Botimi Nr. 58 - 9 – 31 dhjetor 2002

9 dhjetor

PSSP Michael Steiner vizitoi Uashingtonin D.C. për të biseduar me Sekretarin e SHBA-ve Colin Powell për situatën në krahinë dhe në rajon. Bisedat u mbajtën në një atmosferë shumë miqësore. Të nesërmen, PSSP udhëtoi për në Nju Jork, ku ai u takua me zyrtarë të lartë të OKB-së për ta diskutuar me ta situatën e tanishme në Kosovë.

11 dhjetor

42 gjykatës dhe prokurorë u emëruan nën autoritetin e PSSP-së, pasi Kuvendi i Kosovës dështoi t’i përkrahte emërimet e tyre, edhe pse atij iu dhanë të gjitha informatat e kërkuara për ata kandidatë. Këtu përfshiheshin 21 serbë të Kosovës, 19 shqiptarë të Kosovës, një boshnjak dhe një goran. Gjithsej 30 gjykatës dhanë betimin në ceremoninë zyrtare më 12 dhjetor. Emrat e kandidatëve u dorëzuan nga Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial i Kosovës (KGJPK), i cili i kishte rekomanduar të 42 kandidatët për emërim.

13 dhjetor

Eksplodimi i një autobombe në qendër të Prishtinës lëndoi mbi 30 njerëz. Disa restorante dhe kafene afër atij vendi u dëmtuan si pasojë e shpërthimit. Policia është duke i bërë hetimet.

14 dhjetor

Një delegacion i Këshillit të Sigurimit të OKB-së erdhi në Kosovë për t’u takuar me zyrtarë të lartë të UNMIK-ut, me udhëheqësit politikë të krahinës dhe me përfaqësues të shoqërisë civile. Misioni katërditor, i udhëhequr nga ambasadori Ole Peter Kolby, nga Norvegjia, filloi me një informim të shkurtër nga PSSP-ja Michael Steiner.

16 dhjetor

Këshilli i Sigurimit u nis për në Beograd pas një fundjave plot me takime, kurse udhëheqësi i misionit tha se sukseset që ishin arritur në krahinë i kishin lënë përshtypje grupit. Ambasadori Ole Peter Kolby, nga Norvegjia, tha në një konferencë për shtyp në Prishtinë se Këshilli e cilësoi udhëtimin si një “vizitë shumë, shumë të dobishme,” dhe se “krahasuar me atë që pamë 18 muaj më parë, këtu është arritur progres i dukshëm.” Themelimi i institucioneve ishte hap i madh përpara dhe situata me rrymë është përmirësuar dukshëm, tha ambasadori Kolby, duke shtuar se puna e Misionit të Administratës së Përkohshme të OKB-së (UNMIK) dhe e forcës ndërkombëtare të udhëhequr nga NATO-ja (KFOR), si dhe përkushtimi i treguar nga udhëheqësit politikë vendorë, i kishte lënë përshtypje grupit të Këshillit të Sigurimit. “Është shumë me rëndësi që kjo punë të vazhdojë,” theksoi ai. “Hapat e parë janë ndërmarrë, por mbeten shumë hapa të tjerë për t’u ndërmarrë. Kjo është qenësore nëse Kosova dëshiron të bëhet një shoqëri shumetnike dhe demokratike.”

17 dhjetor

Anëtarët e Këshillit të Sigurimit theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të plotë të Beogradit me Rezolutën e OKB-së për Kosovën dhe me Tribunalin Ndërkombëtar të OKB-së për Krime të Luftës, tha sot udhëheqësi i misionit të Këshillit pasi përfundimit të vizitës në Republikën Federale të Jugosllavisë. Duke folur në një konferencë për shtyp në Beograd, ambasadori Ole Peter Kolby, nga Norvegjia, tha se delegacioni i Këshillit dje ishte takuar me kryetarin e Jugosllavisë Vojisllav Koshtunica, me kryeministrin e Serbisë Zoran Gjingjiq dhe me zyrtarë të tjerë të lartë. Gjatë këtyre takimeve, tha ambasadori Kolby, anëtarët e Këshillit gjithashtu theksuan se çështjet e diskutueshme në Kosovë do të mund të zgjidheshin vetëm nëpërmejt dialogut ndërmjet të të gjitha palëve të interesuara, dhe se serbët e Kosovës do të duhej të inkurajoheshin për të marrë pjesë plotësisht në institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes së Kosovës.

19 dhjetor

· Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Ilir Meta, arriti për një vizitë dyditore në Kosovë. Meta, që gjithashtu është ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, fillimisht u takua me kryeadministratorin e UNMIK-ut Michael Steiner, kryetarin e Kosovës Ibrahim Rugova dhe kryeministrin Bajram Rexhepi. Meta dhe Steiner u pajtuan që Shqipëria dhe Kosova të kërkonin fonde nga donatorët për linjën 400 KW prej Prizrenit deri në Fierzë, e cila do t’u ndihmonte të dy palëve në tregtimin e rrymës.
22 dhjetor

Një serb nga fshati Cërnicë u vra afër shtëpisë së vet. KFOR-i arrestoi dy shqiptarë. Ata po mbahen në stacionin e policisë në Gjilan si të dyshimtë.

25 dhjetor

Një autobombë eksplodoi në Pejë, duke lënë një person të vdekur, ndërsa dy të tjerë u lënduan si pasojë e eksplodimit. Vozitësi i veturës vdiq në vend, ndërsa bashkëshortja dhe reja e tij pësuan dëmtime të rënda trupore. Eksplodimi ndodhi kur vozitësi e hapi derën e veturës së tij. Gazetat pohonin se ai ishte anëtar i ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

31 dhjetor

PSSP Michael Steiner mbajti fjalimin e vitit të ri në të cilin ai i përkujtoi qytetarët për qëllimin e përbashkët të kosovarëve dhe të UNMIK-ut për ta bërë Kosovën një vend në të cilin të gjithë qytetarët do të mund të jetonin mirë dhe me dinjitet. Ai tha se progresi që bashkësia ndërkombëtare e pret nga Kosova do të mund të arrihej me partneritetin e institucioneve të Kosovës me UNMIK-un, secila duke kompletuar pjesën e vet të punës. Por, më e rëndësishmja ishte përfshirja dhe përkrahja aktive e popullatës së Kosovës. Energjia dhe vitaliteti i saj e bënë atë optimist për të ardhmen.



UNMIK Chronicle është botim i Sektorit për Informim Publik, UNMIK Prishtinë - Tel: (381.38) 504.604 ext. 5610, email: poultney@unmik.org