë që mori hua nga unioni i përkohshëm kreditor-prodhuesi i mobileve "Galanteria" në Podujevë-kremtoi 14-vjetorin e vet dhe i paraqiti prodhimet dhe pajisjet e veta që i mori nëpërmjet huasë.

Top


UNMIK Chronicle është botim i Sektorit për Informim Publik, UNMIK Prishtinë - Tel: (381.38) 504.604 ext. 5610, email: ellwood@un.org