6 gusht
Drejtoresha e re
e zyrës së UNMIK-ut për kthime dhe bashkësi, zj.
Peggy Hicks (SHBA), mori përsipër detyrat e veta. Ajo ishte
kohët e fundit drejtoreshë e programeve dhe këshilltare
e përgjithshme për grupin ndërkombëtar ligjor mbi
të drejtat e njeriut në Uashington DC. Ajo është
avokate me përvojë të madhe në ligjin mbi të
drejtat e njeriut dhe demokratizim. Më parë, ajo ishte zëvendëse
e përfaqësuesit të lartë për të drejtat
e njeriut në Bosnje dhe Hercegovinë. Nga mesi i viteve të
90-ta, ajo gjithashtu ishte këshilltare për të drejtat
e njeriut për UNPROFOR-in, me seli në Zagreb.
7 gusht
PSSP Michael Steiner
bëri të ditur se udhëheqja e keqe dhe mirëmbajtja
jo e duhur kontribuan në dëmin që iu shkaktua termocentralit
kryesor të Kosovës më 19 korrik nga zjarri i madh i shkaktuar
nga rrufeja. PSSP gjithashtu bëri të ditur në një
konferencë për gazetarë, pas takimit të tretë
të komitetit energjetik (të formuar pas zjarrit në termocentral),
se ai do ta emëronte një udhëheqës nga industria
elektrike gjermane si ushtrues detyre të udhëheqësit
të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) deri
në pranverën e ardhshme. Z. Steiner tha se raporti i fundit
i Policisë së UNMIK-ut lidhur me incidentin konfirmoi se rrufeja
ishte shkaktare e zjarrit dhe hodhi poshtë zjarrvënien, sabotimin
dhe veprën e qëllimshme kriminale. Blloku B2 i termocentralit
do të mund t'ia fillonte punës sërish në fillim
të dhjetorit. Blloku B1, që është i dëmtuar
më tepër, nuk pritet t'ia fillojë punës para qershorit
të vitit 2003. Llogaritjet mbi shpenzimet për meremetimin
e termocentralit sillen prej 8 deri në 10 milionë euro, plus
750,000 euro që nevojiten për ta ndërruar transformatorin
ndihmës të goditur nga rrufeja.
8 gusht
UNMIK-u bëri
të ditur se ishte lëshuar një urdhërarrest për
dr. Milan Ivanoviqin mbi akuzat për tentativë vrasjeje. Këtë
urdhërarrest e kishte lëshuar një gjykatës hetues
ndërkombëtar me kërkesën e një prokurori ndërkombëtar
si rrjedhojë e ngjarjeve që ndodhën gjatë një
demonstrate të dhunshme në Mitrovicë më 8 prill
2002. 22 policë të Policisë së UNMIK-ut ishin lënduar
gjatë kësaj demonstrate, pasi që ishin sulmuar me granata
dore dhe nga zjarri i snajperit. Urdhërarresti u lëshua më
30 korrik 2002.
Pas marrjes së
komunikimit nga kryetari i Kuvendit se kryesia nuk ishte në gjendje
të arrinte koncensus mbi Ligjin për Arsimin e Lartë,
PSSP Michael Steiner, në përputhje me Kornizën Kushtetuese,
emëroi z. Jim O'Brien që ta kryesonte grupin punues treanëtarësh.
Z. O'Brien ishte emisar i posaçëm i administratës së
kryetarit Clinton për Ballkanin (post ky të cilin më
parë e mbante Richard Hoolbrooke). Dy anëtarët e tjerë
të grupin punues janë Gojko Saviq, që përfaqëson
anëtarët e Kuvendit që e kundërshtojnë ligjin,
dhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Rexhep
Osmani, që përfaqëson sponsoruesit e ligjit. Grupi punues
treanëtarësh u themelua në bazë të paragrafit
9.1.41 të Kornizës Kushtetuese për t'i shqytuar kundështimet
e paraqitura nga koalicioni Kthimi mbi Ligjin për Arsimin e Lartë,
të cilin Kuvendi i Kosovës e kishte miratuar më 25 korrik.
Ligji, siç ishte miratuar, i hiqte dispozitat e propozuara nga
qeveria mbi liçencimin e të gjitha institucioneve të
pranueshme të arsimit të lartë në Kosovë.
9 gusht
Z. O'Brien i shkroi
kryetarit të Kuvendit duke propozuar se Ligji mbi Arsimin e Lartë
përfshinte një dispozitë sipas të cilës të
gjithë ofruesit e arsimit të lartë që ishin të
autorizuar të vepronin në vitin akademik 2000-2001 do të
liçencoheshin në bazë të këtij ligji dhe
në përputhje me parimet jodiskriminuese ndërkombëtare.
Kjo dispozitë do të mundësonte veprimet e vazhdueshme
të institucioneve ekzistuese.
Top