Bartja e përgjegjësive në sektorin
e sundimit të ligjit, e propozuar të fillojë para fundit
të vitit 2005, është element kryesor i agjendës
gjithëpërfshirëse të sigurisë për UNMIK-un
dhe IPVQ-në, një prej gjashtë prioriteteve që PSSP
Søren Jessen-Petersen i përmendi në fjalimin e tij
të fundit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Struktura dhe përgjegjësitë e Ministrisë së
Punëve të Brendshme dhe të Ministrisë së Drejtësisë
janë zhvilluar përmes konsultimeve të gjera gjatë
disa muajve të kaluar, ndërmjet përfaqësuesve të
UNMIK-ut dhe IPVQ-së, të paraqitura nga Zyra e kryeministrit.
Korniza e miratuar është e përcaktuar në një
projektrregullore për ndryshimin e Rregullores së UNMIK-ut
Nr. 2001/19 mbi Degën e Ekzekutivit të Institucioneve të
Përkohshme të Vetëqeverisjes. (Në kohën e shkrimit
të këtij artikulli, projektrregullorja gjendet në selinë
e OKB-së në Nju Jork për shqyrtim dhe miratim).
Parashikohet që sapo Ministria e Drejtësisë të formohet,
ajo do t’i marrë përgjegjësitë për zhvillimin
e linjës së veprimit në fushën e drejtësisë
lidhur me prokurorinë publike dhe qasjen në drejtësi
për pakica, menaxhimin e burimeve buxhetore dhe financiare të
ministrisë, sigurimin e udhëzimeve lidhur me zhvillimin dhe
zbatimin e politikës prokuroriale pa ndërhyrë në
punën e Zyrës së prokurorit publik, të sigurojë
trajnim dhe provim për prokurorë dhe avokatë në
bashkërendim me Institutin Gjyqësor të Kosovës (IGJK),
bashkëpunimin në çështjet që kanë të
bëjnë me shërbimin korrektues, dhe ndihmën për
viktimat e krimit.
Ministria e Drejtësisë gjithashtu do ta përfaqësojë
Qeverinë në konteste dhe procedura para gjykatave dhe gjykatave
të arbitrazhit, do të sigurojë këshilla të
ekspertëve për përgatitje, nga ana e Qeverisë, të
marrëveshjeve në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar
dhe do t’i ndihmojë UNMIK-ut në ushtrimin e përgjegjësisë
së vet për bashkëpunim ndërkombëtar ligjor,
përfshirë këtu bashkëpunimin me Gjykatën evropiane
për të drejta të njeriut, Gjykatën Penale Ndërkombëtare
dhe Tribunalin e Hagës.
Në të njëjtën kohë, formimi i Këshillit
gjyqësor të Kosovës, të cilit do t’i bartet
përgjegjësia për caktimin, disiplinimin dhe largimin
e gjykatësve, është në rrugë e sipër.
Këshilli, si organ i pavarur, gjithashtu do të jetë përgjegjës
për administrimin e gjykatave.
Ministria tjetër e re që po formohet, Ministria e Punëve
të Brendshme, do të jetë përgjegjëse për
lehtësimin e përgatitjes dhe zbatimit të legjislacionit
në fushën e rendit dhe të sigurisë publike, për
administrimin e çështjeve financiare e buxhetore të
Shërbimit Policor të Kosovës (SHPK) dhe të Ministrisë,
për zbatimin e menaxhimit të integruar kufitar në bashkërendim
me UNMIK-un dhe në përputhje me udhëzimet e Bashkimit
Evropian, për zbatimin e legjislacionit në fuqi mbi qarkullimin
e personave brenda Kosovës dhe jashtë saj, për grumbullimin
dhe analizimin e të dhënave statistikore në fushën
e rendit publik, dhe për kryerjen e funksioneve në procedurat
disiplinore kundër policëve në përputhje me legjislacionin
në fuqi.
Për më tepër, disa funksione që tani kryhen nga
Ministria e Shërbimeve Publike, do t’i barten Ministrisë
së Punëve të Brendshme. Këtu përfshihen funksionet
që kanë të bëjnë me gatishmërinë
për emergjenca, regjistrimin e automjeteve, ndihma në administrimin
e regjistrit qendror civil dhe të bazës së të dhënave,
dhe ndihma në administrimin e politikave që kanë të
bëjnë me dokumentet civile.
Bartja e hershme e përgjegjësive në këtë fushë
kryesore të qeverisjes është duke u ndërmarrë
me qëllim që IPVQ-së t’i sigurohen mjetet për
ta marrë përgjegjësinë për siguri në Kosovë
dhe për ta shtuar ndërtimin e kapacitetit, sipas nevojës
dhe ku të kërkohet, me mbështetje të bashkësisë
së donatorëve.
“Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e këtyre sektorëve,
bartja e kompetencave do të jetë graduale, në faza, dhe
do të varet nga transparenca dhe apolitizimi në secilën
fazë paraprake,” theksoi PSSP në Këshillin e Sigurimit
të OKB-së. Parimi i bartjes graduale të përgjegjësive
ushtrohet përmes marrëveshjes se, pas bartjes së grupit
të parë të përgjegjësive, do të kryhet
një shqyrtim i përkohshëm për të siguruar që
ministritë e reja po funksionojnë në mënyrë
profesionale dhe efikase, në interes të të gjitha bashkësive
dhe pa ndikim të tepruar nga asnjë parti politike. Pas përfundimit
pozitiv të shqyrtimit, ministrive do t’u caktohen përgjegjësi
të tjera, që mund të jetë tre muaj pas formimit
të tyre.
Ndërkohë, UNMIK-u duhet ta mbajë pushtetin ekzekutiv
për t’u ballafaquar me kërcënimet ndaj stabilitetit
në Kosovë, posaçërisht në fushat si çrregullimi
i rëndë i rendit publik, krimi i organizuar, terrorizmi, krimet
me motive etnike dhe krimet e rënda ndëretnike. PSSP do ta
mbajë autoritetin përfundimtar për ndërhyrje dhe
do të vazhdojë t’i ushtrojë funksionet sovrane,
si përfundimi i marrëveshjeve ndërkombëtare dhe
bashkëpunimi ndërkombëtar gjyqësor dhe policor.
Edina Halapi, Shtylla I
