Botimi Nr. 26 - 22- 28 prill 2002

24 prill

Një tërmet, me intensitet mbi pesë shkallë të Rihterit, goditi Kosovën rreth orës 13:00. Një njeri vdiq dhe së paku 100 të tjerë u lënduan në Gjilan, qytet në Kosovën lindore. Njeriu vdiq në rrugën kryesore të Gjilanit kur copëra të minares së xhamisë më të madhe në qytet, e cila po rrëzohej, ranë mbi të. Nja 50 veta kishin eshtra të thyer dhe lëndime nga copat e xhamave që kërcenin nga ndërtesat e shumta që po dëmtoheshin në qytetin e përzier etnikisht. Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, KFOR-i i SHBA-ve, Shërbimi Policor i Kosovës dhe Policia e UNMIK-ut, administrata komunale dhe administrata rajonale e UNMIK-ut reaguan ndaj tërmetit. Gjatë natës, tërmeti u ndie edhe në pjesën tjetër të Kosovës. Disa njerëz fjetën jashtë shtëpive të tyre, në vetura ose në tenda.

PSSP Michael Steiner mbajti një fjalim para Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork. Ai foli për atë që është arritur në UNMIK, për prioritetet për të ardhmen e afërt dhe përcaktoi etapat që ishte duhur të arriheshin para fillimit të diskutimit mbi statutin e Kosovës. Këshilli i Sigurimit mirëpriti fjalimin e tij dhe e siguroi z. Steiner se do ta ketë përkrahjen e tij të plotë.

25 prill

ZPSSP Charles Brayshaw vizitoi Gjilanin për t'u takuar me personat e lënduar dhe për t'i parë vetë dëmet që i ishin shkaktuar qytetit nga tërmeti. Brayshaw vizitoi qendrën e qytetit, e cila pësoi më së shumti dëme gjatë tërmetit, parkun, në të cilin ishin ngritur strehimoret për personat shtëpitë e të cilëve ishin dëmtuar dhe spitalin, ku ai u takua me mjekët, infermieret dhe personat e lënduar. Ai përgëzoi personelin e spitalit për "punën e mrekullueshme" që kishin bërë pasi personat e lënduar kishin filluar të arrinin në spital.

Prokurori ndërkombëtar për Prizren ngriti një aktpadi që i ngarkon policin e UNMIK-ut, Martin Almer, dhe dy pjesëtarë të SHPK-së, Feriz Thaçin dhe Isa Ullurin, për lëndime të rënda trupore, për lëndime të lehta trupore, për marrje të deklaratës me detyrim, për malltretim gjatë kryerjes së detyrave, për shpërdorim të zyrës dhe për dhënie të një deklarate të falsifikuar - që dalin nga keqtrajtimi i një të burgosuri më 25 shkurt 2002. Gjatë aktpadisë, prokurori kërkoi burgosjen e z. Almer. Pasi z. Almer momentalisht nuk gjendet në Kosovë, prokurori ka kërkuar lëshimin e urdhërarrestit ndërkombëtar.

26 prill

Një shqiptar u vra, kurse dy të tjerë u lënduan gjatë një të shtëne me trupat maqedone afër kufirit të Maqedonisë me Kosovën. Sipas një zëdhënësi të armatës, personi kishte hapur zjarr në një patrullë kufitare nga një kamion me të cilin ishte përpjekur ta kalonte kufirin ilegalisht. Patrulla ktheu zjarrin dhe më pas u ndodh nën zjarr nga grupi i dytë i personave nga ana tjetër e kufirit në Kosovë. Trupat i shpërndanë të dy grupet. Një njeri i vdekur dhe dy persona të plagosur u gjetën, kurse pesë të tjerë u zunë.

27 prill

Një polic i SHPK-së nga Mitrovica veriore u sulmua nga një grup i madh i personave të panjohur gjersa ishte duke shkuar në punë. Ata e rrahën atë dhe ia vodhën automjetin. Polici u dërgua në spital, kurse policia është duke i kryer hetimet lidhur me këtë rast.

28 prill

Disa tërmete sekondare e goditën rajonin lindor të Kosovës, posaçërisht qytetin e Gjilanit. Asnjë njeri nuk u lëndua, megjithatë, dëmet e shtëpive ishin të mëdha.

Top


UNMIK Chronicle është botim i Sektorit për Informim Publik, UNMIK Prishtinë - Tel: (381.38) 504.604 ext. 5610, email: poultney@unmik.org