2 prill
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) bëri të ditur për
miratimin e Rregullores Zgjedhore Nr. 1/2002, e cila do të qeverisë
mirësjelljen dhe aktivitetet e fushatës së të gjithë
atyre që konkurrojnë në zgjedhjet e dyta komunale në
Kosovë më vonë këtë vit. Të gjitha subjektet
politike që konkurrojnë për të marrë pjesë
në zgjedhje duhet të pajtohen për t'iu përmbajtur
këtij kodi të mirësjelljes dhe në mënyrë
aktive të dekurajojnë çdo shkelje. Ky kod është
hartuar për ta parandaluar dhunën, kërcënimin dhe
korrupcionin, në mënyrë që ato të mos e dëmtojnë
fushatën zgjedhore. Ai ndalon përdorimin e gjuhës që
synon të provokojë dhunë; nxjerr jashtë ligjit përdorimin
e mitos dhe kërcënimin për të fituar përkrahje;
parandalon eksponimin e armëve në tubime dhe tërheq vërejtjen
ndaj ndërhyrjes në materialet e fushatës, siç
janë posterët e shpërndarë nga subjektet kundërshtare
politike. Ndërsa pranon të drejtën e subjekteve politike
për të mbajtur tubime dhe ngjarje publike, kodi i obligon
ato që t'i njoftojnë së paku pesë ditë më
parë organet policore në mënyrë që të
mund të bëhen marrëveshjet përkatëse të
sigurisë.
Në bazë të Rregullores Zgjedhore Nr. 1/2002, KQZ themeloi
Komisionet Komunale të Zgjedhjeve (KKZ), si organe profesionale
dhe jopolitike, të cilat do të duhej të luanin rol të
rëndësishëm në përgatitjet për zgjedhjet
transparente dhe efikase në të 30 komunat e Kosovës.
KKZ-të do t'i këshillojnë subjektet politike për
të drejtat dhe obligimet e tyre; do t'u sigurojnë informata
votuesve të të gjitha bashkësive; do t'u sigurojnë
informata kuvendeve komunale për aktivitetet administrative zgjedhore;
do ta caktojnë dhe trajnojnë personelin për shërbimin
e votuesve dhe komitetet e stacioneve të votimit; do t'i bëjnë
përgatitjet teknike në stacionet e votimit; do të sigurojnë
udhëheqje të drejtë të procedurave të votimit
dhe numërimit; dhe do ta organizojnë mbledhjen e materialeve
të zgjedhjeve pas votimeve.
Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi zyrtarisht dha dorëheqje
nga posti i anëtarit të Kuvendit për ta përqëndruar
vëmendjen e tij të plotë në punën që merr
shumë kohë, si shef i ekzekutivit.
3 prill
PSSP Michael Steiner vizitoi për herë të parë Beogradin
në cilësinë e PSSP-së. Atje, ai u takua me kryetarin
e RFJ-së Vojisllav Koshtunica, zëvendëskryeministrin
serb Nebojsha Çoviq dhe me partiarkun Pavle. PSSP Steiner dhe
Koshtunica u pajtuan që kthimet ishin çështje e rëndësishme,
por se nuk do të ishte e lehtë të garantohej kthimi i
tyre. Megjithatë, ndërsa kthimet nuk mund të bëheshin
brenda natës, situata e përgjithshme në Kosovë ishte
në përmirësim e sipër. Së pari, z. Steiner
propozoi kohët e fundit që një serb do të duhej
të ishte koordinator ndërministror për kthime në
qeverinë e Kosovës. Së dyti, një këshilltar
i lartë për kthimet në zyrën e PSSP-së gjithashtu
do të ishte serb i Kosovës, dhe së treti, UNMIK-u dhe
qeveria e Kosovës do ta zhvillonin një projekt të përbashkët
për kthimet, gjë që do t'i shpinte gjërat përpara.
Kthimet ishin nën kompetencat e rezervuara të PSSP-së,
kurse bashkësia ndërkombëtare ishte përgjegjëse
për t'i mbikëqyrur dhe kurajuar ato. "Kthimet janë
obligim dhe detyrë imja," u tha z. Steiner gazetarëve
në Beograd.
4 prill
Anëtarët e Kuvendit të Kosovës morën pjesë
në një konferencë mbi "Parlamentarizmin në
termat praktike," të cilën e organizuan Misioni i OSBE-së
në Kosovë dhe Instituti Demokratik Kombëtar. Ngjarja,
të cilën e hapën Borut Pahor, kryetar i parlamentit të
Sllovenisë, dhe Nexhat Daci, kryetar i Kuvendit të Kosovës,
u përqëndrua në procedurat për hartimin e legjislacionit,
për mbikëqyrjen e ekzekutivit dhe për themelimin e një
parlamenti funksional dygjuhësor.
6 prill
PSSP Michael Steiner u takua me kryeministrin e Shqipërisë
Pandeli Majko në Prishtinë. Ata diskutuan çështjet
e lidhura me përmirësimin e stabilitetit rajonal dhe bashkëpunimin.
Top