Botimi Nr. 47 - 23-29 shtator 2002

23 shtator

Katër specialistë ndërkombëtarë të mjekësisë ligjore filluan punën së bashku në Prishtinë si një komision i kontrolluesve për ta mbikëqyrur rekrutimin e kontrolluesve mjekësorë për zyrën e re të kontrolluesve mjekësorë (ZKM). ZKM do të veprojë si një organ qendror mjekoligjor për Kosovën dhe do të punësojë mjekë shqiptarë dhe serbë të mjekësisë ligjore. Do të angazhohen tetë kontrollues mjekësorë.

Një vlerësim i mirëfilltë nga zyra për persona të zhdukur dhe mjekësi ligjore (ZPZHML) dhe nga njësia e Policisë së UNMIK-ut për persona të zhdukur ka përcaktuar se nuk ka varrezë masive afër fabrikës "Ballkan" në Suharekë. Ekipi, i udhëhequr nga një arkeolog mjekoligjor i ZPZHML-së, mihu nëntë gropa në një vend për hedhjen e mbeturinave prapa fabrikës dhe nuk gjeti kurrfarë dëshmishë të kufomave të njerëzve. ZPZHML veproi në bazë të pohimeve të bëra në gusht nga Rada Trajkoviq, anëtare e Qendrës Koordinuese për Kosovë dhe Metohi, në mediat serbe se një varrezë masive ishte fotografuar dhe se pjesë të rrobave dhe mostra të tjera ishin marrë për analiza dhe identifikim të kufomave.

24 shtator

Policia e UNMIK-ut arrestoi dy nëpunës të lartë publikë të sektorit të komunës së Prishtinës për kadastër, gjeodezi dhe pronë mbi dyshim për korrupcion. Hetuesit dyshojnë se nëpunësit e agjencionit ua bartnin në mënyrë joligjore pronën publike ose shtetërore individëve privatë. Kjo informatë iu paraqit një gjykatësi ndërkombëtar, i cili autorizoi kontrollimin e agjencionit kadastror dhe të vendeve të tjera. Zyrat e kadastrës janë të mbyllura gjersa kontrollimi është duke u kryer.

PSSP Michael Steiner vizitoi dy projekte të kthimeve në rajonin e Gjilanit, në të cilin personat e zhvendosur janë duke i rindërtuar shtëpitë dhe duke përfituar nga projektet për gjenerimin e të ardhurave dhe të formave të tjera të përkrahjes. Në Stara Koloni, një ish-qytet i minierave afër Novobërdës, është duke u punuar në kthimin e 23 familjeve të zhvendosura - 18 serbe dhe pesë shqiptare. Kthimi i 23 familjeve serbe dhe i 10 familjeve shqiptare tani është në proces e sipër në dy fshatra fqinje në komunën e Gjilanit - Makresh i Poshtëm dhe Makresh i Epërm.

25 shtator

Michael Steiner vizitoi Skenderajn, ku për familjet e personave të zhdukur janë ekspozuar fotografi të rrobave dhe gjësende personale të kufomave të paidentifikuara. Rrobat dhe gjësendet personale janë të kufomave të gjetura në një varrezë masive në Petrovo Selo, në Serbi. Zyra e UNMIK-ut për persona të zhdukur dhe mjekësi ligjore beson se këto gjësende mund të jenë të viktimave të një vrasjeje masive në Izbicë (Kosovë) në mars të vitit 1999.

27 shtator

Jose-Pablo Baraybar, shef i zyrës së UNMIK-ut për persona të zhdukur dhe mjekësi ligjore, mbajti një konferencë të shkurtër për gazetarë në të cilën i shqyrtoi zhvillimet në identifikimin e personave të zhdukur dhe të arritura të tjera në zyrën e tij. Ai foli për lëshimin e certifikatave mjekësore, që filloi më 29 korrik 2002, dhe për zhvarrosjen, që shpuri në gjetjen e 4,500 kufomave që nga viti 1999. Z. Baraybar tha se mbeten të zhvarrosen më tepër se 200 varreza të reja individuale dhe se hetimet mund ta ndriçojnë fatin e 100 kufomave të tjera.

29 shtator

PSSP Michael Steiner e cilësoi vizitën e tij në Slloveni, më 27-28 shtator, si njërën prej vizitave më të suksesshme që ka bërë në rajon deri më tani. Ai u takua me kryeministrin Janez Dërnovshek, me ministrin e jashtëm Dmitrij Rupel dhe me ministrin e ekonomisë Tea Petrin, si dhe me kryetarin e parlamentit Borut Pahor dhe me kryetarin e komitetit të kuvendit për politikë të jashtme Jelko Kacin. Të dy palët nënshkruan një marrëveshje në parim mbi njohjen e ndërsjellë të sigurimit të automjeteve. Gjithashtu u diskutuan pranimi i targave të Kosovës dhe negociatat për marrëveshjet për mbrojtjen e investimeve për Slloveninë dhe Kosovën. Sllovenia u pajtua të japë garancione kreditore për eksport nëpërmjet institucioneve kompetente për eksportimin e mallrave në Kosovë.

Top


UNMIK Chronicle është botim i Sektorit për Informim Publik, UNMIK Prishtinë - Tel: (381.38) 504.604 ext. 5610, email: poultney@unmik.org