Botimi Nr. 48 - 30 shtator - 6 tetor 2002

19 nëntor

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan, duke përfunduar vizitën e vet 24-orëshe në Kosovë, vizitoi Mitrovicën veriore, ku u takua me kadetët e saporekrutuar serbë të Sërbimit Policor të Kosovës. Ai gjithashtu vizitoi Makreshin e Epërm, një bashkësi shumetnike në rajonin e Gjilanit. Duke folur në një konferencë për gazetarë para nisjes për në Beograd, z. Anan i çmoi sukseset që ishin arritur që nga vizita e tij e fundit. “Këtë mision e konsideroj të suksesshëm,” tha ai. “Është operacion i suksesshëm dhe të gjithë janë duke punuar mirë së bashku – personeli ushtarak, civil dhe vendor. Mendoj që Kosova ka arritur shumë që nga vizita ime e fundit, dy vjet më parë. Është arritur progres i madh.” Z. Anan, i shoqëruar nga bashkëshortja e vet, tha se, përkundër këtyre arritjeve, pjesa vërtet e vështirë do të jetë ndërtimi i një shoqërie shumetnike, e cila mund të arrihet në mënyrë të suksesshme vetëm nga të dy bashkësitë. “Shumica ka përgjegjësi të posaçme – ata kanë përgjegjësi të posaçme për t’i bërë popujt pakicë të ndjehen se kjo është shtëpia e tyre dhe se ligjet zbatohen njëlloj për të gjithë. Gjithashtu do të kërkoja nga grupet pakicë që t’u bashkangjiten institucioneve dhe të punojnë me to, të marrin pjesë dhe të jenë në gjendje t’i fitojnë levërditë që u ofrohen. Gjithashtu dëshiroj të them se njëra prej çështjeve kryesore që po përpiqemi ta bëjmë këtu është zhvillimi i një shoqërie të bazuar në sundimin e ligjit. Dhe askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. Duhet t’i respektojmë të drejtat e individëve, pacenueshmërinë e të drejtave të njeriut dhe ta trajtojmë çdokënd me dinjitet dhe tolerancë.”

Një prokuror ndërkombëtar në Prishtinë ngriti aktpadi kundër Latif Gashit, Naim Kadriut, Nazif Mehmetit dhe Rrustem Mustafës (me pseudonimin komandant Remi), të gjithë shqiptarë të Kosovës dhe ish-anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), nën akuza për krime të luftës për shkak të shkeljes së Nenit 142 të Kodit Penal të Jugosllavisë. Në aktpadi pohohet se këto krime ishin kryer kundër shqiptarëve civilë të Kosovës gjatë viteve 1998-1999. Aktpadia përmban 11 pika, përfshirë këtu arrestimin dhe ndalimin joligjor, trajtimin johuman, torturën dhe vrasjen. Në përputhje me kërkesën e një prokurori ndërkombëtar, Latif Gashi, Naim Kadriu dhe Nazif Mehmeti u arrestuan më 28 janar 2002. Hetimet gjyqësore i udhëhoqi një gjykatës ndërkombëtar. Më 13 gusht 2002, gjykatësi hetues e kishte zgjeruar hetimin për ta përfshirë të dyshimtin e katërt, Rrustem Mustafën, komandantin e UÇK-së për zonën e “Llapit” në vitet 1998-1999. Të pandehurit mbahen në paraburgim deri në mbajtjen e procesit gjyqësor.

22 nëntor

Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial i Kosovës lëshoi një deklaratë me të cilën denoncon publikimin e informatës rreth kandidatëve gjyqësorë. Në deklaratë thuhej, “Më 15 nëntor 2002, një listë e personave për të cilët thuhej që ishin kandidatë për zyrën gjyqësore dhe prokuroriale, u publikua në gazetën “Koha Ditore.” Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial i Kosovës dëshiron të theksojë se lista e emrave të publikuar në gazetë nuk ka vlefshmëri ligjore dhe se asnjë person i përmendur në të nuk duhet të supozojë se ka qenë i rekomanduar për emërim. Ngjashëm, secili kandidat që është intervistuar dhe emri i të cilit nuk është përmendur në listën e publikuar nuk duhet të supozojë se nuk ka qenë i rekomanduar për emërim.” Timothy Clayson, kryetar i Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial, theksoi: “Asnjë informatë nuk mund të jepet mbi statusin e konkurruesve për gjykatës dhe prokurorë derisa lista e të emëruarve të mos miratohet nga PSSP.” Sekretariati i Këshillit nuk do të ofrojë informata rreth statusit të asnjë konkurruesi derisa kandidatët të mos miratohen nga PSSP, pasi autoriteti për emërimin e kandiatëve për shërbimin e gjyqësisë dhe të prokurorisë është kompetencë e rezervuar e PSSP-së në bazë të Kornizës Kushtetuese. Më 1 nëntor 2002, Këshilli ia dërëzoi Kuvendit një listë të kandidatëve të rekomanduar për emërim. Lista përfshinte informata mbi përgatitjen shkollore dhe përvojën profesionale të secilit kandidat.

Top


UNMIK Chronicle është botim i Sektorit për Informim Publik, UNMIK Prishtinë - Tel: (381.38) 504.604 ext. 5610, email: poultney@unmik.org