Botimi Nr. 49 - 7 - 13 tetor 2002

9 tetor

Udhëheqësi i bashkësisë serbe Oliver Ivanoviq iu dorëzua një gjykate të UNMIK-ut në Mitrovicën veriore dhe u akuzua për udhëheqje të një demonstrate të dhunshme. Akuza për tentativë për vrasje u hodh poshtë pasi u përcaktua se ai nuk e kishte hedhur granatën e dorës në policë gjatë një trazire në Mitrovicë më 8 prill. Michael Steiner tha, "Unë mirëpres faktin që Milan Ivanoviq vërtet u vu në dispozicion të gjykatës legjitime të UNMIK-ut. Unë gjithnjë kam thënë se kjo ishte mënyra e vetme e duhur e hapur për të. Gjykatësi hetues tani do të vendosë për hapat e tjerë që do të ndërmirren për këtë rast."

11 tetor

UNMIK-u e dënoi sulmin e dhunshëm të një turme kundër pensionistëve në Pejë më 10 tetor 2002 si "të mjerueshëm, të turpshëm dhe të neveritshëm." PSSP tha se "ky incident është posaçërisht fatkeq pasi ai shkon kundër trendit të përgjithshëm të sigurisë së përmirësuar dhe të dhunës në rënie e sipër. Çfarë ka menduar kjo turmë se do të mund të arrite duke sulmuar një grup të personave të moshuar që thjesht vinin për ta paraqitur kërkesën për pension?" Z. Steiner shtoi: "Do t'ju tregoj se çfarë arriti: dëm serioz për imixhin e Kosovës në sytë e botës."

Komiteti energjetik u takua për herë të pestë në selinë e UNMIK-ut në një mbledhje të kryesuar nga PSSP. Në të morën pjesë kryeministri Bajram Rexhepi, zëvendëskomandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Perruche, Josef Rieder (drejtor i përkohshëm i KEK-ut) dhe shefi i Shtyllës IV Andy Bearpark. Z. Reider njoftoi për statusin e ristrukturimit dhe për situatën e tanishme në KEK. Komiteti gjithashtu dëgjoi një raport për politikën e re të shkyçjes "Bëhu i rreptë," e cila tashmë i ka inkurajuar disa mospagues të mëdhenj institucionalë që të fillojnë t'i paguajnë faturat e tyre të papaguara.


12 tetor

Rreth 60 kompani i ekspozuan mallrat dhe shërbimet e veta në panairin ndërkombëtar Agrokos, që u mbajt në qendrën e rinisë Boro dhe Ramizi në Prishtinë. Në këtë ekspozitë u ekspozuan mallrat bujqësore, ushqimi i kafshëve dhe teknologjia për përpunimin e ushqimit, dhe teknologjia e amvisërisë. Shumica e ekspozuesve ishin nga Kosova, por të tjerët erdhën nga rajoni i gjerë, përfshirë këtu Shqipërinë, Maqedoninë dhe Bullgarinë. Gjatë një vizite në këtë ekspozitë, Michael Steiner iu drejtua ekspozuesve dhe mirëpriti iniciativën për ta organizuar një panair të përqëndruar në prodhimet bujqësore, në kompanitë përpunuese dhe në mallrat e amvisërisë. "Ky është një treg që ka ardhmëri në Kosovë, sepse në Kosovë ju mund t'i gjeni materialet themelore, njohuritë dhe myshterinjtë për këto mallra," tha ai.
13 tetor

PSSP vizitoi dy fabrika të suksesshme, në Pejë dhe në Suharekë, për ta nënvizuar angazhimin e tij për ta përshpejtuar rimëkëmbjen ekonomike në Kosovë. Në Pejë, z. Steiner vizitoi fabrikën e birrës "Birra e Pejës," që është punëdhënësi i vetëm më i madh në këtë komunë. Z. Steiner gjithashtu u takua me kryetarin e kuvendit komunal Ali Lajçi dhe me kryeshefin ekzekutiv Ramiz Zeka dhe u tha se sulmi i të enjtes kundër pensionistëve serbë ishte i keq për Pejën dhe i dëmshëm për imixhin e Kosovës si tërësi. Më pas, z. Steiner vizitoi Osojanin, ku u takua, për më tepër se një orë, me shumë pensionistë që ishin në autobus kur incidenti ndodhi. Në Suharekë, PSSP vizitoi fabrikën IGK Ballkan, industrinë kryesore për prodhimin e gomës në Kosovë. Kjo kompani, e cila prodhon produkte të gomës dhe shirita bartës, punëson 750 punëtorë dhe eksporton në disa shtete fqinje dhe të Evropës perëndimore. Njëri prej tregjeve të saj vendore është KEK-u. "Pagimi i faturave të KEK-ut do të thotë se kompanitë si kjo më pas mund të paguhen për pajisjet që ato ia sigurojnë KEK-ut," tha ai. "Kosova punon më mirë kur punon bashkë."

Top


UNMIK Chronicle është botim i Sektorit për Informim Publik, UNMIK Prishtinë - Tel: (381.38) 504.604 ext. 5610, email: poultney@unmik.org