Mirëmbrëma,
Unë jam larguar nga Sarajeva qe pesë vjet.
Tani jam shumë i ngazëllyer që jam kthyer prapë
në këtë rajon - edhe këtu në Kosovë. Kohërat
e vështira nuk kanë mbaruar ende. Mirëpo, unë do
të bëj çmos për të ndihmuar. E di se kam
shumë për të mësuar. Ju premtoj se do të dëgjoj
dhe do të mundohem të mësoj shpejt.
Ja ku ju them: më vjen mirë që gjendem
në mesin e juaj.
I
Kosova është një shoqëri e shkathët,
e re dhe dinamike. Ju, burra dhe gra të Kosovës, ju keni filluar
tashmë t'i rindërtoni jetërat e juaja. Ju duhet të
mburreni me energjinë me të cilën ju keni rindërtuar
shtëpitë tuaja dhe keni hapur sërish dyqanet tuaja.
Po e njëjta energji dhe shkathtësi duhet
të përdoret tani për ta vendosur një qeveri funksionale.
Kosova ka nevojë për institucione. Institucione
të cilat mund të punojnë në interes të popullit
të saj. Ne nuk mund të presim më tepër, andaj unë
kam zhvilluar raundin e parë të bisedimeve me krerët
politikë. Mund të them se kemi njëfarë përparimi
tashmë, veçse na duhen edhe më shumë konsultime.
E di se është vështirë. Por e
di gjithashtu se ka mundësi që të zgjidhet bllokada politike,
Kjo në qoftë se udhëheqësit tuaj mbledhin guximin
për t' i tejkaluar interesat e ngushta partiake si dhe në
qoftë se tregojnë vullnetin politik që të veprojnë
në interesin e Kosovës. E atëherë unë mund
të jap ndihmën time.
Kur institucionet e Kosovës të jenë
vendosur, ato duhet japin rezultate. Natyrisht, ato do të bëjnë
edhe gabime në fillim. Mirëpo, ky është rrezik që
ia vlen t'i hyhet. UNMIK-u me personelin e vet të përkushtuar
do të ndihmojë në realizimin e kalimit të kompetencave
ashtu që populli i Kosovës ta marrë në duar fatin
e vet.
Miqtë e mi në KFOR, të cilët kanë
qenë aq të rëndësishëm që nga fillimi,
do të vazhdojnë të mundësojnë një ambient
të sigurtë. Gjenerali Valentin dhe unë jemi të vendosur
ta kryejmë këtë detyrë bashkërisht.
Kosovarë të dashur,
Para nesh shoh tri sfida. E para është vënia
e themeleve për zhvillim ekonomik: arsimim, vende të punës,
të ardhura dhe ndërmarrje. E dyta është mposhtja
e krimit, e dhunës si dhe heqja e frikës. Ndërsa e treta
është krijimi i një shoqërie të ndershme dhe
i një streheje të sigurtë për të gjithë.
II
Sfida e parë: vendet e punës është
ajo që i duhet Kosovës. Sektori privat do të jetë
motori parësor për krijimin e vendeve të punës dhe
të të ardhurave. Ai ka nevojë për ide të freskëta,
njohuri profesionale teknike dhe drejtues të shkathtë. Investimi
më i madh në aftësim dhe shkollim të lartë
është jetik. Të rinjtë dhe të rejat e Kosovës
janë kapitali më i madh i saj.
Ne duhet t'i rrekemi reformimit të pronësisë
dhe privatizimit. Çdo shtëpi, çdo dyqan dhe çdo
pëllëmbë toke duhet ta ketë pronarin e vet të
qartë. Pasuritë e vlefshme duhet të zhvillohen. Përndryshe,
ato mbesin vetëm kapital i vdekur. Megjithë pengesat ligjore,
unë do t'ia paraqes një propozim Kombeve të Bashkuara
në New York për mënyrën se si mund të realizohet
ky proces.
Ne të gjithë kemi nevojë për më
shumë energji elektrike. Sidqoftë, e vërteta e thjeshtë
është se nuk ka zgjidhje të shpejta. Megjithatë,
Shtylla ime e BE-së do t'i rrisë investimet. Ne do të
punojmë me të tjerët për ta përmirësuar
shkëmbimin rajonal të energjisë. E nëse ju e kryeni
pjesën tuaj dhe i paguani faturat tuaja atëherë unë
kam besim se do të shohim edhe përmirësime, edhe në
rast se kjo merr kohë më shumë se sa shpresojmë
ne se do të marrë.
Synimi im i dytë është mposhtja e krimit
dhe e dhunës. E di të gjithë ju e ndani këtë
shqetësim. Pasiguria ndihet në tërë shoqërinë
kosovare si dhe ka shume njerëz që kërcënohen ose
frikësohen nga kriminelët. Ka ende sish që tremben për
jetën e e tyre.
Ju nuk duhet të keni frikë që t'i shprehni
pikëpamjet e juaja politike. Ju nuk duhet të detyroheni të
kërkoni mbrojtje për bizneset e juaja jashtë strukturave
zyrtare. Fqinjtë tuaj nuk bën assesi të kenë përparësi
të padrejta si rezultat i patronazhit politik. Ju duhet të
ndiheni të sigurt në rrugët e Kosovës kudo dhe kushdo
që jeni. Ne do të vazhdojmë t'i arrestojmë dhe t'i
sjellim kriminelët para drejtësisë. Siç dëshmon
edhe gjykimi i Sllobodan Millosheviqit, askush nuk është mbi
ligjin. Fajësia ose pafajësia mund të përcaktohen
vetëm në gjykatë e jo në rrugë.
