Botimi Nr. 20 - 11-17 mars 2002

11 mars

PSSP Michael Steiner ishte në Bruksel, ku u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së Lord Robertson, dhe iu drejtua Këshillit të Bashkësisë Evropiane për Çështje të Përgjithshme. Kjo ishte ndalja e parë e udhëtimit njëjavësh, me interes të drejtpërdrejtë në zhvillimet në Kosovë, nëpër disa kryeqytete. Qëllimi i udhëtimit ishte "të lobonte për Kosovën" dhe ta theksonte rëndësinë e përkrahjes së vazhduar ndërkombëtare mbi nivelet politike dhe ekonomike për Kosovën dhe për institucionet e reja të vetëqeverisjes së përkohshme. ZPSSP Charles Brayshaw ishte ushtrues detyre i PSSP-së gjatë javës.

13 mars

PSSP mbajti takime në Uashington DC me Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve Colin Powel dhe me këshilltarin e SHBA-ve për Siguri Kombëtare Condeleeza Rice. Ai shkurtimisht i informoi zyrtarët amerikanë për përparimin e UNMIK-ut në zbatimin e Rezolutës 1244 të KSKB-së dhe për formimin e institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes (IPVQ). Ata gjithashtu diskutuan planet dhe masat e UNMIK-ut për t'iu kundërvënë krimit të organizuar dhe për t'i parandaluar organizatat dhe individët që janë të lidhur me terrorizëm nga përdorimi i Kosovës si bazë ose zonë tranziti. Ata gjithashtu diskutuan prospektet për kthimin e personave të zhvendosur, por edhe si të ngadalësohet ekzodi i mëtutjeshëm i pakicave.

14 mars

Pjesa e tretë e udhëtimit të PSSP-së Michael Steiner e shpuri atë në Londër për takime me sekretarin e Mbretërisë së Bashkuar për punë të jashtme Jack Straw dhe me ministrin britanik të Punëve të Jashtme Dennis McShane.

15 mars

Kryeministri Bajram Rexhepi hapi mbledhjen e parë zyrtare të kabinetit, duke vënë përpara prioritetet për IPVQ-të. Nëntë prej dhjetë ministrave të kabinetit në IPVQ ishin të pranishëm. Ministri i bujqësisë, pylltarisë dhe zhvillimit rural, i cili do të jetë serb i Kosovës, duhet të emërohet. ZPSSP Charles Brayshaw, i cili ishte mysafir në këtë mbledhje, tha se populli i Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare po pritnin që qeveria e re ta përkrahte respektin për sundimin e të drejtës dhe pajtimin me të. "Në bazë të sundimit të së drejtës, njerëzit do ta ushtrojnë lirinë e tyre dhe të drejtën e tyre për ta ndërtuar një Kosovë përparimtare dhe stabile për të mirën e të gjithëve," tha ai. "Sfida e parë me të cilën ju përballeni është krijimi i një administrate të paanshme dhe efikase, që i shërben tërë popullit të Kosovës." Dr. Rexhepi premtoi një qeveri të transparencës së plotë, që punon në bashkëpunim me UNMIK-un dhe KFOR-in. Secili ministër do të mbahet personalisht përgjegjës për punën e vet. Ai tha se qeveria do të përqëndrohet në këto prioritete: zhvillimi ekonomik; reformat në arsim; integrimi i pakicave; kompletimi i infrastrukturës legjislative; kurajimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme; kërkimi i investimit nga jashtë; përmirësimi i cilësisë së kujdesit shëndetësor dhe rritja e shërbimeve publike. Ai tha se zyra e tij posaçërisht do t'i kurajonte kërkesat nga pakicat për vende pune në strukturat ekzekutive.

UNMIK-u dhe KFOR-i filluan amnistinë njëmujore për armë, me porosinë kryesore se populli që posedon armë ilegale duhet "t'i dorëzojë të gjitha armët dhe ta bëjë Kosovën vend të sigurt për të gjithë." Personat që armët i dorëzojnë para 15 prillit nuk do të ndiqen. KFOR-i i përkujton njerëzit që të mos dërgojnë mjete shpërthyese, siç janë minat dhe granatat e dorës, në pikat për grumbullimin e armëve, por, në vend të kësaj, ta informojnë KFOR-in dhe Policinë e UNMIK-ut se ku gjenden ato, të cilët më pas do ta rregullojnë mbledhjen e tyre.

PSSP Michael Steiner ishte në Moskë për t'i vazhduar bidsedimet mbi rëndësinë e përkrahjes ndërkombëtare për Kosovën. Ai bisedoi me ministrin e punëve të jashtme të Rusisë Igor Ivanov. Z. Steiner u kthye në Prishtinë në fundjavë.

Top


UNMIK Chronicle është botim i Sektorit për Informim Publik, UNMIK Prishtinë - Tel: (381.38) 504.604 ext. 5610, email: poultney@unmik.org