27 maj
PSSP Michael Steiner
u takua në Prishtinë me kryetarin e Qendrës Koordinuese
të RFJ-së për Kosovën, zëvendëskryeministrin
e Serbisë Nebojsha Çoviq, dhe diskutoi çështjet
e Mitrovicës dhe të kthimeve. PSSP e njoftoi Dr. Çoviqin
për atë që ai nënkuptonte si kushte të domosdoshme
për t'iu qasur situatës në Mitrovicë dhe theksoi
nevojën për ta shtrirë pushtetin e UNMIK-ut në tërë
Kosovën. Ai gjithashtu përsëriti zotimin e UNMIK-ut për
koncept-dokumentin e paraqitur kohët e fundit mbi "E drejta
për kthim të qëndrueshëm." Michael Steiner
theksoi se kthimet nuk duhet të orkestrohen-ato duhet të ndodhin
në vendlindjen e të kthyerve.
Radio K filloi programin
e vet për romë dhe ashkali për bashkësitë e
Fushë Kosovës dhe për rajonin e afërt përreth.
Programi i ri, i cili përveç programeve që momentalisht
ofrohen në gjuhën shqipe dhe serbe që nga fillimi i hapjes
së stacionit në shtator të vitit 2001, shërben si
mjet i rëndësishëm për t'iu qasur brengave të
bashkësive mbi çështjet që janë të rëndësishme
për secilin grup. Adem Demaçi, mbrojtës i mirënjohur
për tolerancën ndëretnike, dhe zëdhënësi
i misionit të OSBE-së Poul Smidt i filluan emetimet e reja.
28 maj
Administratori rajonal
i UNMIK-ut në Pejë organizoi një takim me udhëheqësit
politikë të shqiptarëve të Kosovës mbi çështjet
e pajtimit. Kryeministri Bajram Rexhepi ishte folësi kryesor. Ndër
pjesëmarësit e tjerë përfshiheshin Hashim Thaçi,
Ramush Haradinaj, dhe nënkryetari i LDK-së Kolë Berisha.
PSSP-në e përfaqësonte zëvendësi i tij i parë,
Charles Brayshaw, i cili foli në këtë ndodhi.
Shtylla III e UNMIK-ut
(Demokratizimi dhe Ndërtimi i Institucioneve), e kryesuar nga OSBE-ja,
ishte nikoqire e një konference mbi rolin e femrave në zgjidhjen
dhe parandalimin e konfliktit dhe në dialogun pas konfliktit. Aktivistët
dhe politikanët e OJQ-ve të femrave, që i përfaqësonin
bashkësitë e ndryshme të Kosovës, diskutuan çështjen,
kurse përfundimet e tyre ua paraqitën përfaqësuesve
të institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes
dhe vendimmarrësve ndërkombëtarë. Kjo konferencë
shënoi përfundimin e vizitës katërditëshe në
Kosovë të një delegacioni të femrave nga Shqipëria,
Bosnja dhe Hercegovina, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë dhe
Sllovenia, të kryesuara nga zj. Sonja Lokar, kryesuese e Grupit
Punues të Paktit të Stabilitetit, e cila kishte ardhur të
takohej me grupet e aktivistëve dhe politikanëve të OJQ-ve
të femrave.
29 maj
Policia e UNMIK-ut
bastisi një fabrikë ilegale për prodhimin e cigareve
në rajonin e Gjilanit. Sipas hetuesve, bastisja u krye pasi që
informatat ishin marrë nga një qytetar. Kontrollimi i fabrikës
rezultoi me zënien e më tepër se 20 tonëve duhan
dhe pakove të falsifikuara të cigareve të shënuara
me llojin e njohur si "Marlboro" dhe "Regal." Hetimi
konfirmoi se mbi 20 tonë cigare, me vlerë prej mbi një
milion euro, ishin prodhuar gjatë fillimit të vitit 2000.
30 maj
PSSP Michael Steiner
kryesoi takimin e parë të Këshillit Ekonomik dhe Fiskal
të Kosovës (KEF). KEF-i diskutoi projektrregulloren mbi Agjencionin
Kosovar të Mirëbesimit, programin qeveritar dhe trustin e
kursimeve për pensione-një institucion i pavarur joqeveritar
që do ta drejtojë sistemin e ri të pensioneve të
kursyera. KEF-i u formua, në bazë të Kornizës Kushtetuese,
si një organ këshillimor i UNMIK-ut dhe i përfaqësuesve
të vetëqeverisjes së përkohshme, i cili e këshillon
PSSP-në mbi çështjet ekonomike, financiare dhe fiskale.
PSSP Michael Steiner
kundërfirmosi një marrëveshje me Overseas Private Investment
Corporation, një agjenci qeveritare e SHBA-ve. Marrëveshja
ofron sigurim të rrezikut politik për ta ndihmuar investimin
në sektorin privat të qytetarëve të SHBA-ve në
Kosovë.
Top