Ju duhet deomos ta përkrahni policinë tuaj,
Policinë e UNMIK-ut dhe Shërbimin Policor të Kosovës,
në mënyrë që të mbështeten standardet
e drejtësisë. Unë pres nga populli i Kosovës që
ta dënojë dhunën dhe aktet ekstremiste. Kushdo që
ngritet kundër procesit të drejtë gjyqësor tregon
në realitet se është kundër integrimit të Kosovës
në institucionet evropiane. Kushdo që është kundër
sundimit të ligjit është kundër Evropës.
Të njëjtën porosi do ta dërgoj
edhe në Beograd. Është e papranueshme që ende ka
të burgosur nga Kosova që mbahen në burgjet serbe që
nga koha e konfliktit. Unë do të ngul këmbë që
ata të kthehen sa më shpejt.
Synimi i tretë kyq është një shoqëri
e drejtë për të gjithë dhe pres nga përfaqësuesit
e zgjedhur të Kosovës që të jenë në nivel
të kësaj sfideje. E di se ka plagë që duhet shëruar.
Por unë gjithashtu e di se Kosova do të gjykohet nga bota
në bazë të asaj se si i trajton komunitetet e veta joshqiptare,
në veçanti komunitetin serb.
Gjatë viteve të nëntëdhjeta, popullata
shqiptare në Kosovë ka përjetuar shtypje në një
sistem krejtësisht të padrejtë i cili ka kulminuar së
fundi me krime të luftës. Është e qartë se
nuk mund të bëjmë krahasime me gjendjen e sotme. Mirëpo,
është fakt se serbët e Kosovës janë të
privuar nga liria e plotë e lëvizjes, janë të privuar
nga qasja ndaj pronës së tyre si dhe janë të privuar
nga siguria. Njëkohësisht, pushteti i UNMIK-ut duhet deomos
të pranohet në tërë Kosovën, duke përfshirë
Mitrovicën. Një parakusht për bisedime për statusin
e ardhshëm të Kosovës do të jetë një shoqëri
e ndershme dhe e drejtë, me dinjitet për të gjithë.
III
E ardhmja e Kosovës është Evropa. Unë
do të udhëtojë në kryeqytetet kryesore për
të kërkuar mbështetje për ju. Në këtë
çast, vëmendja e botës mund të jetë kthyer
kah Afganistani dhe kah vendet e tjera, por unë do të përpiqem
ta ruaj angazhimin e tyre derisa të jetë kryer puna dhe derisa
Rezoluta 1244 të jetë realizuar në tërësi.
Në anën tjetër, mbështetja ndërkombëtare
dhe integrimi evropian nuk vijnë falas. Ekzistojnë kushte
të cilat duhet të përmbushen siç janë: rrespektimi
i plotë i sundimit të ligjit, institucionet funksionale, kultura
demokratike politike, shtypi i lirë dhe praktikat e shëndosha
ekonomike.
Kosovarë të dashur,
Ka ardhur koha që ta hedhim shikimin edhe përtej
Kosovës. Kjo është e domosdoshme si në aspektin
politik ashtu edhe në atë ekonomik. Kosova nuk është
ishull në oqean. Ajo mund të përparojë vetëm
nëse përparojnë edhe fqinjtë e saj. Është
koha të flitet me Shkupin dhe Tiranën por në veçanti
me Beogradin. Unë do t'i inkurajoj përfaqësuesit e zgjedhur
të Kosovës të inkuadrohen me ne në biseda me Beogradin
përkitazi me çështjet që janë me rëndësi
për ju.
Ju votuesit e keni kryer punën tuaj. Tani u takon politikanëve
që ta kryejnë punën e tyre. Kosovës i duhet qeveria.
Pas dy vitesh ne duhet gjithashtu t'ua përtrijmë
mandatet qeverive komunale. Pas konsultimeve që kam bërë,
unë kam vendosur që zgjedhjet komunale të mbahen më
21 shtator të këtij viti. Mirëpo, kjo do të ndodhë
vetëm poqëse formohet shumë shpejt qeveria e Kosovës.
Kryesuesi i radhës i OSBE-së, ministri i jashtëm Jaime
Gama do të qëndrojë nesër në Kosovë për
ta diskutuar këtë çështje në hollësi.
Ka shumçka për t'u mburrur në Kosovë
dhe shumçka nga e cila mund të vazhdohet puna më tej.
Ju jeni tani në rrugë drejt jetës normale. Shpresoj se
do t'i lini plagët e vjetra që të shërohen e madje
edhe ta gëzoni jetën. Unë e di se ju dhe fëmijët
tuaj do të keni një të ardhme të sigurtë në
Kosovë. Një Kosovë në gjirin e Evropës, në
një Kosovë ku çdokush mund ta sigurojë jetesën
e vet si duhet dhe në një Kosovë ku askush nuk do të
jetë i detyruar të jetojë në frikë.
Ne nuk do të mund t'i arrijmë të gjitha
përnjëherë. Ne do të ballafaqohemi edhe me pengesa.
Por nëse punojmë bashkë atëherë mund ta çojmë
Kosovën përpara.
Ju falemnderit.