15 prill
Të hënën,
PSSP Michael Steiner vizitoi Sarajevën, ku ai u takua me zyrtarë
të lartë të bashkësisë ndërkombëtare
dhe të administratave vendore. Ky udhëtim ishte pjesë
e programit të tij për t'i vizituar fqinjtë e Kosovës,
dhe posaçërisht për të mësuar më tepër
për përvojën boshnjake për kthimet. Ky ishte një
udhëtim sentimental, pasi z. Steiner më parë kishte qenë
Zëvendës i Përfaqësuesit të Lartë në
Sarajevë.
16 prill
Gjashtë familje
të hashkalinjëve u kthyen në shtëpitë e veta
në Vushtrri. Kthimi i tyre në Kosovë ishte planifikuar
gjatë vitit të kaluar dhe ishte përkrahur nga organet
komunale, por gjithashtu edhe nga popullata vendore.
PSSP Michael Steiner
vizitoi monastirin në Deçan, ku ai u takua me peshkopin
Artemije dhe me atin Pavlle. Ata diskutuan për çështjet
si situata në Mitrovicë, pjesëmarrja e serbëve në
institucionet vetëqeverisëse dhe kthimin e personave përkohësisht
të zhvendosur.
17 prill
Në mëngjes,
PSSP Michael Steiner u takua me Nebojsha Çoviqin, kryetar i qendrës
koordinuese RFJ/Serbi për Kosovë. Pas takimit, Çoviq
konfirmoi se serbët e Kosovës ishin pajtuar për propozimet
e PSSP-së për pjesëmarrje në qeveri. Sa për
situatën në Mitrovicë, z. Steiner tha se shumetniciteti
dhe integrimi ishin dy shtyllat në të cilat bazohet puna e
UNMIK-ut. Z. Steiner sqaroi se me shumetnicitet donte të thoshte
që bashkësia shumicë duhet t'i pranojë bashkësitë
pakicë dhe të punojë që bashkësitë pakicë
të qëndrojnë në Kosovë. Çështja
e integrimit, ai tha, i drejtohej bashkësive pakicë, të
cilat duhet të marrin pjesë në të gjitha institucionet,
dhe se nuk mund të ketë institucione paralele.
Të njëjtën
ditë, PSSP Michael Steiner ia paraqiti kryeministrit Bajram Rexhepi
projektligjin për privatizim. Ky projektligj parasheh krijimin
e të ashtuquajturit Agjencion i Kosovës për Mirëbesim,
i cili do t'i administrojë ndërmarrjet shoqërore dhe
dhënien e tyre investuesve privatë. Qeveria ka një muaj
në dispozicion për ta komentuar këtë çështje.
Përfaqësuesi
i lartë i BE-së për politikë të përbashkët
dhe siguri, Javier Solana, vizitoi Kosovën dhe u takua me PSSP-në
Michael Steiner, komandantin e KFOR-it, gjenerallejtënant Marcel
Valentin, dhe me udhëheqës të Kosovës. Duke folur
pas takimit me z. Steiner, ai tha se çmonte përparimin që
ishte arritur në Kosovë që nga vizita e tij e fundit.
18 prill
PSSP Michael Steiner
u foli studentëve të Universitetit të Prishtinës.
Nën moton "Një gjeneratë e re, një ekonomi
e re," ai paraqiti planin e UNMIK-ut për privatizim dhe ringjalljen
e ekonomisë së Kosovës. Ai i përshkroi shumicën
e ndërmarrjeve shoqërore si "dinosaurë" dhe
theksoi nevojën për privatizimin e ndërmarrjeve të
qëndrueshme dhe për themelimin e pronësisë së
qartë.
19 prill
Prokurorja e posaçme
e Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë,
Carla del Ponte, vizitoi Kosovën dhe u takua me PSSP-në Michael
Steiner, kryetarin Ibrahim Rugova, kryeministrin Bajram Rexhepi dhe
me komandantin e KFOR-it, gjenerallejtënant Marcel Valentin. Duke
iu përgjigjur një pyetjeje, ajo tha se zyra e saj kishte hapur
tri hetime kundër ish-anëtarëve të UÇK-së
dhe se aktpadia e parë do të lëshohet këtë
vit. Z. Steiner tha se nuk ekziston nënshtetësi kur është
fjala për krime të luftës.
Komandanti i KFOR-it,
gjenerallejtënant Marcel Valentin, dhe PSSP Michael Steiner bënë
të ditur numrin e armëve të mbledhura gjatë programit
të amnistisë që përfundoi të hënën.
Në këtë shifër hyjnë: 516 pushkë, përfshirë
këtu 24 pushkomitralozë, 55 armë të rënda,
përfshirë këtu minahedhësit, armët anti-tank,
predhat dhe raketat, 725 granata, 94 mina dhe 60,095 fishekë dhe
artikuj të ndryshëm.
Top