30 korrik
PSSP Michael Steiner
iu drejtua Këshillit të Sigurimit në Nju Jork dhe nënvizoi
progresin e kohëve të fundit të UNMIK-ut në Kosovë
dhe përcaktoi detyrat që ende duhet të kompletohen para
se bisedimet për statutin përfundimtar të mund të
fillojnë. Ai theksoi se UNMIK-u i kushtoi rëndësi të
madhe nevojës për t'i përmbushur pikënisjet. Këtu
përfshihen ndërtimi i institucioneve funksionuese demokratike,
lufta kundër krimit, Mitrovica, ekonomia, kthimet dhe standardet
para statutit. "Ndërsa ne nuk mund të themi tani se çfarë
do të jetë forma e statutit përfundimtar," tha ai,
"ne mund të themi çfarë ajo nuk mund të jetë.
Nuk do të ketë as ndarje, as kantonizim, as kthim në
statuskuonë e para vitit 1999. Rezultati nuk mund të jetë
njëetnik por duhet të jetë shumetnik. Duhet të jetë
një Kosovë demokratike, e sigurt dhe e denjë drejt Evropës,"
përfundoi ai. Para se të shkonte në Nju Jork, z. Steiner
u ndal në Paris, ku u takua me zyrtarë të lartë
francezë.
ZPSSP Charles Brayshaw
dhe kryeministri Bajram Rexhepi shkuan së bashku në Prizren
për ta inauguruar një kompani të re të ndërtimit.
Kompania Egibau, me bazë në Zvicër, specializon në
materialet ndërtimore të prodhuara nga polistiroli i zgjeruar.
Asaj më parë i ishte dhënë kontrata në Itali,
kurse z. Brayshaw dhe kryeministri, duke iu drejtuar personelit, theksuan
rëndësinë që ka kjo kompani e re për rajonin
dhe Kosovën. Kompania e re tashmë i ka 30 punëtorë
të punësuar dhe planifikon ta rrisë numrin e punëtorëve
deri në 150. Z. Brayshaw u uroi investuesve për besimin që
kanë për të ardhmen e Kosovës. Pas ceremonisë,
ZPSSP dhe kryeministri vizituan fabrikën dhe më pas morën
pjesë në gosti.
31 korrik
Pasi PSSP Michael
Steiner shpalli më 26 korrik ligjin mbi pensionet, të miratuar
nga Kuvendi i Kosovës në fillim të muajit, pensionistët
e Kosovës do të fillojnë t'i marrin pensionet themelore
në lartësi prej 28 eurove në muaj. Ligji përcakton
ratën dhe datën për pagimin e pensioneve themelore. Për
t'i marrë pensionet, pensionistët duhet ta paraqesin kërkesën
në administratën e Kosovës për pensione para 31
tetorit. Pensionet paguhen prej 1 korrikut 2002 ose prej moshës
65-vjeçare të paraqitësit të kërkesës.
Ata që kërkesën e paraqesin pas 31 tetorit pensionet
do t'i marrin duke filluar nga muaji në të cilin e kanë
paraqitur kërkesën. Pensionet do të paguhen nëpërmjet
llogarive bankare, të cilat administrata e Kosovës për
pensione po i hap pa pagesë. Mendohet të jenë deri në
110,000 pensionistë.
1 gusht
PSSP Michael Steiner
vizitoi fshatin Kllokot në rajonin e Gjilanit në të cilin
pesë shtëpi të serbëve ishtin shkatërruar në
një sërë eksplodimesh. Pas takimit me familjet serbe
në fqinjëri, z. Steiner shkoi në kampin Bondstill për
t'i vizituar dy ushtarët amerikanë që ishin lënduar
nga shpërthimet. Ai bëri të ditur për krijimin e
një fondi për Kllokot, me një depozitim fillestar prej
50,000 eurove. Fondi do t'i përkrahë projektet për integrimin
e njerëzve në këtë zonë. "Unë erdha
këtu drejtpërdrejt nga Nju Jorku pas takimit të Këshillit
të Sigurimit në të cilin ne diskutuam progresin që
kemi arritur këtu ... Dhe më pas ju e shihni këtë,"
tha ai me të arritur tek shtëpitë e shkatërruara.
3 gusht
PSSP Michael Steiner
vizitoi Salzburgun, qytet në Austri, ku ai bisedoi me koordinatorin
e Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, Ebehard
Busek, dhe me përfaquesin e lartë të OKB-së për
Bosnje, Paddy Ashdown. Bisedat u përqëndruan në përforcimin
e bashkëpunimit rajonal, përfshirë këtu luftën
kundër krimit të organizuar, furnizimin me rrymë elektrike
dhe kthimin e personave të zhvendosur. Z. Steiner njoftoi për
rezultatet e konferencës së parë mbi kontrabandën
me cigare, që u mbajt në Prishtinë në muajin maj,
dhe për fushatën për privatizimin e ndërmarrjeve
në pronësi shoqërore në Kosovë.
Top