20 maj
PSSP Michael Steiner
u takua me Ministren e re franceze të Mbrojtjes, zj. Michelle Alliot-Marie,
në Prishtinë. Palët diskutuan çështjet e
interesimit të ndërsjellë.
Departamenti i UNMIK-ut
për Drejtësi mbajti një sesion për ndarjen e informatave
mbi mundësitë e punësit për gjykatësit dhe
prokurorët serbë në Kosovë. Në këtë
ndodhi mori pjesë Jean Cady, kryesues i Shtyllës së UNMIK-ut
për Polici dhe Drejtësi.
21 maj
Departamenti i Ambientit
i Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor
mbajti "Konferencën e tretë të Shëndetit Ambiental:
Rasti i Obiliqit," në të cilën u diskutuan problemet
kryesore ambientale të shkaktuara nga kompleksi industrial i Obiliqit.
Ethem Çeku, Ministër i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor,
dhe Fadil Ismajli, ushtrues i detyrës së drejtorit të
KEK-ut, morën pjesë në këtë konferencë.
Gjatë një
vizite shtëpive të familjeve të ashkalinjëve të
Kosovës, që sapo u kthyen, PSSP Michael Steiner filloi dokumentin
e tij të konceptit për të drejtat për kthime të
qëndrueshme. Dokumenti sajon parimet themelore që duhet ta
udhëzojnë kthimin e personave të zhvendosur dhe të
refugjatëve në Kosovë në të ardhmen, me kuptimin
se kthimet dhe integrimi duhet të jenë prioritetet kryesore
për UNMIK-un. Këto dy parime kryesore janë se kthimet
duhet të bazohen në të drejtat dhe vendimet e individëve.
Këto të drejta duhet të zbatohen njëlloj për
anëtarët e të gjitha bashkësive. Së dyti, kthimet
duhet të jenë të qëndrueshme, që dtth. se të
kthyerit duhet të kenë qasje të barabartë ndaj shërbimeve
publike, punësimit, pronës, ndihmës humanitare, lirisë
së lëvizjes dhe atributeve të tjera të jetës
normale. Dokumenti gjithashtu thekson se asnjë person i zhvendosur
nuk duhet të detyrohet të shkojë në shtëpi,
ose të përdoret si peng politik, dhe se personat e zhvendosur
duhet të përpiqen të kthehen në shtëpitë
e veta ose së paku në zonat prej të cilave janë.
22 maj
Clint Williamson,
drejtor i Departametit të Drejtësisë, nënshkroi
urdhëresat për lirimin e 26 të burgosurve nga burgu i
Dubravës. Të burgosurit janë nga një grup i vogël
i shqiptarëve të Kosovës që ishin mbajtur në
burgjet e Serbisë dhe më pas u transferuan në Kosovë
në mars të këtij viti. Të burgosurit e tjerë,
për të cilët gjykatësit ndërkombëtarë
përcaktuan se kishin kryer krime dhe dënimet e të cilëve
ishin ligjshmërisht të vlefshme, po e vuajnë dënimin
e tyre në Kosovë.
OSBE-ja dhe UNHCR-ja
bënë të ditur se duhet bërë ndryshime të
tjera kryesore për t'i përmirësuar kushtet për pakicat
e Kosovës dhe për ta krijuar një ambient të favorshëm
për kthimin e të gjitha grupeve etnike. Në vlerësimin
e tyre të nëntë të përbashkët, këto
dy organizata zbuluan se brengat kryesore të pakicave vazhdojnë
të jenë siguria dhe mungesa e lirisë së lëvizjes.
Raporti i tyre vë në pah se, edhe pse numri i incidenteve
serioze të dhunës është në rënie e sipër,
kërcënimi dhe ngacmimi vazhdojnë në shumë zona
të pakicave. Përkundër përmirësimeve graduale
në siguri, rishfaqja e akteve tejet të dhunshme shtojnë
përhapjen e frikës ndër pakicat, thuhet në raport.
Megjithatë, puna e organeve për zbatimin e ligjit dhe e atyre
gjyqësore është duke filluar "ngadalë por sigurt"
që të ketë ndikim pozitiv në respektin për
sundimin e të drejtës në Kosovë.
23 maj
Në bazë
të kompetencave që i janë dhënë PSSP-së
me Rezolutën 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit
dhe me Kornizën Kushtetuese, PSSP Michael Steiner e shpalli të
pavlefshme "rezolutën mbi mbrojtjen e integritetit territorial
të Kosovës," të miratuar nga Kuvendi i Kosovës.
Duke iu drejtuar gazetarëve në Prishtinë, ai tha se "reputacionit
të Kuvendit, sipas mendimit të bashkësisë ndërkombëtare,
por gjithashtu edhe sipas mendimit të rajonit, i ishte shkaktuar
dëm."
Top