19 nëntor
Zëvendësi
i PSSP-së dhe shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë,
ambasadori Daan Everts, shpalli rezultatet paraprake të zgjedhjeve
për Kuvend. Të dhënat tregonin se LDK fitoi 42.29% të
votave, PDK fitoi 29.54%, ndërsa subjekti i sapoformuar politik
i serbëve të Kosovës, koalicioni Kthimi, zuri vendin
e tretë për nga përqindja: 10.96%. Partia e tretë
më e madhe e shqiptarëve të Kosovës, AAK, fitoi
7.82% të votave.
Sekretari i Përgjithshëm
i OKB-së, Kofi Annan, duke mirëpritur udhëheqjen e zgjedhjeve
për Kuvend, uroi popullin e Kosovës për "zotimin
ndaj normave demokratike nëpërmjet zbatimit paqësor të
rregullave zgjedhore të treguara gjatë tërë fushatës
dhe në ditën e zgjedhjeve. Ai gjithashtu tha se ishte i kënaqur
që anëtarët e bashkësive pakicë u paraqitën
me të madhe për të votuar dhe theksoi shpresën se
përfaqësuesit e zgjedhur të të gjitha bashkësive
do ta zënë vendin e tyre të ligjshëm në institucionet
e vetëqeverisjes së përkohshme.
22 nëntor
Numërimi i votave të zgjedhjeve të 17 nëntorit
përfundoi. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u takua më 24 nëntor
për t'ia rekomanduar PSSP-së vërtetimin e rezultateve.
Departamenti i Qeverisjes Demokratike dhe Shoqërisë
Civile filloi studimin e vet të parë të SPPA-së
për punësim. Studimi, që u ndërmor prej marsit deri
në maj të vitit 2001, shqyrton përvojat dhe perceptimet
e personelit të SPPA-së nga të gjitha departamentet sa
i përketë punësimit dhe politikave dhe praktikave për
mundësi të barabarta. Raporti do t'u ndihmojë organeve
të sapozgjedhura që t'u qasen dobësive në disa nga
politikat dhe praktikat ekzistuese për t'i përmirësuar
kushtet e punësimit për shërbimin civil.
Shtylla IV e UNMIK-ut bëri të ditur për themelimin
e një njësie për krime ekonomike. Subjekti i ri do të
merret me shmangien e qëllimshme të tatimeve, taksave doganore
dhe të akcizës, por gjithashtu edhe me miton, kërcënimin,
vënien e çmimeve të larta, shpërdorimin, mashtrimin,
vjedhjen, korrupcionin e nëpunësve publikë dhe me larjen
e parave.
23 nëntor
Qendra e UNMIK-ut për Koordinimin e Veprimit kundër
Minave (QKVM) asgjësoi disa prej minave të fundit për
të cilat dihej në Kosovë, pasi ajo po përgatitet
për t'ia dorëzuar përgjegjësinë Departamentit
të Sigurisë Civile dhe të Gatishmërisë për
Emergjenca. Në një ceremoni të mbjatur në Arilaçë,
komuna e Sllatinës, PSSP Hans Haekkerup dhe John Flanagan, menagjer
i programit të QKVM-së, përshëndetën kontributin
e nja 1,000 nëpunësve vendorë dhe ndërkombëtarë
në procesin e deminimit në Kosovë.
Administratori i sapoemëruar i komunës së Prishtinës,
Ivo Sanc, nga republika e Çekisë, mbajti një konferencë
për mediat vendore në komunën e Prishtinës. Z. Sanc,
më parë administrator komunal i Gjilanit, zëvendësoi
z. Siegfred Brenke, nga Gjermania, i cili u bë drejtor i Departamentit
të Planifikimit në Ministrinë e re të Shëndetësisë,
Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor.
24 nëntor
Zëvendësi i PSSP-së dhe kryetari i Komisionit
Qendror të Zgjedhjeve, ambasadori Daan Everts, i cili tha se zgjedhjet
përfaqësonin vullnetin e popullit të Kosovës, shpalli
rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për Kuvend. Më
pas, rezultatet i vërtetoi PSSP Hans Haekkerup. Zgjedhjet u quajtën
shembullore, me një paraqitje të votuesve prej 64% (803,796
vota të hedhura) dhe me vetëm 42 ankesa. LDK fitoi numrin
më të madh të vendeve në Kuvend-47, PDK-26, koalicioni
Kthimi-22 dhe AAK-8 vende. Prej 120 anëtarëve të Kuvendit,
34 janë femra. Takimi i parë i Kuvendit është caktuar
të mbahet më 10 dhjetor.
Top