Botimi Nr. 34 - 17-24 qershor 2002

19 qershor

Në një përpjekje të ndërlikuar për gjetje dhe arrestim, Policia e UNMIK-ut me sukses e përfundoi operacionin e vet për t'i arrestuar të dyshimtit që ishin të përfshirë në një sërë veprash penale kundër shqiptarëve të Kosovës. Të arrestuarit janë shqiptarë të Kosovës dhe dyshohet se ata kanë kryer krime të rënda kundër shqiptarëve të Kosovës në qershor të vitit 1999, si mbajtje joligjore në paraburgim dhe sulme të rënda. Shumica e viktimave ende mungojnë. Gjashtë veta u arrestuan për ato vepra-dy prej tyre u dorëzuan vullnetarisht-kurse një person u arrestua për një vepër që nuk lidhet me to, për posedim joligjor të armëve. Veprimet e Policisë së UNMIK-ut u bazuan në një kërkesë ligjore të një gjykatësi ndërkombëtar dhe u udhëhoqën në mënyrë profesionale, duke respektuar standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe detyrat demokraktike policore.

Qëllimi i UNMIK-ut dhe i qeverisë së sapoformuar të Kosovës ishte t'i ndihmonin Kosovës të bëhej pjesë e një Evrope të integruar, PSSP Michael Steiner tha në një takim të procesit për bashkëpunim në Evropën jugore, që u mbajt në Beograd. Por, për ta arritur atë qëllim, duhet të përmbusheshin disa kritere. Ato ishin: krijimi i institucioneve funksionuese demokratike; institucionalizimi i sundimit të së drejtës; sigurimi i lirisë së lëvizjes për çdokënd dhe gjithkund; kthimi dhe riintegrimi i personave të zhvendosur; ringjallja e ekonomisë së Kosovës; dhe sigurimi i të drejtave pronësore. Këto pikënisje ishin parakusht që duhej përmbushur para se të mund të zhvilloheshin bisedimet për statutin përfundimtar, dhe ato ishin mjetet që do ta shpinin Kosovën drejt Evropës, tha ai. Duke prekur çështjen e krimit dhe politikën e tij të deklaruar të tolerancës zero për krim, PSSP Michael Steiner sugjeroi që të krijohet një Balkanpol ose SEEPol, e modeluar sipas Europol-it. Një organizate të tillë do t'i nevojiteshin: organet mbarërajonale të zbulimit për t'iu qasur trendeve dhe për ta ngritur vetëdijen për rrjetet e krimit të organizuar; ndarja e të dhënave ndërmjet policisë dhe organeve doganore; koordinimi i operacioneve, si përkrahja për ekipet e përbashkëta të hetuesisë të formuara nga mbarë rajoni. Ajo gjithashtu do të kishte nevojë për bashkëpunim të përmirësuar të policisë: për t'i ndjekur kriminelët në shtëpi për krimet e kryera jashtë vendit; për t'i burgosur kriminelët në shtëpi, të cilët sipas rregullit janë dënuar jashtë vendit; për ta lehtësuar mbledhjen e dëshmive dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve që gjenden në shtetet e tjera; dhe për ta shtuar efikasitetin e fletarrestimeve ndërkombëtare dhe të procedurave të ekstradimit.

20 qershor

Andrew Whitley, drejtor i zyrës për kthime dhe bashkësi (ZKB), bëri të ditur se do të jipte dorëheqje nga UNMIK-u për ta pranuar një ofertë për të shërbyer si drejtor i marrëdhënieve të jashtme në UNWRA, agjencion i OKB-së me seli në Gazë, që u ndihmon refugjatëve palestinezë. "Më vjen keq që z. Whitley po e lëshon misionin," tha PSSP Michael Steiner. "Unë e uroj atë për emërimin e tij në një post të rëndësishëm në fushën e çështjeve të refugjatëve. ... E di se z. Whitley do të na mungojë të gjithëve në ekipin tonë, por ne i dëshirojmë atij çdo të mirë në detyrën e tij të re," shtoi ai. Derisa të mos arrijë shefi i ri i ZKB-së në mision, z. Saber Azam do të shërbejë si ushtrues detyre i ZKB-së.

Me rastin e ditës botërore të refugjatëve, komesariati i lartë i OKB-së për refugjatë (UNHCR) promovoi një libër të sponsoruar nga iniciativa e femrave të Kosovës-"Femrat kosovare, koleksion i pamjeve." Në një shfaqje të bukur të fotografive elegante bardh e zi, "Femrat kosovare" kremton jetën e nduarnduartë dhe të ndërlikuar të femrave në Kosovën e pasluftës. Iniciativa e femrave të Kosovës është program i koordinuar nga UNHCR-ja që përpiqet t'i bashkojë dhe t'u japë kompetenca femrave kosovare dhe ta përkrahë barazinë gjinore në të gjitha aspektet e jetës civile. Në ndjekje të këtij qëllimi, programi ka themeluar gjashtë këshilla shumetnikë të femrave vendore në mbarë Kosovën për t'i përzgjedhur dhe financuar projektet e vogla bazë të zbatuara nga femrat vendore.

Top


UNMIK Chronicle është botim i Sektorit për Informim Publik, UNMIK Prishtinë - Tel: (381.38) 504.604 ext. 5610, email: poultney@unmik.org