5 nëntor
Drejtori i agjencionit
suedez për zhvillim ndërkombëtar (SIDA), Christoffer
Sjöholm nënshkroi një marrëveshje me UNMIK-un për
ta zhvilluar Zyrën Statistikore të Kosovës (ZSK). Mallrat
dhe shërbimet e vlerësuara në 8,759 milionë kruna
suedeze (përafërsisht 959,500 euro) do t’i drejtohen
ZSK-së përmes një projekti 4-vjeçar të titulluar
“Statistika ekonomike dhe teknologjia informative në Kosovë.”
Qëllimet e projektit janë: së pari, t’i ndihmojë
Kosovës për t'i zhvilluar statistikat e dobishme ekonomike,
si regjistri i ndërmarrjeve, çmimi dhe statistika e tregtisë
së jashtme; dhe, së dyti, ta lehtësojë vendimmarrjen
duke siguruar statistika përkatëse dhe të sigurta që
janë në pajtim me kërkesat e BE-së.
PSSP Michael Steiner
iu drejtua një takimi të donatorëve që u mbajt në
Bruksel, gjatë të cilit ai nënvizoi atë që
e quajti, partneritet të fortë dhe të suksesshëm
ndërmjet OKB-së, OSBE-së, BE-së dhe KFOR-it. “Gjithënjë
e më shumë, ai gjithashtu është partneritet ndërmjet
UNMIK-ut dhe institucioneve të reja dhe demokratike të Kosovës,
që po e formëson suksesin e ardhshëm të Kosovës,”
tha ai. “Ky nuk ka të bëjë vetëm me tullat
dhe llaçin, por ka të bëjë me ndërtimin e
institucioneve; ndërtimin e bashkësive dhe ndërtimin
e besimit – dmth. paqeruajtjes mentale.” Z. Steiner e shoqëruan
kryeministri Bajram Rexhepi dhe koordinatori ndërministror për
kthime, Millorad Todoroviq.
6 nëntor
Me t’u kthyer
nga Brukseli në Kosovë, Michael Steiner e përshkroi takimin
si shumë të suksesshëm. “Mbi 30 shtete njohën
progresin që po bëhet në Kosovë, dhe, ç’është
edhe më me rëndësi, ata shprehën gatishmërinë
e tyre për të mbetur të angazhuar në Kosovë,”
tha ai në aeroportin e Prishtinës. “Donatorët janë
zotuar për t’i siguruar edhe 500 milionë euro për
vitet 2003–2005. Ata janë të sigurt se 200 milionë
të këtij donacioni do të jenë në dispozicion
për vitin 2003. Donatorët plotësisht e kuptuan se Kosova
do të ketë nevojë të ketë qasje ndaj institucioneve
ndërkombëtare financiare.” Pasi foli për financimin
e donatorëve, PSSP komentoi për çështjen e projektpreambulës
për një kartë të Serbisë dhe të Malit
të Zi. “Sa i përket projektpreambulës ndërmjet
Beogradit dhe Malit të Zi, unë i kuptoj shqetësimet në
Kosovë, por duhet të kemi fakte të qarta. Është
një projekt dhe një projekt i vjetër. Dhe është
një tekst nën palët e treta, i cili në asnjë
mënyrë nuk e detyron Kosovën.”
7 nëntor
PSSP Michael Steiner
anuloi rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Kosovës, e cila
e shpalli si “të papranueshme dhe të pavlefshme”
projektpreambulën e kartës kushtetuese të Serbisë–Malit
të Zi përkitazi me Kosovën. Z. Steiner tha se Kosova
është nën mandatin e Rezolutës 1244 të Këshillit
të Sigurimit të OKB-së, dhe se as Beogradi e as Prishtina
nuk mund ta paragjykojnë statusin e ardhshëm të Kosovës,
i cili është i hapur dhe do të përcaktohet nga Këshilli
i Sigurimit të OKB-së. “Cilado deklaratë e njëanshme,
të cilën Këshilli i Sigurimit nuk e përkrah, nuk
do të ketë efekt ligjor në statusin e ardhshëm të
Kosovës,” tha PSSP.
10 nëntor
UNMIK-u, UNHCR-ja
dhe KFOR-i lëshuan një komunikatë të përbashkët
për media me të cilën fuqimisht dënojnë incidentin
e gjuajtjes së gurëve afër qytetit Gërmovë
në komunën e Vitisë. Incidenti ndodhi më 7 nëntor,
gjatë një vizite “shko-dhe-shih,” të sponsoruar
nga komiteti i bashkuar metodist për ndihma. Gjatë vizitës,
një grup i shqiptarëve me qëllim e ndërpreu konvojin
e automjeteve duke gjuajtur gurë dhe vezë, duke thyer dritaret
e disa automjeteve dhe duke lënduar lehtë një polic të
UNMIK-ut dhe një serb të kthyer. “Ky incident bie ndesh
pikërisht me cilësinë e progresit të arritur këtu
në Kosovë dhe nuk tregon gatishmërinë e shumicën
së qytetarëve për ta përkrahur kthimin e pakicave,”
tha Pasqualino Verdecchia, administrator i UNMIK-ut për rajonin
e Gjilanit.
Top