RREGULLORE NR.2000/53
UNMIK/REG/2000/53
27 Shtator 2000


MBI NDËRTIMET NË KOSOVË GJITHASHTU E NJOHUR SI "RREGULLORJA REXHEP LUCI MBI NDËRTIMET"


Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm

Në pajtim me autorizimin që i është dhënë me Rezolutën 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit të Kombeve Të Bashkuara të datës 10 qershor 1999,

Duke marrë parasysh Rregulloren nr. 1999/1 të datës 25 korrik 1999, të ndryshuar, të Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) mbi autorizimin e Administratës së Përkohshme në Kosovë,

Me qëllim të rregullimit të ndërtimit të patundshmërisë dhe ndryshimeve në përdorimin e patundshmërive në Kosovë,

Shpall sa vijon:


Neni 1
PËRKUFIZIMET

"Ndërtim" do të thotë ngritje, instalim, ndërrim, renovim, zgjerim, ndryshim, shndërrimi ose rrënimi i çfarëdo ndërtese a strukture, duke përjashtuar punën e zakonshme për mirëmbajtjen e ndërtesave a strukturave ekzistuese të përcaktuar nga organet kompetente komunale në udhëzimet komunale për të cilat nuk nevojitet leje për ndërtim. "Ndërtimi" përfshin ndryshimet e bëra në funksionin ose përdorimin e patundshmërisë që devijojnë nga planet e pranuara të urbanizmit.

"Personat e përfshirë në ndërtim" do të thotë pronarët, zënësit ose shfrytëzuesit e patundshmërisë që janë të përfshirë në ndërtim si dhe të gjithë personat fizikë dhe juridikë që urdhërojnë ose kontraktojnë për ndërtim.


Neni 2
LEJET PËR NDËRTIM

2.1 Për të gjitha ndërtimet duhet marrë lejen për ndërtim nga organi kompetent komunal.

2.2 Organet komunale japin udhëzime për paraqitje të kërkesës dhe lëshimin e lejeve të ndërtimit të cilat në pajtim me ligjin e zbatueshëm të përcaktuar në Rregulloren e UNMIK-ut nr. 1999/24 të 12 dhjetorit 1999 mbi Ligjin e Zbatueshëm në Kosovë mes tjerash përcakton:

(a) Kërkesat teknike, të sigurisë dhe të mjedisit;

(b) Kërkesat përkitazi me lidhjet me ujësjellësin, energjinë elektrike dhe kanalizimin për ndërtimin e propozuar; dhe

(c) Kufizimet kohore për vendimet nga ana e komunës.

2.3 Kriteret për të bërë përjashtime nga kërkesat për marrjen e lejes dhe lëshimin e lejes për ndërtim pos tarifave të përmendura në paragrafin 2.4 do të paraqiten në një direktivë administrative të lëshuar nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm.

2.4 Organet komunale do të përcaktojnë tarifat për paraqitjen e kërkesës dhe lëshimin e lejes për ndërtim të cilat do t'i paguhen komunës.


Neni 3
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME

3.1 Me rastin e paraqitjes së kërkesës për leje ndërtimi, nga paraqitësi i kërkesës kërkohet që organit komunal t'ia ofrojë planin ndërtimor. Gjatë shqyrtimit të kërkesës, organi komunal mund ta marrë parasysh planin urbanistik komunal po që se ekziston. Po që se organi komunal ka arsye për të besuar se paraqitësi i kërkesës nuk ka të drejtë për ta shfrytëzuar tokën ose ndërtesën e ndërtimit të propozuar, mundet që brenda gjykimit të tij të mohojë lëshuarjen e lejes për ndërtim. Paraqitësit të kërkesës i kumtohet arsyeja me shkrim për mohimin e kërkesës.

