Botimi Nr. 21 -18 - 24 Mars 2002

18 Mars

PSSP Michael Steiner udhëtoi për në Shkup për bisedime me kryetarin e IRJM-së Boris Trajkovski dhe arriti një marrëveshje për themelimin e një Komisioni të Përbashkët të Ekspertëve për të diskutuar çështjet praktike të dala nga problemet e kufirit. Pas mbledhjes, PSSP Michael Steiner iu tha mediave se marrëveshja e kufirit ndërmjet IRJM-së dhe Republikës Federale të Jugosllavisë e nënshkruar në shkurt 2001, duhet të respektohet. Ai shtoi se: "Ne të dy u pajtuam për nevojën e marrjes parasysh të jetërave të njerëzve të rëndomtë." Komisioni nuk do të merret me caktimin e kufijve por me problemet praktike në terren. Komisioni pritet të takohet sa më shpejtë që të jetë e mundur. Bashkëkryesuesi i UNMIK-ut në komision do të jetë Jean Cady, i cili është kryesues i "Shtyllës I", krahu i Policisë dhe Drejtësisë i Misionit të KB-së në Kosovë. Z. Cady, gjithashtu ka mandat të diskutojë bashkëpunimin policor me autoritetet e IRJM-së dhe çështjen e pranimit të targave, dokumenteve të udhëtimit dhe vizave të Kosovës.

UNMIK-u në bashkëpunim me UNHCR-in, njoftoi se do të fillojë regjistrimin dhe ri-regjistrimin e personave nga IRJM me mbrojtje të përkohshme në Kosovë. Kjo detyrë, e cila do të zbatohet përmes Qendrave Komunale të Regjistrimit Civil në pesë regjionet (Gjilan, Mitrovicë, Pejë, Prishtinë dhe Prizren), do të fillojë të hënën më 25 mars. Një numër i konsiderueshëm i këtyre personave kanë arritur në Kosovë gjatë fillimit të vitit 2001, dhe ishin regjistruar me të arritur. Një pjesë e madhe e tyre tani janë kthyer në shtëpi për shkak të situatës së përmirësuar në IRJM, por UNMIK-u dhe UNHCR-i duhet të marrin informata të sakta mbi të gjithë personat, të cilët ikën nga konflikti në IRJM dhe të cilët ende jetojnë në Kosovë në mënyrë që të vazhdojnë planifikimin dhe sigurimin e shërbimeve publike për ta.

19 Mars

PSSP Michael Steiner mbajti një mbledhje "intensive dhe të frytshme" me anëtarët serbë të Kuvendit të Kosovës. Tri çështjet kryesore të diskutuara ishin pjesëmarrja e serbëve në qeveri në pajtueshmëri me të drejtën e tyre kushtetuese; çështja e të kthyerve; dhe situata e sigurisë në Kosovë. Në një konferencë për shtyp pas bisedimeve, Z. Steiner tha se ai kishte për qëllim të vazhdojë më rregullisht dialogun me anëtarët e zgjedhur të Kuvendit. Sa i përket pjesëmarrjes së serbëve në Qeverinë e Përkohshme, Z. Steiner shpjegoi se anëtarëve serbë të Kuvendit i është ofruar Ministria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, dhe një post i sapokrijuar i një asistenti të ministrit përgjegjës për bashkëpunim në çështjet e të kthyerve dhe mbi çështjet e bashkësive, në kuadër të zyrës së Kryeministrit.

PSSP Michael Steiner nënshkroi Rregulloren 2002/6 mbi masat e fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit, e cila do të ndihmojë luftën kundër krimit të organizuar dhe krimeve të tjera në Kosovë. Rregullorja do t'iu mundësojë autoriteteve të zbatimit të ligjit të përdorin masa teknike siç janë ndërprjerja e telekomunikimeve, përshirë "përgjimin shëtitës", kontrollin e gjërave postale, vëzhgimin e fshehtë fotografik dhe të videos në shtëpi private, përdorimin e pajisjeve të përcjelljes ose të pozicionimit, vëzhgimin e fshehtë të bisedave, ndërprerjen e komunikimeve me një rrjetë të kompjuterit, hetimet sekrete, matjen e thirrjeve telefonike dhe zbulimin e të dhënave financiare. Rregullorja, e cila do të jetë në fuqi për një periudhë fillestare njëvjeçare është projektuar ashtu që t'i përshtatet standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

21 Mars

Qeveria e Kosovës u takua për herë të dytë. Ajo vazhdoi diskutimin mbi prioritetet dhe përparimin për sa i përket Planit të Qeverisë dhe rekomandoi se do të konsultohet me partitë politike dhe anëtarët e shoqerisë civile mbi parimet e Planit. Qeveria tha se ka ndërmend të sigurojë transparencë dhe pjesëmarrje të plotë të të gjithë segmenteve të shoqërisë. Gjithashtu u mirëprit edhe takimi i PSSP-së me Kryetarin e IRJM-së Trajkovski.

Top


UNMIK Chronicle është botim i Sektorit për Informim Publik, UNMIK Prishtinë - Tel: (381.38) 504.604 ext. 5610, email: poultney@unmik.org