14 tetor
Këshilli ekonomik
dhe fiskal (KEF) arriti një marrëveshje për shqyrtimin
e buxhetit gjashtëmujor të vitit 2002. Teprica nga viti 2001
u konfirmua të jetë 101 milionë euro, por kjo shifër
duhet t'i nënshtrohet kontrollit përfundimtar. Autoriteti
Qendror Fiskal dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE) duhet
ta përgatisin një propozim të përbashkët për
shfrytëzimin e fondeve shtesë që dalin nga përfundimi
i llogarive të vitit 2001. Andy Bearpark, shef i Shtyllës
IV të UNMIK-ut (BE), bëri të ditur se grupi drejtues
i nivelit punues kishte vlerësuar se do të nevojiteshin rreth
500 milionë euro të ndihmave ndërkombëtare për
tri vjetët e ardhshme në Kosovë. Ministri i ekonomisë
dhe financave, Ali Sadriu, ia paraqiti KEF-it orarin e përgatitur
të buxhetit të vitit 2003, i cili u pajtua për rekomandimin
e përbashkët të MEF-it dhe KEF-it për ta përkrahur
atë.
15 tetor
PSSP Michael Steiner
dhe kryetari i Kosovës Ibrahim Rugova inauguruan terminalin privat
të gazit të lëngët të petroleumit në Fushë
Kosovë. Kompania Standard Plin është ndërmarrje
e përbashkët e një firme zvicrane dhe kosovare. Terminali
i gazit do t'i furnizojë me gaz shfrytëzuesit shtëpiakë
dhe industrialë, si dhe pajisjet e nevojshme për përdorimin
e tij. "Gazi është alternativë e pastër dhe
e sigurt krahas energjisë elektrike," tha z. Steiner. "Terminali
i gazit gjithashtu është i mirë për KEK-un, sepse
duhet të jemi të kujdesshëm me shfrytëzimin e energjisë
elektrike." Terminali siguron punë për 50 veta nëpërmjet
një investimi të jashtëm prej 8 milionë eurove.
Drejtori i Departamentit
të Drejtësisë, Clint Williamson, njoftoi për krijimin
e një komisioni për lirim me kusht, të bazuar në
ligjin e zbatueshëm në Kosovë. Në bazë të
këtij ligji, që është në fuqi që nga 1
tetori, personat e dënuar, të cilët e kanë vuajtur
gjysmën e dënimit, mund të merren parasysh për lirim
me kusht. Komisionin e udhëheq William Irvine, shef i Sektorit
për Menaxhim Penal, dhe përbëhet prej dy gjykatësve
ndërkombëtarë dhe tre gjykatësve vendorë dhe
prej tetë anëtarëve të tjerë. Secili grup punues
i komisionit do të përbëhet prej pesë anëtarëve,
të cilët do ta shqyrtojnë përmbushjen e secilit
person të dënuar gjatë kohës që gjendet në
burg, raportet e punëtorëve socialë, të personelit
mjekësor dhe të eprorëve korrektues, si dhe deklaratat
e personit të dënuar dhe materialet e tjera plotësuese
lidhur me këtë. Nëse lirohet me kusht, personi i dënuar
duhet ta nënshkruajë një premtim se nuk do të angazhohet
në veprimtari të tjera kriminale dhe duhet të paraqitet
në stacionin më të afërt të policisë në
vendbanimin e vet.
Gjatë takimit
të tretë të rregullt të Bordit të Agjencionit
Kosovar të Mirëbesimit (AKM), të mbajtur në Prishtinë,
u morën këto vendime: "Në përputhje me planin
shtatëpikësh të PSSP-së për Mitrovicën,
selia e AKM-së do të bartet në Mitrovicën veriore
sa më shpejt. Zyrat rajonale do të hapen në Prishtinë,
Prizren, Pejë dhe Gjilan." U miratuan urdhëresat, rregullat
e procedurës së Bordit të AKM-së dhe akti themelues
i AKM-së, si dhe katër kaptinat e para të politikës
së punës. Pas përfundimit të teksteve, ato do të
bëhen dokumente publike dhe mund të merren nga AKM-ja.
16 tetor
PSSP Michael Steiner
u takua me patriarkun Pavle të kishës ortodokse serbe dhe
me katër peshkopë nga sinodi i shenjtë në Beograd.
Gjatë një takimi të gjatë dhe të përzemërt,
ata biseduan për situatën e tanishme në Kosovë.
Ata gjithashtu diskutuan pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës
në zgjedhjet komunale të 26 tetorit. Në bisedat, të
cilat u cilësuan si të ngrohta dhe intensive, PSSP dhe zyrtarët
e lartë ortodoksë diskutuan vështirësitë, progresin
dhe mundësitë me të cilat përballet populli i Kosovës.
PSSP Michael Steiner tha se ishte i inkurajuar me diskutime, të
cilat gjithashtu përfshinin planin e tij shtatëpikësh
për Mitrovicën dhe konceptin e tij të decentralizimit.
Top