UNMIK Home >> Fokus Kosova >>> Ligji, drejtësia dhe siguria publike

Ligji mbi gjykatat

Recetë për pavarësinë e gjyqësisë


Në një ceremoni të betimit për gjykatës dhe prokurorë në dhjetor 2003, kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Rexhep Haxhimusa, tha, “Në çdo shtet, gjyqësia është strumbullar i sundimit të ligjit, në epiqendër të së cilës qëndrojnë liritë dhe të drejtat e njeriut, mbrojtja e të cilave është kryesisht në fushën e gjyqësisë, pa të cilën nuk mund të imagjinohet një shoqëri e civilizuar, e përparuar dhe demokratike.”

Në këtë kontekst, z. Haxhimusa theksoi nevojën “për themelimin e një gjyqësie të pavarur, që është e ndarë nga dy kompetencat e tjera dhe e ngarkuar me kompetenca të veta përkatëse, imune nga ndikimi i çfarëdo lloji, që në fakt është parakusht themelor për ushtrimin e vërtetë të kësaj kompetence.”

Institucionet që e kontrollojnë administratën dhe menaxhimin gjyqësor mund të ushtrojnë ndikim të jashtëm ndaj gjykatave në përgjithësi, si dhe ndaj gjykatësve individualë. Mënyra me të cilën udhëhiqen gjykatat ndikon në pavarësinë e gjyqësisë, prandaj ndikimi i strukturave administrative mbi gjyqësinë kërkon vëmendje të kujdesshme. Kjo përbën një prej parimeve kryesore themelore në procesin e bartjes së përgjegjësive tek Ministria e re e Kosovës për Drejtësi, që do të themelohet këtë vit.

Ndërkombëtarisht, ekzistojnë shumë sisteme të ndryshme administrative gjyqësore për ta mbrojtur pavarësinë e gjyqësisë. Shoqata e gjykatësve evropianë apelon që gjyqësia të administrohet nga një organ i pavarur i përbërë nga gjykatësit. Këshilli i Evropës, duke i pasqyruar dallimet ekzistuese ndër shtetet evropiane, lejon një sërë modelesh. Në minimum, të gjitha standardet sugjerojnë që organet përgjegjëse për administrimin e gjykatave duhet të parandalohen nga përdorimi i autoritetit të tyre për të ndikuar në vendimmarrjen e gjykatësve dhe që gjyqësia duhet ta ketë një formë të ndihmës së madhe në administratën e vet. Përndryshe, pavarësia e gjyqësisë mund të dëmtohet.

Çelësi qëndron në themelimin e rregullave dhe procedurave transparente e të qarta për ta parandaluar organin administrativ – kudo që gjendet – nga ndërhyrja në pavarësinë vendimmarrëse të gjykatësve. “Projektligji mbi gjykatat”, i propozuar nga Departamenti i Drejtësisë, parashikon një gjyqësi vërtet të pavarur, të paanshme dhe përgjegjëse në Kosovë, në përputhje me standardet evropiane.

Këshilli gjyqësor i Kosovës (KGJK), i cili do ta zëvendësojë Këshillin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës (KGJPK) dhe do të jetë gjithashtu përgjegjës për administrimin e gjykatave, do të veprojë në mënyrë të pavarur dhe do të jetë përgjegjës për rregullimin e çështjeve të gjyqësisë. Në veçanti, projektligji i siguron KGJK-së kritere të qarta e transparente për emërime në gjyqësi dhe e përcakton përgjegjësinë disiplinore për gjykatës. Themelimi i KGJK-së ishte planifikuar ta mënjanonte ndikimin e padrejtë politik apo ndikimet e tjera brenda sistemit gjyqësor gjersa siguron që gjykatësit e zbatojnë sundimin e ligjit për të gjithë qytetarët.

KGJK gjithashtu do të shërbejë si krah administrativ i degës së gjyqësorit me kompetenca të veçanta. Roli i tij më nuk është ai i organit këshillëdhënës, siç ka qenë paraardhësi i tij KGJPK. Ligji mbi gjykatat duhet të veprojë në kuadër të Kornizës Kushtetuese dhe të jetë në përputhje me ligjet aktuale dhe të ardhshme të Kosovës. Vërtet, KGJK-ja do të ketë pushtet mbi shumë funksione të lidhura me menaxhimin dhe administrimin e gjyqësisë. KGJK do të luajë rol primar në rekomandimin e buxhetit për gjyqësi, në administrimin e buxhetit, dhe në sigurimin e kornizës politike për administratën e gjykatave.

Aktualisht, administrata e gjykatave është kompetencë e transferuar nën kompetencën e Ministrisë së Shërbimeve Publike. “Ligji mbi gjykatat” parashikon vendosjen e administratës së gjykatave nën kontrollin e KGJK-së për ta kufizuar ndikimin e mundshëm të tepruar të degës së ekzekutivit mbi degën e gjyqësorit.

Përgjegjësitë për organizimin dhe funksionimin e drejtë të gjykatave; trajnimi, përfshirë këtu trajnimin dhe kualifikimin profesional të gjykatësve dhe të personelit gjyqësor, disiplinimin dhe largimin e anëtarëve të personelit ndihmës gjyqësor, do të kalojnë nën kontrollin e KGJK-së.

Për më tepër, sipas ligjit të ri, KGJK do të ketë mbikëqyrje të drejtpërdrejtë në çështjet që kanë të bëjnë, ndër të tjera, me çështjet financiare (përfshirë këtu ndarjen e resurseve) dhe të personelit.
Arritja e një gjyqësie të pavarur përfshin sigurimin jo vetëm që gjykatësit t’i analizojnë dëshmitë dhe ta interpretojnë ligjin të lirë nga shtrëngimi dhe ndikimi i jashtëm, por edhe që funksionet gjyqësore janë institucionalisht të ndara nga kompetencat ekzekutive dhe legjislative. Me fjalë të tjera, brenda kufijve përkatës, gjyqësia e Kosovës do të fitojë pushtet për vetëmenaxhim dhe vetadministrim.

Arianna Lepore
Sektori për politikë ligjore, Departamenti i drejtësisë