2 dhjetor
Këshilli Ekonomik dhe Fiskal mbajti mbledhjen e vet të pestë
dhe të fundit të rregullt për këtë vit dhe
u pajtua që buxhetin e vitit 2003 ta finalizonte javën e ardhshme,
në kohë për fillimin e vitit të ri financiar më
1 janar.
3 dhjetor
Shërbimi i Doganave të UNMIK-ut i ka vënë në
punë katër automjete të reja posaçërisht
të pajisura për njësinë e vet përkrahëse
mobile (kundër korrupcionit). Veturat janë të pajisura
mirë me pajisje të përsosura për kërkim, që
përdoren për t’i gjetur vendet e konstruktuara në
veturat e shndërruara për të bartur kontrabandë.
Secila veturë përbëhet prej një udhëheqësi
të grupit dhe tre zyrtarëve. Të gjithë i janë
nënshtruar trajnimit në procedurat doganore, por gjithashtu
edhe trajnimit praktik në metoda të përparuara të
kërkimit. Këto katër vetura janë vënë
në punë që nga fundi i nëntorit dhe gjashtë
të tjera janë duke u përgatitur për shërbim.
Personeli ndërkombëtar siguron këshilla dhe përkrahje
të vazhdueshme praktike duke përdorur përvojën e
tyre të metodave të kontrabandimit në Evropë. Pritet
që së shpejti një ekip i ekspertëve britanikë
kundër korrupcionit t’i bashkangjitet njësisë përkrahëse
mobile për ta plotësuar rritjen e numrit të ekipeve.
4 dhjetor
Ambasadorët
e Bashkësisë Evropiane në Beograd dhe Komisioni Evropian
me seli në Beograd, të shoqëruar nga shefat e zyrave
të BE-së për ndërlidhje në Prishtinë,
u takuan me PSSP-në Michael Steiner në Prishtinë për
një brifing mbi situatën në Kosovë. Z. Steiner sqaroi
situatën e tanishme politike dhe ekonomike në Kosovë.
Ai gjithashtu prezentoi politikën e UNMIK-ut për kthime, duke
theksuar konceptin e tij për kthime të qëndrueshme. Kjo
u përkrah nga ambasadorët e BE-së. Çështja
e decentralizimit u diskutua gjithashtu.
6 dhjetor
PSSP Michael Steiner
vizitoi termocentralin Kosova B2, turbina e të cilit ka filluar
të testohet pas riparimeve të mëdha. Termocentrali do
të testohet disa ditë me radhë para se të hyjë
në punë dhe të prodhojë rrymë për rrjetin
e Kosovës. Z. Steiner uroi drejtorin e KEK-ut Josef Rider dhe personelin
e tij për riparimin e suksesshëm të termocentralit, të
cilin rrufeja e kishte dëmtuar shumë në korrik. “Krenohem
për bashkëpunimin ndërmjet personelit vendor dhe ndërkombëtar,”
tha PSSP. “Kosova gjithashtu mund të krenohet me këtë.”
Pas vizitës
në termocentralin Kosova B2, Komisioni Energjetik mbajti takimin
e vet të gjashtë. PSSP filloi takimin duke thënë,
“Ne duhet t’i urojmë të gjithë që u
angazhuan në programin e riparimit që nga korriku. Të
gjitha blloqet që duhej të riparoheshin këtë vit,
përfshirë këtu bllokun B2 dhe të gjitha blloqet
e Kosovës A, tani janë riparuar në kohën e premtuar.”
Në takim ishin të pranishëm kryeministri Bajram Rexhepi,
drejtori i KEK-ut Josef Rider, kryetari i bordit mbikëqyrës
të KEK-ut Charles Barron Brown dhe zëvendëskomandanti
i KFOR-it gjeneralmajori Jean-Paul Perruche. Drejtori i KEK-ut Josef
Rider tha se blloqet A1, A2, A3 dhe A4 tani janë riparuar, ndërsa
blloku A5 duhet të kthehet në prodhim më 23 dhjetor.
Këtë dhjetor, me blloqet B2 dhe A5 që do të kthehen
në punë, përveç 286 MW që prodhohen nga të
katër blloqet e tjera të termocentralit Kosova A, Kosova do
t’i ketë në dispozicion edhe 420 MW të tjerë.
Megjithatë, Kosova do t’i humbasë 240 MW që momentalisht
importohen nga Bullgaria. Kjo do të thotë se ende do të
ketë mungesë të rrymës gjatë dimrit.
7 dhjetor
PSSP Michael Steiner
dhe një ekip i zyrtarëve të lartë të UNMIK-ut
u nisën për në SHBA për t’u takuar me zyrtarët
e qeverisë së SHBA-ve në Uashington dhe me zyrtarët
e OKB-së në Nju Jork. Z. Steiner do ta informojë sekretarin
e shtetit të SHBA-ve Collin Powell mbi situatën në Kosovë
dhe në rajon.
Top