8 prill
22 policë të
Policisë së UNMIK-ut u lënduan në trazirat në
Mitrovicë, disa prej tyre lehtë, kurse një rëndë.
Gjendja e tij më vonë u stabilizua. Plagët ishin shkaktuar
nga granatat e hedhura nga një turmë e njerëzve, që
filluan të bënin trazira pas një operacioni të kontrollimit
të trafikut. Në polici u shti me armë automatike. PSSP
tha më vonë se, ndërsa këto akte fizikisht e lëndojnë
policinë në uniformë, politikisht ato i lëndojnë
interesat legjitime të serbëve në Kosovë.
UNMIK-u së
shpejti do të fillojë t'i lëshojë dokumentet e udhëtimit
për fëmijët nën moshën 16-vjeçare, u
bë e ditur dje në Prishtinë. Kjo pasoi pasi që PSSP
Michael Steiner nënshkroi udhëzimin administrativ 2002/6.
Data për pranimin e kërkesave për dokumente për
fëmijët nën moshën 16-vjeçare dhe zbatimi
i procedurave të tjera, të përcaktuara në udhëzimin
administrativ, do të shpallen së shpejti. Taksa administrative
prej 21 euro duhet të paguhet për secilën kërkesë.
9 prill
PSSP Michael Steiner
shkoi në Mitrovicë për t'i vizituar policët e plagosur
në trazirat që ndodhën të hënën në
pjesën veriore të qytetit. Të plagosurit janë duke
u mjekuar në spitalin ushtarak francez. Kryeministri i Polonisë,
Leszek Miller, udhëtoi posaçërisht për t'u takuar
me policët e plagosur.
Takimi i tretë
i grupit punues të nivelit të lartë (GPNL) u mbajt në
Prishtinë. GPNL i bashkon PSSP-në Michael Steiner, gjeneralin
e KOMKFOR-it Marcel Valentin dhe një delegacion nga Beogradi, të
udhëhequr nga dr. Nebojsha Çoviq, kryetar i qendrës
koordinuese të RFJ-së/Serbisë. Duke folur pas mbledhjes,
z. Steiner tha se kishte përshtypjen që Beogradi tani "përkrah
propozimet e mia për pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës
në qeveri, në institucionet e përkohshme." Ai shtoi
se koalicioni Kthimi do ta marrë vendimin përfundimtar për
pjesëmarrje në institucionet e përkoshme të vetëqeverisjes.
Në mbledhje u diskutua gjithashtu edhe njohja e targave të
Kosovës në Serbi, bashkëpunimi policor, transferimi i
të burgosurve dhe furnizimi me energji elektrike. PSSP mbajti një
takim me Kthimin më vonë gjatë ditës.
10 prill
PSSP e shoqëroi
gjeneralin e KOMKFOR-it Marcel Valentin në Janjevë për
ta shënuar hapjen e një lehtësire të re për
shkatërrimin e armëve. Në këtë lehtësirë
do të shkatërrohen armët e padëshirueshme që
gjenden në Kosovë, përfshirë këtu edhe armët
e mbledhura gjatë fushatës së amnistisë për
armë, e cila përfundon të hënën. PSSP Michael
Steiner dhe gjenerali Marcel Valentin, që të dytë, simbolikisht
hodhën nga një armë në kremator.
12 prill
PSSP ia dërgoi
një letër peshkopit Artemije për çështje
të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës,
përfshirë këtu paqen dhe stabilitetin, sundimin e të
drejtës, kthimet dhe dhunën e kohëve të fundit në
Mitrovicën veriore. Z. Steiner do të takohet me peshkopin
Artemije të martën e ardhshme në monastirin Visoki Deçani.
Në letër, të cilën ia dorëzoi shefi i Policisë
së UNMIK-ut Stefan Feller, PSSP tha se tani ishte shansi për
të arritur përparim për kthimin e refugjatëve dhe
të personave të zhvendosur. Z. Steiner shtoi se ai e shikonte
situatën në Mitrovicë me shqetësim të madh.
"Ngjarjet e kohëve të fundit treguan edhe një herë
se një grup i vogël i njerëzve që pretendon t'i
mbrojë interesat e anëtarëve të bashkësisë
serbe në Mitrovicë, por që në të vërtetë
i ndjek vetëm interesat vetjake personale, minon sundimin e të
drejtës në këtë komunë." Z. Steiner shtoi
se "në të mirë të popullit të Kosovës
dhe të pjesës dërrmuese të serbëve të
Kosovës, ne duhet ta rikthejmë sundimin e të drejtës.
Jam i sigurt se kjo përpjekje do ta ketë përkrahjen e
udhëheqësve të vërtetë të bashkësisë
së serbëve të Kosovës. Unë besoj se restaurimi
i kulturës së sundimit të së drejtës do të
kontribuojë në drejtim të përparimit për kthime."
Top