25 qershor
Këshilli ekonomik
dhe fiskal (KEF), që për herë të dytë u takua
më 24 qershor 2002 në Prishtinë, diskutoi çështjen
e veprimtarive të parregulluara të bixhozit në Kosovë.
Ai mori parasysh vërejtjet e PSSP Michael Steiner për ta nxjerrë
një udhëzim administrativ për t'i rregulluar aktivitetet
e bixhozit në Kosovë, si zgjidhje e përkohshme deri në
takimin e dytë. Ministri i sapoemëruar për Bujqësi,
Pylltari dhe Zhvillim Rural, Goran Bogdanoviq, mori pjesë për
herë të parë në këshill. Emërimi i tij
kompleton anëtarësinë e këshillit. KEF-i diskutoi,
ndër të tjera, projektlegjislacionin mbi udhëheqjen dhe
përgjegjësinë publike financiare, përmirësimet
ndaj rregullores mbi TVSH-në dhe rregullores mbi akcizat dhe raportin
e përparimit mbi koordinimin e legjislacionit ekonomik ndërmjet
IPVQ-ve dhe UNMIK-ut.
26 qershor
Nënsekretari
i përgjithshëm i OKB-së për operacione paqeruajtëse,
Jean Marie Gueheno, informoi shkurtimisht Këshillin e Sigurimit
për situatën e fundit në Kosovë, duke u përqëndruar
veçanërisht në kompletimin e qeverisë, në
zgjedhjet e ardhshme komunale, në sundimin e të drejtës
dhe për kthimin e refugjatëve. Pasi përgatitjet për
zgjedhjet komunale, të parapara për 26 tetor, ishin duke vazhduar,
ai tha se prospektet për pjesëmarrje shumetnike ishin inkurajuese.
UNMIK-u kishte pranuar një numër të madh të kërkesave
të partive politike të pakicave që konkurrojnë për
certifikim dhe deri më 14 qershor, mesi i procesit të certifikimit,
ishin dërguar më tepër se 40 për qind të të
gjitha kërkesave. Sa i përket zbatimit të sundimit të
së drejtës, ai tha se UNMIK-u i kishte arrestuar më 18
qershor katër anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare
të Kosovës (UÇK), kurse dy të tjerë vetë
i ishin dorëzuar Policisë së UNMIK-ut të nesërmen.
Ai tha se gjithsej 874 refugjatë ishin kthyer gjatë pesë
muajve të parë të këtij viti, 43 për qind e
tyre serbë të Kosovës.· UNMIK-u mirëpriti
vendimin e qeverisë së IRJM-së për heqjen e vizave
për mbajtësit e Dokumenteve të UNMIK-ut për Udhëtim.
Vendimi hyri në fuqi më 26 qershor 2002 dhe pason pas diskutimeve
ndërmjet UNMIK-ut dhe IRJM-së, që synonte lehtësimin
e lëvizjes së njerëzve ndërmjet Kosovës dhe
IRJM-së. Kjo do t'u ndihmojë personave që kërkojnë
viza nga ambasadat e huaja në Shkup, atyre që kërkojnë
ndihmë mjekësore ose atyre që dëshirojnë t'i
takojnë të afërmit e vet.
28 qershor
ZPSSP Charles Brayshaw
iu drejtua konferencës së femrave parlamentare, që u
mbajt në Prishtinë më 27 - 28 qershor 2002. "Kosova
ka bërë një rrugëtim të gjatë dhe të
dhembshëm gjatë dhjetëvjetëshit të kaluar,"
tha ai, duke shtuar që femrat tani duhet të tërhiqen
nga përvoja e tyre e rëndomtë si femra për t'iu
bashkangjitur pjesës tjetër të shoqërisë në
përmirësimin e të metave që ishin aq të theksuara
gjatë dhjetëvjetëshit të kaluar. "Potenciali
juaj si femra shpesh u sjell juve më afër nevojave të
vërteta të familjeve dhe bashkësive në të cilat
shumica e problemeve serioze të Kosovës janë të
rrënjosura," tha z. Brayshaw. Duke i quajtur kosovaret si
punëtorët më të përkushtuar dhe më të
talentuar në këtë shoqëri, z. Brayshaw ia përkujtoi
konferencës se me statujën "Hyjnesha në fron,"
që kohëve të fundit u soll në Kosovë, ata duhet
të përkujtohen për rolin qendror të femrave ndër
popujt që banuan në këtë trevë para 6,000 vjetësh.
"Përdoreni atë si simbol të inspirimit për
ta krijuar një shoqëri kosovare në të cilën
nuk mendohet se është gjë jonatyrore që femrat të
mbajnë pushtet, në të cilën ekziston barazia thelbësore
dhe në të cilën femrat u bashkangjiten meshkujve si partnerë
të barabartë në qendër të jetës shoqërore
dhe politike," përfundoi ai.
Top