Botimi Nr. 56 - 25 nëntor – 1 dhjetor 2002

25 nëntor

Administrata e UNMIK-ut – Mitrovicë u themelua në Mitrovicën veriore, në lokalet që më parë ishin të okupuara nga administrata paralele. PSSP lëshoi një urdhëresë administrative të hartuar për ta bërë më të efektshëm ushtrimin e përgjegjësive administrative dhe të kompetencave nga UNMIK-u në pjesën veriore të komunës së Mitrovicës. Urdhëresa, mbi “Zbatimin e Rregullores së UNMIK-ut 2000/45 mbi Vetëqeverisjen e Komunave në Kosovë,” thekson se “që nga data e hyrjes në fuqi të urdhëresës së tanishme administrative, të gjitha përgjegjësitë dhe kompetencat që u janë dhënë komunave dhe organeve administrative komunale në bazë të Rregullores së UNMIK-ut 2000/45, do të ushtrohen përkohësisht, për sa i përket pjesës veriore të komunës së Mitrovicës, nën autoritetin e administratorit komunal për Mitrovicë.” Administrata e UNMIK-ut – Mitrovicë do të jetë struktura e vetme që i ofron të gjitha shërbimet vendore qeveritare në pjesën veriore të Mitrovicës. Këtë zyrë e kryeson Ramesh Abhishek, që është zëvendës i administratorit komunal John Rogers. Ai do ta ketë një personel prej përafërsisht 120 vetash.

UNMIK-u i tha konferencës së ministrave mbi Krimin e Organizuar në Evropën juglindore se do të kërkonte bashkëpunim më të madh në rajon, do ta ndërtonte kapacitetin vendor për ta luftuar krimin, do ta përmirësonte infrastrukturën dhe kornizën rregulluese dhe zbatimin e një strategjie gjithëpërfshirëse kundër korrupcionit për ta luftuar krimin e organizuar në Kosovë dhe rajon. ZPSSP Charles Brayshaw e përfaqësonte UNMIK-un në konferencën e Brukselit. Konferencën, të cilën e organizoi qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, e ndoqën përfaqësuesit e OKB-së, të shteteve të BE-së, OSBE-së, SHBA-ve, Kanadës dhe Japonisë. Në të gjithashtu morën pjesë përfaqësuesit e fqinjëve të Kosovës. UNMIK-u prezentoi një dokument të titulluar Fushat për Veprim Prioritar. Ky dokument theksonte rëndësinë e ndërtimit mbi Deklaratën mbi Kontrabandimin e Cigareve, duke kërkuar bashkëpunim më të madh me policinë fqinje dhe me shërbimet fqinje doganore dhe duke kërkuar krijimin e një programi për mbrojtjen rajonale të dëshmitarëve. Konferenca ditore përfundoi me një “Deklaratë të Londrës mbi mposhtjen e krimit të organizuar në Evropën juglindore.”

27 nëntor

Gjatë vizitës së PSSP-së Michael Steiner, UNMIK-u dhe IRJM nënshkruan një protokoll mbi bashkëpunimin policor. Z. Steiner dhe udhëheqësit e IRJM-së diskutuan çështjet e interesit dhe të bashkëpunimit të ndërsjellë. Marrëveshja mbi bashkëpunimin policor, e ngjashme me ato që tashmë janë nënshkruar me autoritetet në Tiranë dhe Beograd, përfshin këmbimin e informatave dhe bashkëpunimin në luftimin e krimit të organizuar, terrorizmit, trafikut të femrave, drogës dhe spastrimit të parave. Gjatë vizitës së tij të parë që nga zgjedhja e qeverisë së re, z. Steiner u takua me kryetarin Boris Trajkovski, kryeministrin Branko Cervenkovski, zëvendëskryeministrin Musa Xhaferi dhe Ministren e Punëve të Jashtme Ilinka Mitreva. PSSP tha në një konferencë për gazetarë se ai kishte shkuar në Shkup për të krijuar “marrëdhënie të mira fqinjësore me qeverinë e sapozgjedhur.” Ai shtoi: “Kemi qasje rajonale dhe mendoj se kemi çështje të përbashkëta. Të gjithë pajtohemi se luftimi i krimit të organizuar kërkon bashkëpunim në rajon. Të gjithë pajtohemi se kemi interesa të ndërsjella në nxitjen e mëtutjeshme të tregtisë në rajon dhe pajtohemi se duhet ta nxisim lirinë e lëvizjes.”

29 nëntor

ZPSSP Andy Bearpark hapi selinë e ekipit paraprak të AKM-së në Mitrovicën veriore. Zyrat e reja janë vendosur në ndërtesën Administrata e UNMIK-ut – Mitrovicë derisa lokalet e reja të përhershme të jenë gati. Një ekip paraprak i personelit të AKM-së ia ka filluar punës, kurse anëtarët e tjerë do të vendosen kur zyrat e reja të jenë gati. Janë duke vazhduar punët renovuese në mënyrë që selia e re të jetë funksionale. Pritet që këto zyra të jenë gati në çerekun e parë të vitit 2003.

Top


UNMIK Chronicle është botim i Sektorit për Informim Publik, UNMIK Prishtinë - Tel: (381.38) 504.604 ext. 5610, email: poultney@unmik.org