Botimi Nr. 32 - 3-10 qershor 2002

3 qershor

PSSP Michael Steiner ia dorëzoi Muzeut të Kosovës figurën terrakote mbi 6,000 vjet të vjetër, të njohur si "Hyjnesha në fron." Hyjnesha," që u zbulua në një vend afër Prishtinës në vitin 1956, i ishte huazuar një muzeu në Beograd që nga viti 1999, si pjesë e një ekspedite udhëtuese. "Kjo është një ditë posaçërisht e mirë, pasi kjo zonjë po kthehet në shtëpinë e vet në Kosovë," tha PSSP më 31 maj, kur e solli figurinën nga Beogradi. "Ajo që vërtet vlen të përmendet është se ajo nuk është shprehje e asnjë grupi etnik, por përfaqëson diç që tejkalon etnicitetin ose politikën - ajo përfaqëson kulturën dhe pasurinë e tërë rajonit."

Në qendrën e kulturës në Graçanicë filloi trajnimi për vetëdijësim psikologjik - në të cilin përfshihen 37 shqiptarë, romë dhe serbë të Kosovës. Kursi, i cili përfundoi të premten, më 7 qershor, ishte pjesë e projektit të IOM-it mbi përkrahjen psikologjike për pakicat. Ai përqëndrohej në "shkathtësitë ndërpersonale" dhe udhëhiqej nga Prof. Dr. Tatjana Matiq, profesoreshë e psikologjisë dhe psikoterapisë klinike në Fakultetin e Arteve Dramatike të Universitetit të Beogradit. Në pjesëmarrës përfshiheshin punëtorët e shëndetit mental, të shëndetësisë dhe punëtorët socialë, si dhe personeli i UNMIK-ut, përfaqësuesit e Departamentit të Çështjeve Penale, të Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe OJQ-të e shumta.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) miratoi Rregulloren Zgjedhore 8/2002, që ka të bëjë me regjistrimin e kandidatëve. Në këtë mënyrë, partive politike, koalicioneve dhe iniciativave të qytetarëve iu hap rruga për t'i hartuar listat e tyre të kandidatëve për zgjedhjet komunale të tetorit, si dhe për të siguruar përfaqësim më të madh të femrave në listat e kandidatëve. Partitë politike, sapo të vërtetohen nga KQZ-ja, duhet t'i dorëzojnë listat e kandidatëve për secilën komunë për të cilën ata synojnë të kandidohen. Secila listë mund të ketë 10 emra më tepër se sa numri i anëtarëve të kuvendit komunal. Prej këtyre, së paku një në secilin grup prej tre kandidatëve në dy të tretat e para të listave të dorëzuara duhet të jenë nga gjinia tjetër. Kjo praktikisht do ta shtojë përfaqësimin e femrave në qeverisjen komunale. Në mënyrë që kjo rregullore zgjedhore të sillet në linjë me standardet përgjithësisht të pranuara ndërkombëtare, të gjithë kandidatët e mundshëm duhet ta paraqesin deklaratën mbi pasurinë individuale financiare dhe mbi pronën që posedojnë, që do të jetë në dispozicion për shqyrtim publik në fillim të fushatës.

4 qershor

Tregu i parë shumetnik që nga përfundimi i luftës në Kosovë u hap në komunën e Lipjanit, duke ua ofruar kështu banorëve vendorë, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre, mundësinë që të marrin pjesë në pazarin e të mërkurës. Komponentë të ndryshëm të bashkësisë ndërkombëtare dhe OJQ-të e pranishme në këtë komunë, si dhe kontingjentet e ndryshme të KFOR-it të brigadës shumëkombëshe qendër, aktivisht janë duke e përkrahur dialogun ndëretnik. Anëtarët e Departamentit të OSBE-së për të Drejtat e Njeriut dhe Sundim të së Drejtës prezentuan fushatën e vetëdijësimit, e cila u krye më herët këtë vit në gjashtë shkolla të kësaj komune, gjersa personeli i vet për zgjedhje dhe demokratizim ishte në dispozicion për të orfuar informata për procesin e ardhshëm zgjedhor dhe për regjistrimin dhe vërtetimin e partive politike.

7 qershor

Shtylla III e UNMIK-ut (Demokratizimi dhe Ndërtimi i Institucioneve) ishte nikoqire e një takimi që kishte për qëllim përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet OJQ-ve dhe qendrave për përkrahjen e bashkësive nga Kosova, Bosnja dhe Hercegovina dhe Republika Federale e Jugosllavisë. Qëllimi i konferencës dyditore ishte ta theksonte rolin e rëndësishëm dhe me ndikim që luan shoqëria si partner i rëndësishëm dhe përkrahës për institucionet vetëqeverisëse. Vëmendje e posaçme iu kushtua mirëkuptimit të kufizimeve të punës së OJQ-ve, ndërsa synonte t'i tejkalonte ndarjet e tyre dhe ta përmirësonte bashkëpunimin në një shoqëri të hapur dhe dekomratike.

Top


UNMIK Chronicle është botim i Sektorit për Informim Publik, UNMIK Prishtinë - Tel: (381.38) 504.604 ext. 5610, email: poultney@unmik.org