Botimi Nr. 52 - 28 tetor- 03 nëntor 2002



30 tetor

Kryetari i Jugosllavisë Vojisllav Koshtunica, zëvendëskryeministri i Serbisë Nebojsha Çoviq dhe PSSP i UNMIK-ut Michael Steiner biseduan në Beograd menjëherë pas zgjedhjeve komunale në Kosovë. Z. Steiner gjithashtu u takua me ambasadorët e shteteve të Grupit të Kontaktit në Jugosllavi. Pas takimit, PSSP shkurtimisht i informoi gazetarët për zgjedhjet komunale të shtunës së kaluar. "Sinqerisht, përshtypja ime është se serbët e Kosovës e kanë qëlluar vehten në këmbë," tha ai. "Paraqitja e vogël e serbëve ishte rezultat i porosive kontradiktore përkitazi me zgjedhjet. Kjo e ka zvogëluar mundësinë e tyre për të marrë pjesë në proceset vendimmarrëse në Kosovë, por ai ishte vendimi i votuesve." Ai konfirmoi se bisedimet me udhëheqësit e partive politike të Kosovës për decentralizim janë anuluar për shkak të paraqitjes së vogël të votuesve, por ai shtoi se "kjo nuk do të thotë se filozofia e decentralizimit është jashtë tavolinës."


1 nëntor

Michael Steiner dhe kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi përuruan Grupin Punues mbi Kthimet, i cili do ta mbikëqyrë dhe frymëzojë procesin e kthimeve duke siguruar përkrahje dhe koordinim të përbashkët të nivelit të lartë. Grupi Punues ka për qëllim të sigurojë zbatim efikas dhe të qëndrueshëm të politikave të kthimit ndër institucionet kryesore dhe në mbarë Kosovën. Të katër shtyllat për kthime, UNMIK-u, KFOR-i, qeveria e përkohshme dhe UNHCR, morën pjesë në takimin përurues. Koordinatori ndërministror për kthime, Millorad Todoroviq, dhe këshilltari i lartë i UNMIK-ut për kthime, Nenad Radosavleviq, morën pjesë në diskutime. "Kthimi është për të gjithë ne prioritet i lartë," tha Steiner. "Ne nuk dëshirojmë të krijojmë burokraci të re, por ta kemi një forum koordinues i cili këtë prioritet do ta kthejë në realitet. Kjo është një shenjë e mirë për PPZH-të, për bashkësinë pranuese dhe për bashkësinë ndërkombëtare se ne e mendojmë atë që e themi."


2 nëntor

Në një takim të mbrëmjes në rezidencën e PSSP-së, z. Steiner dhe udhëheqësit e partive politike të shqiptarëve dhe të serbëve të Kosovës u pajtuan për nevojën për t'i sjellë institucionet e qeverisë së Kosovës më afër popullit dhe bashkësive të cilat ato i përfaqësojnë. "Patëm një diskutim konstruktiv lidhur me atë se si të shkojmë përpara tani, dhe ritheksuam se Kosova duhet të jetë shoqëri vërtet shumetnike," tha PSSP. "Ne u pajtuam që të gjitha bashkësitë e Kosovës do të punojnë në kuadër të institucioneve të Kosovës." Në një letër dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Walter Schwimmer, z. Steiner kërkoi që Këshilli t'i ndihmojë Kosovës ta zhvillojë një propozim për decentralizimin e institucioneve të qeverisë në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me Kornizën Kushtetuese dhe me praktikat bashkëkohore evropiane.


3 nëntor

Duke i shpallur "të vlefshme dhe përfundimtare," Michael Steiner zyrtarisht vërtetoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për kuvende komunale të vitit 2002, të cilat i organizoi OSBE-ja. Rezultatet zyrtare të zgjedhjeve i dorëzoi shefi i Misionit të OSBE-së Pascal Fieschi. Rezultatet i kishte miratuar më herët Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. "Zgjedhjet komunale ishin në përputhje me standardet ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të paanshme," tha z. Fieschi. Pasi PSSP nënshkroi rezultatet zyrtare, u lexua me zë të lartë numri përfundimtar i vendeve të fituara nga secila parti në të 30 komunat e Kosovës. "Në këto zgjedhje komunale, në sajë të partive politike, por gjithashtu edhe të OSBE-së, morën pjesë të gjitha bashkësitë e Kosovës," tha z. Steiner. "Disa morën pjesë në numër më të vogël, por ato vërtet morën pjesë... Jam optimist për ardhmërinë e Kosovës. Ende na pret një rrugë e gjatë për përmbushjen e standardeve, por këto zgjedhje konfirmojnë se jemi duke shkuar përpara me hapa të mëdhenj."

Top


UNMIK Chronicle është botim i Sektorit për Informim Publik, UNMIK Prishtinë - Tel: (381.38) 504.604 ext. 5610, email: poultney@unmik.org