Botimi Nr. 46 - 16-22 shtator 2002

16 shtator

PSSP Michael Steiner i dërgoi një letër z. Cervenkovski me të cilën e uron për fitore në zgjedhjet parlamentare të së dielës në IRJM. Në një telefonatë drejtuar kryetarit Trajkovski, z. Steiner tha se ishte i impresionuar me mënyrën demokratike në të cilën ishin organizuar zgjedhjet dhe me sjelljen e qetë dhe dinjitoze të votuesve.

17 shtator

UNMIK-u tha se vala e fundit e protestave të dhunshme në Graçanicë ishte nxitur nga raportet e pavërteta në disa media serbe se administratori komunal i Prishtinës kishte nënshkruar një dokument me të cilin i ftonte 15 mjekë shqiptarë për të punuar në shtëpinë e shëndetit në Graçanicë. UNMIK-u tha në një komunikatë për media se një dokument i tillë as që kishte ekzistuar dhe se kurrë nuk ishte diskutuar për një plan të tillë. Protestat filluan të enjten, më 5 shtator, kur rreth 200 veta, përfshirë këtu punëtorët shëndetësorë, hynë në shtëpinë e shëndetit dhe e dëbuan drejtorin e saj të tanishëm.

19 shtator

Një hetim i plotë, i udhëhequr nga një ekip i përbërë prej 17 punëtorëve të UNMIK-ut, përfshirë këtu 3 ekspertë të mjekësisë ligjore nga zyra për persona të zhdukur dhe mjekësi ligjore, konkluduan se raportet e mediave serbe që një varrezë në Rahovec mund të jetë varrezë masive e serbëve të Kosovës të vrarë në qershor të vitit 1999 janë tërësisht të pabazuara. Koordinatori i Qendrës Koordinuese për Kosovë (QKK) për persona të zhdukur dhe të kidnapuar, Vesna Boshkoviq, ishte dëshmitare e këtij hetimi.

20 shtator

Michael Steiner nënshkroi dy urdhëresa të rëndësishme administrative, "Për shkyçje nga shërbimet e furnizimit me energji elektrike" dhe "Për pagimin e borxheve të shërbimeve të energjisë elektrike." Urdhëresa "Për shkyçje" e autorizon KEK-un për t'ua ndërprerë furnizimin me energji elektrike konsumatorëve për mospagim të faturave, për përvetësim mashtrues ose për shfrytëzim të shërbimeve të energjisë elektrike, përfshirë këtu vjedhjen, dhe refuzimin e padrejtë të së drejtës së një punëtori të KEK-ut për t'i kontrolluar pajisjet e rrymës ose për t'i lexuar orët e rrymës. Urdhëresa "Për pagimin e borxheve të shërbimeve të energjisë elektrike" kujdeset për pagimin e borxheve të paraqitura që nga 1 tetori 1999. Orari për pagimin e borxheve do të jetë variabil për secilin konsumator, me një periudhë minimale prej tre vjetësh. Në të dy urdhëresat janë bërë provizione të posaçme për grupe të cenueshme dhe për raste të varfërisë së vërtetë.

21 shtator

PSSP lexoi porosinë e paqes me rastin e Ditës së Paqes të Kombeve të Bashkuara, në të cilin ai i nxiti kosovarët që ta pasqyronin me krenari masën e sigurisë dhe të drejtësisë që tashmë është sjellë në Kosovë. PSSP e lexoi porosinë e paqes në një tubim të artistëve dhe të valltarëve në selinë e UNMIK-ut në Prishtinë menjëherë pasi që i ra këmbanës së paqes pothuaj në të njëjtën kohë kur Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së e bënte të njëjtën gjë në selinë e OKB-së në Nju Jork dhe përfaqësues të tjerë të OKB-së u binin këmbanave në pjesë të tjera të botës. Këmbana e paqes ishte përpunuar nga metelikët e kontribuar nga fëmijët në të gjitha kontinentet dhe e dhuruar nga Japonia. Z. Steiner tha se "Kosova nuk është ishull; ajo që ndodh këtu, për të mirë ose për të keq, është pjesë përbërëse e betejës për ta bërë Ballkanin, Evropën dhe botën më të gjerë më të sigurt dhe më të drejtë."

22 shtator

Pas bisedave të nivelit të lartë ndërmjet Beogradit dhe UNMIK-ut, kthimi i planifikuar masovik i personave përkohësisht të zhvendosur (PPZH) në Serbi nuk u realizua. PPZH-të kishin planifikuar ta kalonin kufirin në këmbë në Portat 3 dhe 5 dhe t'i bllokonin ato në shenjë proteste në hapin e nismave që mundësonin kthimin e tyre. Politika e UNMIK-ut gjithnjë ka qenë se kthimet masive ishin kundër interesit të të kthyerve, dhe se kthimet duhet të organizohen nga "poshtë lartë."

Top


UNMIK Chronicle është botim i Sektorit për Informim Publik, UNMIK Prishtinë - Tel: (381.38) 504.604 ext. 5610, email: poultney@unmik.org