Botimi Nr. 43 - 19 - 25 gusht 2002

19 gusht

UNMIK-u reagoi ndaj një deklarate të kryeministrit Bajram Rexhepi në të cilën ai i kishte cilësuar si të papranueshme arrestimet e fundit të ish-anëtarëve të UÇK-së për kallëzim penal. Qeveria, e cila këtë deklaratë e miratoi me shumicë të thjeshtë, i cilësoi personat e arrestuar si të burgosur politikë dhe pengë të procesit politik. Në reagimin e vet, UNMIK-u theksoi se atij i ishte dhënë mandati në bazë të RKSKB 1244 për ta vendosur sundimin e të drejtës në Kosovë. "Ne ndjejmë keqardhje për deklaratën e sotme ... e cila ia vë fajin motivimit politik për arrestimet e fundit," tha UNMIK-u në reagimin e vet. "Arrestimet e fundit ishin rezultat i hetimeve të gjata dhe komplekse, të kryera nga Policia e UNMIK-ut, disa prej të cilave kishin filluar në fillim të vitit 1999." UNMIK-u shtoi se nuk kishte as aspekt as motivim politik për arrestimet që ishin kryer kundër personave për të cilët dyshohej se kishin kryer krime të rënda, por jo kundër ndonjë grupi ose organizate që i përkasin ose që i përkisnin në të kaluarën. Të gjithë të dyshimtit e arrestuar do t'i kenë të gjitha të drejtat e parapara me ligj dhe rastet e tyre do të shqyrtohen sa më shpejt, me drejtësi të paanshme dhe objektive.

Francesco Bastagli mori përsipër detyrën e vet si Zëvendës i Përfaqësuesit Special, përgjegjës për Shtyllën e UNMIK-ut për Administratë Civile. Z. Bastagli vjen në vend të z. Tom Koenigs, i cili iu bashkangjit UNMIK-ut në vitin 1999, pak kohë pasi ishte themeluar. Nën udhëheqjen e z. Koenigs ishin vënë themelet e një administrate bashkëkohore civile në Kosovë dhe ishin themeluar, nga zeroja, strukturat themelore administrative në nivelin krahinor dhe komunal. Z. Bastagli, i cili tërë karrierën e vet ia ka kushtuar OKB-së, ka njohuri të posaçme për çështjet e zhvillimit, si dhe për kontrollimin e drogës dhe parandalimin e krimit. Gjatë tri vjetëve të kaluara, ai ka punuar si koordinator rezident i OKB-së dhe përfaqësues rezident i UNDP-së në Iran. Prej vitit 1991 deri në vitin 1999, ai punoi për Zyrën e OKB-së për Kontrollimin e Drogës dhe Parandalimin e Krimit, ku ai u bë drejtor i programit ndërkombëtar për kontrollimin e drogës.

20 gusht

Shtylla e BE-së përsëriti apelin e vet drejtuar popullit të Kosovës për ta kursyer rrymën sa më shumë që të jetë e mundur dhe për t'i fikur aparatet elektrike kur ato nuk nevojiten më. Zëdhënësi i BE-së bëri të ditur se kontrata për riparimin e bllokut B2, të goditur nga rrufeja muajin e kaluar, u nënshkrua javën e kaluar. Kontrata për punët riparuese në bllokun B2 u nënshkrua të premten e kaluar. Alstom/Innogy u zgjodhën për të kontraktuar për punët riparuese. Punët riparuese tashmë kanë filluar dhe duhet të përfundojnë në javën e parë të dhjetorit. Orari i tanishëm i rrymës tri orë me rrymë, tri pa të do të mbahet derisa të jetë e mundur.

23 gusht

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sot miratoi rregulloren mbi mediat gjatë fushatës zgjedhore. Kjo do të thotë se publikut duhet t'i ofrohen të dhëna të përpikta dhe të baraspeshuara për ata që janë certifikuar për të marrë pjesë në zgjedhje. Rregullorja u urdhëron mediave të Kosovës që subjekteve politike të certifikuara nga KQZ-ja t'u japin kohë gratis për emetim, dhe qasje dhe çmime të drejta për ata që reklamojnë në gazeta dhe revista. Përveç kësaj, të gjitha mediave u tërhiqet vërejtja që t'i ndjekin kodet e mirësjelljes për shtyp dhe emetim për të siguruar të drejtën e lirisë së të shprehurit, e cila i detyron ato të sigurojnë përpikëri, drejtësi dhe paanësi në të gjitha raportimet. Vitin e kaluar, dy media u sankcionuan për shkak të raportimit të padrejtë dhe të anshëm, kurse një media tjetër u sankcionua për shkak se refuzoi ta shfaqte spotin e një subjekti politik.

Përkrahësit e ish-anëtarëve të UÇK-së, të cilët u arrestuan për shkak të dyshimit se kanë kryer krime të rënda, mbajtën një demonstratë në Prishtinë. Policia vlerësoi se në demonstratë morën pjesë rreth 2,000 veta. Demonstrata më të vogla u mbajtën edhe në disa qytete të tjera.

Top


UNMIK Chronicle është botim i Sektorit për Informim Publik, UNMIK Prishtinë - Tel: (381.38) 504.604 ext. 5610, email: poultney@unmik.org