22 tetor
OSBE-ja shprehu
brengosje të thellë ndaj sulmit të 19 tetorit afër
Skenderajt, në të cilin dy persona u vranë-njëri
prej tyre gazetar i gazetës Bota Sot-dhe një tjetër u
plagos rëndë. Zëvendësi i PSSP-së, Daan Everts,
vuri në pah se "incidenti ndodhi gjatë fushatës
zgjedhore."
PSSP Hans Haekkerup
informoi shkurtimisht Këshillin e Përkohshëm Administrativ
(KPA) përkitazi me planet e tij për ta vizituar kryetarin
e RFJ-së Vojisllav Koshtunica më vonë gjatë kësaj
jave, për ta kërkuar përkrahjen e tij për pjesëmarrjen
e serbëve të Kosovës në zgjedhjet e nëntorit.
23 tetor
KPA u pajtua për ta mbajtur një konsultim më të
gjërë me përfaqësuesit e bashkësive mbi projektrregulloren
për përdorimin e flamujve dhe të simboleve në ndërtesat
publike. Kjo projektrregullore parasheh që vetëm flamuri i
KB-ve mund të valojë në ndërtesën e Kuvendit.
Flamujt e bashkësive që përfaqësohen në Kuvend
mund të vendosen brenda dhe në hyrje.
24 tetor
Gjatë vizitës së tij dyditëshe në Beograd,
PSSP Hans Haekkerup u takua me zyrtarët më të lartë
të Jugosllavisë dhe të Serbisë, përfshirë
këtu kryetarin Koshtunica, kryeministrin Peshiq dhe zëvendëskryeministrin
serb Çoviq, e gjithashtu edhe me patriarkun e kishës ortodokse
serbe, atin Pavlle. Ai gjithashtu pati diskutime me ambasadorët
e Bashkësisë Evropiane, të SHBA-ve dhe të Federatës
Ruse.
Clint Williamson, nga SHBA-të, u emërua drejtor i ri
i Departamentit të UNMIK-ut për Çështje të
Drejtësisë. Ai vjen nga Departamenti i Drejtësisë
i SHBA-ve. Ai punoi shtatë vjet në Tribunalin Ndërkombëtar
për Krime të Luftës për ish-Jugosllavinë.
Një ushtar i KFOR-it rus u qëllua dhe vra afër
Kamenicës. Policia ushtarake e KFOR-it filloi hetimet.
25 tetor
Si përgjigje ndaj hyrjes joligjore të mallrave në
Portën 6 (Pika hyrëse në Muçibabë) në
rajonin e Gjilanit, Policia e UNMIK-ut themeloi një prani të
përhershme për ta parandaluar trafikun komercial të dyshuar
për aktivitete të kontrabandës. Përveç kësaj,
Shërbimi Doganor i UNMIK-ut themeloi një njësi mobile
doganore për t'i patrulluar pikat e ndryshme hyrëse në
Kosovë.
26 tetor
OSBE-ja theksoi se ishte shumë e shqetësuar që
autoritetet jugosllave ende nuk kanë miratuar përkrahjet teknike
për zgjedhje. Me vetëm 22 ditë që kanë mbetur,
përgatitjet operative do të duhej të kishin filluar shumë
kohë më parë, pavarësisht nga vendimi politik për
ta miratuar apo për të mos e miratuar pjesëmarrjen në
zgjedhje.
Shtylla IV botoi për bashkësinë e donatorëve
dokumentin "Prioritetet strategjike për ndihmë në
strehim në vitin 2001." Ky dokument ofron një pasqyrë
komplete të nevojave të tjera të Kosovës për
strehim dhe është hartuar për t'u ndihmuar donatorëve
në definimin e nivelit të tyre të ndihmës përkitazi
me strehimin. Theksi vihet në sigurimin e ndihmës për
më të cenuarit.
UNMIK-u bëri të ditur se Rregullorja e vet 2001/28,
që u nënshkrua së voni dhe që ka të bëjë
me të drejtat e personave të arrestuar, do të hyjë
në fuqi më 1 nëntor 2001. Kjo rregullore garanton një
grup të madh të të drejtave, siç është
e drejta për të qenë i informuar për shkaqet e arrestimit,
e drejta për të heshtur, e drejta për përkthyes,
e drejta për ndihmën e avokatit pa pagesë, e drejta për
t'i lajmëruar anëtarët e familjes dhe e drejta për
kontrollim ose trajtim mjekësor.
Top