Botimi Nr. 33 - 10-17 qershor 2002

10 qershor

Këshilltari i lartë i sapoemëruar në zyrën e kthimeve dhe të bashkësive-z. Nenad Radosavleviq, 40-vjeçar, ish-kryetar i kuvendit të komunës së Leposaviqit dhe ish-anëtar i Kuvendit të Kosovës-mori detyrën e vet në selinë e UNMIK-ut. Ndër përgjegjësitë e tij kryesore do të jetë këshillimi i UNMIK-ut mbi mënyrat për ta ndihmuar zhvillimin ekonomik përkitazi me kthimin e personave të zhvendosur dhe integrimin e pakicave. Ai do të luajë rol të rëndësishëm në formësimin e politikave të punës përkitazi me lehtësimin e kthimeve dhe integrimin e pakicave etnike në rrjedhat kryesore të shoqërisë në Kosovë. PSSP Michael Steiner mirëpriti ardhjen e z. Radosavleviq. "Me këshilltarin tim të lartë, që tani është në zyrë, dhe me koordinatorin ndërministror për kthime, që tashmë është emëruar, ne mund të fillojmë të bëjmë përparim të rëndësishëm në çështjen e kthimeve-kthimeve vërtet të qëndrueshme-si dhe për mënyrat drejt integrimit më të mirë të bashkësive jo-shumicë në shoqërinë e Kosovës," tha ai. "Unë jam i kënaqur ta kem z. Radosavleviq në anën time për t'i përmirësuar prospektet tona për krijimin e një Kosove shumetnike dhe të integruar."

12 qershor

Anëtarët e qeverisë së Kosovës dhanë betimin e zyrës, duke shënuar kështu kompletimin e ekzekutivit. Në një ceremoni të udhëhequr në praninë e PSSP-së Michael Steiner dhe të kryeministrit Bajram Rexhepi, ministrat e qeverisë dhe koordinatori ndërministror për kthime dhanë betimin, duke u betuar se do t'i përmbahen ligjit, institucioneve të Kosovës dhe funksioneve të zyrës "në interesin më të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa diskriminim në asnjë bazë." Në vërejtjet e tij, PSSP Michael Steiner tha se ishte "shumë e kënaqshme që pikërisht në trevjetorin e ardhjes së bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, ne gjendemi këtu për ta shënuar kompletimin e qeverisë shumetnike të Kosovës. Ne jemi në proces të bartjes së kompetencave tek qeveria. Përgjegjësi të dukshme janë bartur tani nga UNMIK-u në duart tuaja dhe do t'u barten edhe më tepër përgjegjësi." Kryeministri Rexhepi tha se ishte "i kënaqur për formimin e qeverisë me të gjithë ministrat. Ne do të punojmë në emër të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Me rastin e trevjetorit të ardhjes së UNMIK-ut dhe të KFOR-it në Kosovë, PSSP Michael Steiner u tha gazetarëve në Prishtinë se bashkësia ndërkombëtare kishte për çka të krenohej. Rindërtimi i vazhdueshëm i Kosovës dhe energjia e madhe personale ishte rezultat i nismës së popullit, por gjithashtu edhe rezultat i më tepër se dy miliardë dollarëve amerikanë të dhëna nga donatorët ndërkombëtarë, kryesisht nga BE-ja. Megjithatë, Kosova më nuk do të varet vetëm nga donacionet: prej 374 milionë i të Buxhetit të Konsoliduar të Kosovës, 93 për qind e tyre do të vijnë nga të ardhurat e prodhuara në vend, kurse vetëm 7 për qind do të vijnë nga donatorët. Suksesi më i madh i këtij viti ishte themelimi i qeverisë shumetnike. "Prandaj, ne kemi arsye për të kremtuar," përfundoi PSSP Michael Steiner. "Por tani duhet t'i rrekemi punës."

13 qershor

PSSP Michael Steiner nënshkroi dy rregullore që hapin rrugën për privatizimin e ndërmarrjeve në pronësi shoqërore në Kosovë. "Ekonomia funksionuese e tregut është njëra prej tetë pikënisjeve, " tha ai. "Ekonomia e tregut ka nevojë për privatizim. Ne tani e kemi kornizën për këtë." Rregullorja 2002/12 themelon Agjencionin Kosovar për Mirëbesim, kurse Rregullorja 2002/13 themelon Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës mbi çështjet e Agjencionit Kosovar për Mirëbesim. Roli i Agjencionit Kosovar për Mirëbesim do të jetë udhëheqja e privatizimit të ndërmarrjeve në pronësi shoqërore në Kosovë dhe mbikëqyrja e udhëheqjes së ndërmarrjeve në pronësi publike në Kosovë. Jurgen Voss, zëvendës i ZPSSP-së për Shtyllën IV të UNMIK-ut, Alexander Borg-Olivier, këshilltar ligjor i UNMIK-ut, dhe Sidi M. Boubacar, përfaqësues i Bankës Botërore, morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit.

Top


UNMIK Chronicle është botim i Sektorit për Informim Publik, UNMIK Prishtinë - Tel: (381.38) 504.604 ext. 5610, email: poultney@unmik.org