3.2 Komunat lëshojnë leje për ndërtimduke kontrulluar rreptësisht ndërtimin. Lëshuarja e lejes për ndërtim nuk do të bartë apo vërtetojë asnjë kërkesë lidhur me të drejtën pronësore, të drejtën për shfrytëzim ose çëfarëdo të drejtash të tjera për truallin e as për ngrehinat e ngritura mbi të, e as nuk është përcaktim i kontesteve përkitazi me të drejtat pronësore a çfarëdo të drejtash të tjera në truall ose në ngrehinat e ngritura mbi të.

3.3 Paraqitësit e kërkesës marrin mbi vete tërë përgjegjësinë për çfarëdo kontesti që rrjedh ose që lidhet me ndërtimin e kryer në pajtim me lejen e ndërtimit si dhe për çfarëdo kontesi për pronësinë ose të drejta të tjera për tokën a ndërtesën ku kryhet ndërtimi i tillë.

3.4 Numri i lejes për ndërtim, së bashku me emrin, adresën dhe numrin e telefonit të personit përgjegjës për ndërtim shfaqen në mënyrë të dukshme në një shenjë tek vendi i ndërtimit para se të fillojë dhe derisa të kryhet ndërtimi.


Neni 4
LEGALIZIMI I NDËRTIMIT

4.1 Në rast se ndërtimi pa leje ka filluar pas 10 qershorit 1999, por para datës së hyrjes në fuqi të kësaj Rregulloreje, personit përgjegjës në ndërtim i kërkohet që organeve komunale t'ua paraqesë kërkesën për leje ndërtimi në përputhje me nenet 2 dhe 3 më lart. Lejet për ndërtim të lëshuara sipas këtij neni vlerësohen të plotëfuqishme prapavajtësisht.

4.2 Kriteret dhe masat ndëshkuese përkitazi me legalizimin e ndërtimeve të tilla të përmendura në nenin 4.1 të mësipërm, që nuk i plotësojnë kushtet për të marrë leje për ndërtim do të përfshihen në një urdhëresë administrative të nxjerrë nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm.


Neni 5
MASAT NDËSHKIMORE

Çdo person përgjegjës për ndërtim pa leje, përveç asaj që është paraqitur në nenin 4 më lartë,ose është në kundërshtim me lejen e ndërtimit, do t'i nënshtrohet masave ndëshkuese të parapara në ligjin e zbatueshëm.


Neni 6
RISHQYRTIMI DHE ANKESAT

6.1 Paraqitësit e kërkesave për leje ndërtimi dhe personat mbi të cilët është zbatuar masa ndëshkimore kanë të drejtë të kërkojnë rishqyrtimin administrativ të vendimeve të tilla në pajtim me procedurën e paraparë në udhëzimet e lëshuara nga organet komunale.

6.2 Nëse komuna ka vërtetuar vendimin e saj pas rishqyrtimit, paraqitësit e kërkesës për marrjen e lejes për ndërtim dhe personat të cilët u janë nënshtruar masave ndëshkuese kanë të drejtë të kërkojnë rishikim të mëtejmë gjyqësor dhe administrativ, ashtu siç është paraparë në ligjin e zbatueshëm.

6.3 Kërkesat për rishikim administrativ ose gjyqësor nuk do ta pezullojnë zbatimin e masave ndëshkuese të shqiptuara nga organet komunale në pajtim me nenin 5 më lart.


Neni 7
SHËNDETI DHE SIGURIA PUBLIKE

Asgjë në këtë rregullore nuk kufizon dhe zvogëlon në asnjë mënyrë autoritetin e komunës për të marrë masa të tilla të nevojshme, duke përfshirë edhe rrënimin e ndonjë ndërtese ose strukture për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë publike.


Neni 8
ZBATIMI

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm mund të lëshojë direktiva administrative në lidhje me zbatimin e kësaj Rregulloreje.


Neni 9
LIGJI I ZBATUESHËM

Kjo rregullore shfuqizon çdo dispozitë në ligjin e zbatueshëm që nuk përkon me të.


Neni 10
HYRJA NË FUQI

Kjo rregullore hyn në fuqi më 25 Shtator 2000.

Bernard Kouchner
Përfaqësues Special i Sekretarit të Përgjithshëm