Botimi Nr. 39 - 22- 26 korrik 2002

22 korrik

PSSP Michael Steiner iu dorëzoi gjashtë kosovarëve patent-shoferët e parë të UNMIK-ut gjatë një ceremonie të mbajtur në Ministrinë për Shërbime Publike. Patent-shoferët e UNMIK-ut zëvendësojnë patent-shoferët e vjetër të RFJ-së, të cilat i mbajnë shumë njerëz në Kosovë. Patent-shoferët ishin prodhuar nga Ministria për Shërbime Publike (MSHP) në bashkëpunim me Qendrën Qendrore të Procesimit (QQP). QQP-ja ka bazën e të dhënave që përmbajnë hollësitë e rreth 200.000 njerëzve, të cilët mbajnë patent-shoferët e vjetër të RFJ-së. PSSP Michael Steiner, gjithashtu, njoftoi se vlefshmëria e patent-shoferëve të RFJ-së do të zgjatet deri më 31 dhjetor 2002.

23 korrik

10 hetues nga Guardia di Finanza e Italisë do t'i bashkangjiten UNMIK-ut në luftën kundër krimit financiar dhe korrupsionit në Kosovë, njoftoi PSSP Michael Steiner. Gjatë një takimi me Nënsekretarin Italian për Punë të Jashtme, Senatorin Roberto Antonione, PSSP konfirmoi që 10 hetuesit do të arrijnë së shpejti për t'iu bashkangjitur Njësisë Financiare të Inspektimit. Arrdhja e tyre në Kosovë ishte kërkuar nga UNMIK-u.

24 korrik

Agjencioni Evropian për Rindërtim festoi hapjen e dy urave tërësisht të rindërtuara në Rakovinë në rrugën Klinë - Gjakovë. Në ceremoni mori pjesë Ministri për Transport dhe Komunikacion; Drejtoria e Rrugëve; kontraktuesi i Agjencisë, Freyssinet, që kreu punën; si dhe përfaqësuesit nga AER-i, KFOR-i dhe Policia e UNMIK-ut. Urat ishin shkatërruar gjatë konfliktit në vitin 1999. Rreth 3 milionë euro të fondit të UE-së ishin shpenzuar në rindërtimin e urave.

25 korrik

Bordi i Drejtorëve të Agjensisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM) mbajti sot mbledhjen e saj të parë inauguruese, duke shënuar lansimin operativ të AKM-së. AKM-ja është përgjegjëse për administrimin e ndërmarrjeve shoqërore dhe publike në Kosovë dhe do të jetë përgjegjëse për programin eventual të privatizimit për këto ndërmarrje.

Një aksident tragjik i autobusit në vendkalimin Kulla në rrugën ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi rezultoi me humbjen e jetës për së paku 10 persona dhe me shumë të tjerë që morrën lëndime të rënda. "Ky është një moment shumë pikëllues dhe tragjik për familjet e viktimave dhe për tërë Kosovën," tha PSSP Michael Steiner pas vizitës në vendndodhjen e aksidentit. Autobusi vinte nga bregdeti malazias dhe ishte drejtuar për në fshatin Barilevë dhe lokacionet e tjera afër Prishtinës.

PSSP Michael Steiner vizitoi fshatin Tupallë në Serbinë jugore për t'u azhurnuar mbi çështjet e zgjedhjeve dhe për t'u takuar me banorë dhe politikanë lokal. Në Tupallë ai takoi kryetarin e këshillit lokal të komunës dhe diskutoi mbi zgjedhjet e ardhshme komunale në Kosovë dhe në Serbinë Jugore. Zgjedhjet në Serbinë Jugore janë mbajtur të dielën (28 korrik). Zgjedhjet komunale për Kosovë janë caktuar për në tetor.

26 korrik

PSSP Michael Steiner falënderoi Qeverinë gjermane për ndihmën e saj emergjente për riparimin e termocentralit kryesor elektrik të Kosovës, i cili pësoi dëmtim të rëndë afat-gjatë në një goditje të rrufesë javën e kaluar. Sekretari Gjerman i Shtetit Erich Stather ka njoftuar se Gjermania do t'i japë UNMIK-ut pesë milionë euro për riparime urgjente në termocentralin Kosova B. Riparimet pritet të zgjasin disa muaj. Ndërkohë, konsumatorët janë duke iu adoptuar jetës me ndërprerje të rregullta të rrymës.

Top


UNMIK Chronicle është botim i Sektorit për Informim Publik, UNMIK Prishtinë - Tel: (381.38) 504.604 ext. 5610, email: poultney@unmik.org