Botimi Nr. 42 - 12 - 18 gusht 2002

11 gusht

Komisionari i policisë dhe drejtori i Departamentit të Drejtësisë njoftuan për arrestimin e një personi të dyshimtë për vrasje, tortura dhe mbajtje joligjore. Arrestimin e kërkoi një prokuror ndërkombëtar dhe atë e kreu Policia e UNMIK-ut me ndihmën e KFOR-it. Personi i arrestuar, Rrustem Mustafa, më vonë u paraqit para gjykatësit ndërkombëtar. Hetimi përqëndrohet në dëshminë që e lidh të dyshimtin me torturimin dhe vrasjen e së paku pesë personave që mbaheshin në mënyrë joligjore në burg. Prokurori i këtij rasti kërkoi që i dyshimti të mbahet në paraburgim deri në përfundimin e hetimeve. Në fund të hetimit gjyqësor, i cili do të zgjasë disa muaj, gjykatësi ndërkombëtar do të vendosë nëse do të ngritet aktpadia. Nëse gjykatësi vendos që aktpadia duhet të ngritet, atëherë rasti do të gjykohet para një trupi të gjykatësve ndërkombëtarë.

12 gusht

OSBE-ja mbajti hedhjen e shortit për subjektet politike që marrin pjesë në zgjedhjet komunale të tetorit. Zgjedhjet do të mbahen në të 30 komunat. Gjithsej janë regjistruar 68 subjekte për të marrë pjesë në zgjedhje.

13 gusht

KFOR-i bëri të ditur se javën e kaluar arrestoi disa individë për të cilët dyshohej se ishin të përfshirë në grupet e armatosura ekstremiste etnike. Konsiderohej se të gjithë të arrestuarit paraqitnin rrezik të drejtpërdrejtë për ambient të sigurt në rajon. KFOR-i u tha gazetarëve se ai nuk to të tolerojë aktivitete që do ta përçajnë paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe se do t'i ndjekë aktet kriminale dhe ekstremiste kudo dhe kurdo që të gjenden ato.

Zëdhënësi i BE-së bëri të ditur se Blloku A3 i KEK-ut nuk punon për shkak të mirëmbajtjes së planifikuar në mënyrë që ai të përgatitet për muajt e dimrit. Procesi i mirëmbajtjes do të përshpejtohet sa të jetë e mundur, por, në bazë të rrethanave të tanishme, gjatë periudhës së ardhshme do të zbatohet orari tri orë me rrymë, tri orë pa të.

14 gusht

OSBE-ja bëri të ditur se shërbimet e votuesve janë shtyrë edhe për një javë, pra deri më 23 gusht. Kjo u ofron më tepër kohë personave të zhvendosur që të zgjedhin të votojnë në mungesë, kurse personave që nuk janë regjistruar u ofron shansin e fundit për të hyrë në listën e votuesve. Shtyrja e periudhës së shërbimit të votuesve zbatohet për votuesit me të drejtë vote në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi. Ambasadori Pascal Fieschi, shef i Misionit të OSBE-së, tha se ky vendim ishte marrë "për ta pasur një listë sa më të përpiktë dhe më të saktë të votuesve për zgjedhjet komunale. Kjo shtyrje u ofron personave të zhvendosur edhe një javë më tepër për t'u regjistruar si votues në mungesë për komunën e tyre të mëparshme." Kjo shtyrje u miratua pas shqyrtimit të punëve dhe në konsultim me PSSP-në Michael Steiner. Të dhënat më të fundit tregojnë se më tepër se 37,000 veta i kishin vizituar qendrat për shërbimin e votuesve ose i kishin azhurnuar të dhënat e tyre në listën e votuesve.

18 gusht

ZPSSP Charles Brayshaw vizitoi komunën e Klinës dhe të Istogut, si dhe dy bashkësi të vogla në të cilat po ktheheshin serbët e zhvendosur të Kosovës. Z. Brayshaw shfrytëzoi rastin për ta paraqitur zj. Peggy Hicks, drejtoreshën e re të zyrës së UNMIK-ut për kthime dhe bashkësi. Gjenerali Walter La Valle, komandant i BSHK-perëndim, gjithashtu mori pjesë në këtë delegacion. Z. Brayshaw diskutoi me krytarin e kuvendit komunal të Klinës, Ramë Manaj, e më vonë me udhëheqësit e bashkësive në fshatin Shtuple, për përparimin e arritur në çështjen e personave të zhdukur. Z. Manaj ishte takuar më herët, javën e kaluar në Prishtinë, me shefin e njësisë së UNMIK-ut për persona të zhdukur Jose-Pablo Baraybar.

Top


UNMIK Chronicle është botim i Sektorit për Informim Publik, UNMIK Prishtinë - Tel: (381.38) 504.604 ext. 5610, email: poultney@unmik.org